Arat "pa zot" te kanabisit

Me një portret të rreptë, i veshur me uniformën e tij hijerëndë ceremoniale, i rrethuar nga kolegë e vartës italianë e shqiptarë, drejtori i përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, bëri një bilanc të kultivimit të kanabisit në territorin e Shqipërisë. “Janë akte kriminale”, tha Burgaj veç të tjerash, por duke lënë gjithsesi një shije të pafuqisë së shtetit për të frenuar arat e mbjella me kanabis që vazhdojnë të rriten përditë. Pas kësaj konference për shtyp, një ditë më pas u raportuan disa arrestime në dy-tri pika të vendit, si edhe gjetja e një are “pa zot” diku në një mal të Matit. Një ditë më pas, aksioni antikanabis ishte harruar, “fryma e aksionit” zgjati vetëm 24 orë dhe më pas njerëzia u mor me ditën e madhnueshme të Fitër-Bajramit dhe me punët e përditshme. Me gjithë forcimin e ligjit, shumë burra shqiptarë vazhduan të rrahin gratë përkatëse, ndërsa vetëm një grua, Ramazania nga Korça, mbeti e vetmja që kishte vënë dorë paq mbi bashkëshortin e trembur.
Nga pikëpamja thjesht ligjore dhe nga këndvështrimi i forcës që drejton, megjithëse jo çdo shkelje e ligjit përbën krim, drejtori Burgaj ka të drejtë ta cilësojë krim kultivimin e kanabisit dhe pra pikërisht prej këndej edhe kriminelë kultivuesit e saj, duke përfshirë këtu edhe pleq e plaka të mbetur gërxheve, sepse bosë të mëdhenj të tregtisë së saj ende nuk kemi parë të jenë arrestuar. Porse nga një këndvështrim tjetër, më i gjerë e më shoqëror, e mbase edhe më human, të cilësosh kriminelë të gjithë fshatarët e varfër e të pashpresë, të cilët nxjerrin bukën e gojës nga kjo shkelje e ligjit, është mbase një çikë e tepruar. Ndoshta kjo që po bëjmë tani mund të tingëllojë vetëm si lojë fjalësh, mbase ky diskutim duhet të jetë më shumë fushë debati e kriminologëve dhe viktimologëve, mbase…, porse pas përdorimit të këtyre termave fshihet një problem i madh i rendit publik, financiar, ekonomik, shoqëror, etik, shëndetësor, një problem të cilin shoqëria jonë dhe qeveritë tona në këta 20 vjet nuk kanë arritur jo vetëm ta zgjidhin, por mbase edhe ta kuptojnë.
Në Lazarat dhe më tej rrëfejnë si të vërtetë një ngjarje që duhet të ketë ndodhur në vitet e para të Presidencës Berisha. Një delegacion lazaratas, i drejtuar nga më plaku i fshatit, u paraqit në Presidencë. Kishin ardhur të takonin Berishën dhe t’i kërkonin ato gjëra që ai u kishte premtuar para do kohësh: si zakonisht më të parat ishin uji dhe dritat. Presidenti i atëhershëm u është përgjigjur se ai do ta mbante premtimin që u kishte dhënë, se “ata ishin një kala e vërtetë e PD-së”, se u ishte shumë mirënjohës për përkrahjen, se shumë shpejt do t’i preknin me dorë rezultatet e kështu me radhë, por se kishte edhe gjëra që duan kohën e vet. Atëherë plaku lazaratas ia ka prerë fjalën në mes Presidentit, duke i thënë pak a shumë: Ore, Sali! Do e bësh mirë punën ti, apo të gjejmë ndonjë tjetër ne?! Gati e kam zëvendësuesin tënd unë. Ja ku e kam nipin tim. Është me shkollë të lartë ky. Edhe ky doktor është, si ty. Vetëm se ka mbaruar veterinari! Kështu ka thënë plaku duke bërë me gisht nga nipi që mbante në krahun e djathtë. Edhe në mos qoftë e vërtetë rrëfenja është shumë e goditur. Të tilla karakteristika ka popullsia e Lazaratit, fshatit të madh që është shndërruar në simbol të kanabisit “Made in Albania”.
