Abetarja ngelet në klasë

Prindër,
Nëse libri që po lexojmë nuk na zgjon, si një grusht mbi kokë, përse e lexojmë atëherë? Kemi nevojë për libra që na godasin si fatkeqësia, që na turbullojnë thellësisht, si vdekja e dikujt që duam më shumë se veten, si një vetëvrasje. Një libër duhet të jetë si një çekiç, për të thyer detin e akullt brenda nesh. (F. Kafka).
I pat rënë këmbanave z. Ardian Klosi në një artikull të tijin “63.000 mediokritet” për problematikën e abetares së papërshtatshme me autor M.Gjokutaj, Sh. Rrokaj. E njëjta Abetare po përdoret dhe sivjet. Për fajin tonë, këtë abetare e morëm në dorë vetëm pak ditë para se vajza jonë të fillonte shkollën. Kur e përfunduam, megjithëse në të asgjë poetike nuk gjetëm, na erdhën ndër mend disa vargje nga Nazim Hikmet: “Mos jeto në këtë jetë si të ishe me pushime/ Besoji grurit, detit, tokës/ por mbi të gjitha, besoji njeriut/ Duaj rërën, makinën, librin/ por mbi të gjitha duaj njeriun”.
Në emër të këtyre dy dashurive, njeriut së pari, e pastaj librit, ndjemë se edhe ne nuk mund të rrimë pushim në këtë botë, se pushimet tona në këtë fund vere, i prishi Abetarja. Ky libër, i cili në parim ka një mision kaq të fisëm, i ngjet në të vërtetë “një ngrehine të zbrazët, dëshmitare e së cilës bëhet gjuha, e ngjashme me një marmelatë fjalësh (G.Ravasi, Mattutino); “…po të ishin librat prej marmelate do t’i përlaja çdo pasdite”. (Gjokutaj, Rrokaj, Abetare, fq. 103).
Po për fat të mirë, të gjithë librat kështu nuk janë e as që duhet të lejohen të bëhen të tillë. Me një përpjekje për të kundërshtuar mundësi të tilla po rreshtojmë disa probleme që paraqet kjo abetare.
Në faqen 24, në fjalinë “Enea luan me elefantin”, nuk saktësohet nëse elefanti është prej lodre apo bëhet fjalë për kafshën e gjallë. Po ashtu në faqen 27 “Ina, Eni e Ana ikën në Hënë”. Sa e mundshme është, në të vërtetë, për tre fëmijë të ikin në Hënë? Çfarë lidhje ka ky pohim me jetën e përditshme? Kur Humboldt e përcaktonte gjuhën si qendrën e njeriut, ai kishte parasysh të përcillte fuqinë e gjuhës për të informuar dhe ndërlidhur. Në lidhje me këtë G.Steiner shkruan: “ Në fakt, Humboldt ka si qëllim, as më pak e as më shumë, sesa të përforcojë lidhjen analitike mes gjuhës dhe përvojës njerëzore… Thelbësor për këtë analizë është besimi, se gjuha është e vërteta apo e vetmja kornize konjicioni a priori e verifikueshme. Perceptimi organizohet nga imponimi i kësaj kornize mbi fluksin tërësor të ndjeshmërive. Humboldt arrin në një tjetër nocion kyç, se gjuha është një univers i tretë midis realitetit të botës empirike dhe strukturave të brendshme të ndërgjegjes. Është pikërisht kjo cilësi e ndërmjetësuese; bashkëjetesa e materiales me shpirtëroren, që e bën gjuhën përcaktuese dhe vendimtare për njeriun dhe vendin e tij në realitet.” (G. Steiner, After Babel).
