Antipushtimi - metafora e bukur e një romani

Postuar në 21 Dhjetor, 2014 10:09
Pëllumb Kulla

E nisa si koment të zakonshëm në bisht të një fragmenti që ResPublica i ka bërë vend në radhët e saj. Po mendoj se komenti im meriton një vend të vetin me përshtypjet e mia të leximit…

Romani-esse “Atdhe Tjetër” i Faruk Myrtajt për mua është një nga arritjet letrare më të shquara që në kushte normale, sikur letërsia të gjente hapësirën e saj të vemendjes, do të ishte një ngjarje për t’u përshëndetur. Në fakt e përshëndesim ne të rretheve letrare larg atdheut, me pamundësinë që t’ia imponojmë opinionit publik syhapjen mbi një shkrimtar mjaft prodhimtar, të prozës së shkurtër dhe të gjatë, me pamundësinë që t’i gjejmë e ofrojmë këtij shkrimtari të talentuar, një Pallat Brigadash dhe një prani flakëruese politikanësh që për ngjarje letrare mblidhen më shumë për t’i shërbyer botës së shëmtuar të politikës, se sa botës së librave. Megjithë shkrimet tona recensionale nuk arrijmë dot të zgjojmë mekanizmat e natyrshëm administrativë dhe përzgjedhës që ka çdo vend normal për të vlerësuar angazhimin e këtij shkrimtari në temat e rëndësishme të kohës, ku tema e përjetshme e arratisjes mbetet ende nga më prekëset

Është një temë fort e preferuar e shkrimtarit Faruk Myrtaj ku, sidomos në  romanin e tij të bukur “Atdhe Tjetër”, nga i cili Respublica i ka bërë vend kësaj copëze, me ndjeshmëri të lartë autori shfaq dhimbjen për eksodin masiv të shqiptarëve, të cilët të gënjyer,dhe  përjetësisht të zhgënjyer, nisen drejt të panjohurës që është edhe joshëse edhe e pasigurtë, por gjithnjë më e mirë se në atdheun e parë, aty ku njerëzit prisnin shumë. “Turmat e emigrantëve të sotëm lëviznin në kahje të kundërt me ushtritë pushtuese dikur”, e përkufizon Faruk Myrtaj në një figurë paralele në lëvizje dhe në një denatyrim të shqiptarëve (“Atdhe Tjetër”, fq. 65). Është një libër që figurativisht sfidon historinë e letërsisë duke sjellë figurën e Antipushtimit. Askush më mirë se ky autor nuk ka mundur deri tani të na sjellë një sprovë psikoanalitike të përshtatjes së bimës së shkulur që hyn në një dhè të ri. E rekomandoj nxehtësisht romanin e këtij prozatori, nga autorët më të mirë që ka sjellë letërsia shqipe në këto dy-tre dhjetëvjeçarët e fundit. Do të ishte vlerë e jashtëzakonshme prania në antologjitë letrare dhe librat e këndimit të disa tregimeve të shkurtër, perla letrare që do të qendronin ballëlart në tregun ndërkombëtar bashkëkohor. Është e trishtueshme tek sheh klientelizmin e këtyre kohëve që synon edhe meidanin tonë të vlerave letrare. Lamtumirë konkurse me regjistrime pjesëmarrsish, lamtumirë qendra të organizuara dhe të përgjegjshme të kritikës letrare! Tani botimet janë bërë det dhe përzgjedhja e veprave për të konkuruar bëhet subjektivisht me stilin peshkues. Ministria përkatëse i gëzon krijuesit dhe lexuesit me shpalljen e papritur të ca fituesve duke nxjerrë në plan të parë mosbesimin dhe duke u bërë dëm edhe vetë fituesve. Kërkoj ndjesë nëse gabohem në këtë vërejtje, pasi edhe unë në detin e botimeve, me të njëjtin stil, nuk arrij dot të ze çfarë ka më të bukur në treg. Mediat nuk më ndihmojnë, largësia, sigurisht, jo e jo, dhe unë sinqerisht do të gëzohesha nëse do të gjeja arritje më të vlerta se këto të shkrimtarit Myrtaj. Dhe do të gëzohesha sidomos po të ishte e tillë ajo e Pallatit historik të Brigadave!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.