Qeveria e re, që për pak merr detyrën, me siguri që do të përballet, mes shumë e shumë sfidave të tjera edhe me kanabisin dhe kultivuesit e saj “kriminelë”. Sikurse e thamë ca më lart, të gjitha qeveritë deri më tani kanë dështuar në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit. Ndryshe ka ndodhur me përdorimin vetjak, i cili, ndonëse ligjërisht i dënueshëm, përgjithësisht tolerohet, kur bëhet fjalë për sasi të vogla të përdorimit vetjak. Çfarë rruge do të ndjekë qeveria Rama për të zgjidhur këtë problem goxha të madh: do të organizojë ekspedita ndëshkuese e përvëluese ushtarake? Do të shtojë praninë policore në zonat tradicionale të kultivimit? Do të vazhdojë të fusë në burg kryepleqtë që nuk spiunojnë shokët? Të gjitha këto do t’i kushtonin shtetit me miliarda lekë që nuk i ka, dhe për më tepër do të vinte në role armiqësore shtetin jo vetëm me individë të caktuar, por me krahina të tëra. Apo, përndryshe qeveria e re do të vrasë mendjen e të zëvendësojë një aktivitet të paligjshëm me perspektiva të reja zhvillimi legale, do të zëvendësojë kontrollin e shtetit mbi këtë prodhim ndaj sundimit miliarder të bosëve të mëdhenj?
Në fakt ky është një diskutim që nuk është vetëm shqiptar, por mbarë botëror. Vetëm te ne deri më tani nuk është diskutuar, debatuar, studiuar, duke e hedhur të gjithë barrën mbi supet e lodhura të Policisë. Në këtë pikë mund të na ndihmojë përvoja e të tjerëve.
Në fakt, kanabisi, vetëm për disa rrethana të caktuara ekonomike është shpallur bimë e ndaluar. Jetë e mot, meksikanët, por jo vetëm, e kanë përdorur marijuanën jo vetëm për ta tymosur, jo vetëm si qetësues, por edhe për të prodhuar sandale, kapele, veshje, thasë, konopë, mobilie e kështu me radhë. Sikur në Teksas, në fillim të viteve ’30 të shekullit të kaluar, arat e mëdha me kanabis të mos ishin në territoret e lakmuara nga dy manjatë të mëdhenj – Lammot du Pont i naftës dhe William Hearst i pambukut – atëherë sot në të gjithë botën do të tymosej më lirshëm marijuana sesa duhani. Por për të zhvendosur indiosit nga territoret e lakmuara, dy manjatët lobuan në Kongresin Amerikan për ta shpallur të ndaluar bimën deri më atëherë krejt të pafajshme. Rezultat i këtij lobimi ishte ligji “Marihuana Tax Act”, i firmosur nga Presidenti Roosevelt më 1937. Që prej asaj kohe bimës iu mvesh një nam i keq dhe si zakonisht, si çdo gjë që vjen nga proibicionizmi prej kësaj përfituan e përfitojnë rrjetet kriminale.
Sot marijuana është një gjë e çuditshme, e sharë, e parë keq, por edhe shumë e dashur, shumë herë e ndaluar, ajo është si të thuash një “e keqe e parrezikshme”, një “cigare për artistët dhe të rinjtë”, “një çapkënllëk i kohëve moderne”, “një gabim që nuk bëhet ves”. Vende të ndryshme kanë përvoja të ndryshme. Shumë prej tyre e kanë dekriminalizuar përdorimin vetjak në një sasi që luhatet nga 5 deri në 20 gramë. Vende të tjera si Holanda, Spanja, Uruguai tash së fundi, e lejojnë përdorimin e saj vetëm në vende të caktuara dhe për moshat mbi 18 vjeç dhe kultivimin në sasi të caktuara në oborrin vetjak. Të tjerë kanë lejuar përdorimin e saj në mjekësi, ku përdoret në kurimin e depresioneve, Parkinsonit, glaukomës, sklerozës, epilepsisë, e plot sëmundjeve të tjera. Sipas burimeve zyrtare të BE-së në vendet e saj anëtare janë regjistruar 71.5 milionë qytetarë që janë përdorues të rregullt të kanabisit.