Në vazhdim të së njëjtës logjikë, duket e pamundur nga ana kuptimore fjalia “Miu ruan ariun” (f. 30). E para, për të njëjtin arsyetim të mësipërm; fjalia nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe mundësinë që kjo situatë të konkretizohet. Miu dhe ariu janë dy kafshë që i përkasin dy habitateve të ndryshëm dhe për këtë arsye të thjeshtë, është e vështirë të gjenden të përafruar në realitet sipas përshkrimit në tekst. Pra, është e vështirë të krijohen kushte të tilla vërtetësie, në të cilat vërtetë miu të ruajë ariun. Kjo fjali, e ndërtuar vetëm mbi kritere fonetike, nuk merr aspak parasysh kontekstin jetësor të personave të cilëve kjo abetare u drejtohet. Për më tepër, jo vetëm nuk nxit, por pengon marrësin e mesazhit të mendojë në mënyre autentike, duke çoroditur orientimin e tij në realitetin historik të cilit ai i përket . “… njeriu fillon dhe zotëron aktivisht ndërgjegjen e tij, dijen e tij për realitetin, nëpërmjet fuqisë rregulluese dhe hartuese të gjuhës. Të gjithë njerëzit kështu bëjnë, dhe në këtë drejtim, gjuha dhe metafora në veçanti, janë një fakt universal për një mënyrë universale të të qenurit” (G.Steiner, After Babel).
Në faqen 41, vërejmë si të panevojshëm turbullimin e rendit normal të fjalisë në gjuhën shqipe. Ose kur kjo ndodh, zgjedhja duhet të jetë e motivuar nga një përzgjedhje stilistikore e gjuhës, me qëllim komunikimin e një mesazhi me një ngjyrim të caktuar gjuhësor. Kjo nuk ka pse të ndodhë në një libër si abetarja, e cila për vetë misionin dhe stadin e saj duhet, se pari, të njohë nxënësin me rendin e saktë të fjalisë së thjeshtë në gjuhën shqipe. Shembulli i faqes 21 ilustron këtë pretendim: ndërkohë që në fjalinë e parë “Nina, Miri, Iliri e Ani shkuan në kala” respektohet rregulli Kryefjalë-Kallzues-Kundrinor, kjo nuk vërtetohet në fjalinë e dytë “Në kalin pulla-pulla Iliri mori Ninën”. Po kështu ndodh me rendin e fjalëvenë fjalinë e tretë, gjë që vështirëson disi ndjekjen e fjalisë.
Rubrikat
Rubrikat përfaqësojnë një pjesë të mirë të problemeve të shumta me natyrë të ndryshme, që përfshijnë Abetare-n. Ilustrojmë me shembuj: në faqen 41, në rubrikën e pyetjeve: Ku e ka kurorën Mira? Nëse logjika e thjeshtë të dikton të përgjigjesh duke u nisur nga teksti, atëherë nuk ka asnjë mundësi për përgjigje të saktë, sepse teksti nuk e përmban informacionin e duhur. Po t’i referohemi figurës ilustruese e vetmja vajzë me kurorë në kokë, gjendet mbi kalin pulla-pulla. Por kjo nuk mund të jetë Mira, sepse teksti na informon, se Iliri mori Ninën dhe jo Mirën në kalin pulla-pulla. Si do të orientohen nxënësit për t’iu përgjgigjur pyetjes? Ose do të përgjgigjen mekanikisht Mira, meqënëse vajza mbi kalë është e vetmja me kurorë, ose do ta stërhollojnë (ka pak gjasa të ndodhë) mendimin, duke u përgjigjur, që fillimisht mbi kalë ishte Nina, ndërsa tani ka hipur Mira. Vetëm kështu mund të shmanget kundërshtia që teksti paraqet.
Nëse qëllimi i rubrikës së pyetjeve është të zhvillojë një ndjeshmëri interpretimi dhe leximi kritik tek fëmijët, atëherë është e domosdshme t’u jepen fëmijëve elementët dhe koordinatat e sakta për përcaktimin dhe zgjidhjen e e së panjohurës. Përndryshe, teksti duke qënë i pakuptueshëm bëhet armik dhe në vend që fëmija të zhvillojë aftësi konjitive ndërtuese, mund të shkëpusë çdo marrëdhënie me tekstin. G. Steiner në librin e tij After Babel shkruan: “Interpretimi i jep jetë gjuhës edhe përtej momentit të menjëhershëm të shqiptimit apo transkriptimit… në mungesë të interpretimit nuk ka kulturë, vetëm një heshtje jo koheze prapa krahëve…” .
Shembuj të tjerë mbi të njëjëtën problematikë: në faqen 43 gjendet pyetja: Ku e mban Barbin Bora kur luan në park?