Që prej disa dekadash në botë ka nisur një fushatë e gjerë për dekriminalizimin e kanabisit (andaj dhe fjala krim që përdori drejtori Burgaj në krahasim me fjalën dekriminalizim ta vret disi veshin, ndonëse ai me siguri ka pasur parasysh trafikantët e mëdhenj). Që nga 1989, në Amsterdam (e ku tjetër?) çdo javë të tretë të nëntorit zhvillohet “Amsterdam Canabis Cup”. Më 1999 u organizua njëkohësisht në 200 qytete të botës “Million Marijuana March”. Ky marshim vazhdon të zhvillohet çdo të shtunë të parë të majit.
Në diskutim janë përfshirë edhe ekspertë të njohur. Sipas një studimi të 2007 nga revista shkencore prestigjioze “The Lancer”, marijuana është shumë më pak e dëmshme se “kolegët” e saj të dekriminalizuar si alkooli dhe nikotina. Dy vjet më parë, fituesit e çmimit “Nobel” për ekonominë, Milton Friedman, George Averlof dhe Vernon Smith, ishin bërë iniciatorët e një peticioni të firmosur nga 500 ekonomistë të njohur, me anë të të cilit i kërkohej Kongresit Amerikan dekriminalizmi i marijuanës. Sipas Friedmanit, shpenzimet vjetore prej 7 miliardë dollarësh, që shteti amerikan harxhon çdo vit për të frenuar kultivimin, trafikun dhe shitjen e marijuanës nuk janë gjë tjetër “veçse një mbështetje që shteti pa dashur i bën vetë krimit”.
Ka ardhur koha që me këtë problem edhe te ne të merren të gjithë, shteti, shoqëria, shkenca, ekonomistët, sociologët, shtypi, mjekët, psikologët… Ka ardhur koha që këtë barrë të rëndë të mos ia vëmë vetëm policisë mbi supet e saj edhe kështu të lodhura. Nëse vazhdojmë të sillemi me këtë problem sikurse jemi sjellë deri më tani, pra me ashpërsi të kotë sipas metodës së shtirur të “entuziazmit revolucionar”, atëherë do të kemi vetëm ca pleq e plaka më shumë në burgjet tona të stërmbushura, një shtet që bën figurë të keqe, një ligj të kotë, shumë ara pa zot ndër shkrepa malesh, një mal me lekë që do t’i përpijë dheu më kot, krahina të tëra që do t’i shohin përfaqësuesit e shtetit si armiq dhe jo si mbrojtës të tyre, dhe sidomos trafiqe kriminale miliardash, të cilat janë krejt normale pas çdo proibicionizmi.
Shqip
Comments
Shkruaj o Tosi shkruaj, por
<p>Shkruaj o Tosi shkruaj, por kujt i shkruan??? Cfare problemi te shoqerise i jemi perveshur ne me kaq angazhim shoqeror, qe ti perveshemi ketij ne fjale? Ne po na vritet nga nje grua ne dite nga injoranca, dhe qe prej sa ka vetem humbes dhe nuk kujtohet njeri, te thote nje fjale, jo me ne nje biznes miljardash, ku fitojne vertkalisht njerez ne Shqiperi, nga Lazarati e deri tek Deshmoret e Kombit/ Zogu i Pare ne Tirane.</p>
Add new comment