Është e pamundur t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje. Së pari, teksti nuk na jep asnjë të dhënë për të mundësuar përgjigjen. Në asnjë fjali përbërëse të tekstit nuk gjendet një informacion i tillë. Fëmijëve, ose do t’u duhet të pëgjigjen nisur nga përvoja e tyre, pra, duke pasur parasysh ku e mbajnë fëmijët vetë Barbin kur luajnë në park, ose do t’u duhet të dëshpërohen sepse një informacion të tillë nuk e gjejnë asgjëkundi. Shkruan Basil Bernstein: “ Kodet janë korniza domethënëse, por janë edhe mundësi me anë të të cilave është e mundur të parashikohen elementët strukturorë, që do të përzgjidhen për të organizuar domethënien. Kur A dërgon një sinjal kundrejt B, zhvillohet një proces orientimi, asocimi, organizimi dhe integrimi mes sinjaleve, për të prodhuar një përgjigje koherente” (cit. U.Eco, Semiotica e filosofia del linguaggio).
Elementët e sipërpermendur; orientimi, asocimi, integrimi dhe organizmi jane të paqenë në minitekstin në fjalë, ndaj na mbetet të pyesim për qëllimet e ekzistencës së këtij teksti dhe dobinë e tij. Shqetësimi lind sidomos nëse marrim parasysh Lotman, i cili e konsideron gjuhën si një ndër sistemet e modelimit të botës, bashkë me mitologjinë dhe artet. Si e modelon botën e fëmijës një tekst pa pika referimi?
Shembuj të tjerë nga e njëjta problematikë do të gjeni në faqet 45, 57, 71. Megjithatë një tekts tjetër është i vlefshëm për një vëmendjë më të gjatë. Teksti Gjergj Elez Alia (f..75). Në rubrikën e pyetjeve do të gjeni një të tillë: Gjergji është: i mirë/ i keq/ trim / frikacak. Përshtatja e pakujdesshme ka dëmtuar rëndë tekstin, duke lënë jashtë tij çdo tipar për identifikimin e heroit. Elementët për karakterin e Gjergj Elez Alisë nuk gjenden në tekst. Më i afërti dhe i vetmi element tregues (jo) i drejtpërdrejtë, me karakter atributiv shprehet nëpërmjet fjalisë “Prej vitesh lëngonte në shtrat”, pra ishte i dobët. Mund të mendohet, që meqënse kishte marrë pjesë “në luftëra”, duhet të ishte edhe trim, por fakti që një njeri i mbijeton luftërave mund të mos i kushtohet thjesht zotësisë së tij, por edhe rethanave të tjera rastësore. Pra, si do të orientohen fëmijët për t’iu përgjigjur pyetjes mbi cilësitë e Gjergj Elez Alisë, kur në tekst mungojnë të dhënat e karakterit historik dhe të personalitetit të personazhit? I vetmi atribut i qartë për Gjergj Elez Alinë është “i lumtur”, pasi ka vrarë bajlozin. Po fëmijët mund të pyesin veten, si mund të jetë i lumtur një njeri, që sapo ka vrarë një tjetër? Për më tepër që nga teksti nuk kuptohet nga erdhi dhe çfarë ishte ky Bajlozi i Zi, përveçse ishte vrasës bagëtish. Po vrasës bagëtish a nuk janë edhe njerëzit e thjeshtë? Kurse Gjergji “i lumtur” largohet në drejtim të paditur, sikurse shkojnë në drejtim të paditur edhe dijet e fëmijëve tanë.
Në faqen 89 në rubrikën “Nënë Tereza ishte… “ ofrohen 12 alternativa për të mundësuar përgjigjen”. Po i quajmë “alternativa” për konvencion, pasi të tilla nuk janë, përderisa nuk mund të aplikohet kriteri i përjashtimit, pasi mund të thuhet se Nënë Tereza ishte të gjitha ato që “alternativat” propozojnë. Çfarë arsyetimi dhe analize kritike mund të stimulojë një rubrikë e tillë, përveçse mishëron më së miri karakterin “depozitues” të një shkolle, të cilën P. Freire, pedagogjist, e përmbledh në këto fjalë: “ …në konceptin depozitues, edukatori, mësuesi i mbush kokën nxënësit me dije të pavërteta, që janë dijet e imponuara… ndodh që praktika depozituese të ketë efektin e një anestezie, sepse frenon fuqinë krijuese të nxënësve…”.
Ajo çka është më irrituese në libër, është papërgjegjshmëria dhe mendjelehtësia me të cilën është hartuar ky i fundit. Një ndër kërkesat në faqen 108 fton fëmijët të shkrujanë fjali me emrat e luleve në figura, duke iu referuar logjikisht figurave të faqes. E keqja është se në këtë faqe nuk paraqitet asnjë lule tjetër përveç manushaqes.
Në faqen 106 teksti “Punë të mbarë” mbyllet me fjalinë: “Zërat e fëmijëve, që vrapojnë për në shkollë, ua shtojnë bukurinë mëngjezeve të qytetit tim”. Sa keq që në figurë nuk është asnjë nga qytetet shqiptare, por një qytet i huaj.
Ndër rubrikat, një tjetër praktikë i fton fëmijët të mësojnë përmendësh. Kjo praktikë verifikohet në faqet 71, 91, 98, 103, 107, 117. Deri edhe formulimi i kërkesës nuk është i saktë: Mëso disa vargje përmendësh. Cili është kriteri për përzgjedhjen e vargjeve? A duhet të jenë vargje të së njëjtës strofë, apo mund të zgjidhen lirisht vargje të shkëputura nga strofa të ndryshme? Në qoftë së për të rriturit, problemi nuk qëndron, për një fëmijë, për të cilin nuk është akoma i njohur koncepti i strofës dhe roli i saj, zgjedhja mund të mos jetë kaq automatike. Ai mund të vendosë të mësojë nga një varg nga strofa të ndryshme, duke rrezikuar plotësinë dhe si rrjedhojë kuptimin e vjershës. Edhe pse disave kjo mund t’u duket e pamundur, fëmijët mund të bëjnë një zgjedhje të tillë me të njëjtin kriter me të cilin Palaçoja në shitore (f.81) zgjedh të blejë një çizme dhe një këpucë, për më tepër të ngjyrave të ndryshme. Ndërsa përsa i përket efektshmërisë së praktikës së mësimit përmendësh, do më pëlqente të citoja përsëri P. Freire, i cili në librin e tij Pedagogjia e të shtypurve shkruan: “ Në edukimin depozitues… detyra e nxënësit është vetëm të mbajë në arkiv tregimet apo depozitat e tjera, që edukatori (mësuesi) i jep si detyrë. Në këtë mënyrë, në emër të ruajtjes së kulturës dhe njohjes, nuk ekziston më as njohje dhe as kulturë. Në këtë mënyrë nuk mund të ketë njohje, sepse nxënësit nuk janë të ftuar të njohin por, të mësojnë përmendësh përmbajtjet, duke mos përmbushur një vepër njohje”.
Tematikat
Në qoftë se biem dakord, që Abetarja është ndër librat e parë, që udhëheq në botën e fjalës dhe shkrimit, rezulton e pashmangshme përpjekja për për të ndërtuar nëpërmjet saj një univers tematik sado të vogël. Ja pse, përpjekjet për të ndërtuar këtë univers tematik duhet t’i përgjigjen, sikurse Freire propozon, “një metodologjie ndërgjegjësuese, që mundëson në të njëjën kohë, aftësinë për të kuptuar temat, por edhe ndërgjegjësimin e individit”. Prapë thënë me fjalët e Freire: “ Nuk mund t’i drejtohemi njerëzve sikurse të ishin copëza antomike, por mendimit dhe gjuhës se tyre, shkallës së tyre të perceptimit të realitetit, pikëpamjes se tyre për botën, në të cilën gjenden edhe temat krijuese”.
Kurse në librin e Tefë Topallit, Gjuhësi teksti, veçojmë një tjetër citim: “Si realizim i gjuhës, teksti është… njësia themelore e strukturës semantike, e procesit semantik, dhe përderisa ky i fundit përfaqëson realizimin e potencialit të sjelljes, teksti duhet përcaktuar si veprim, si pjesë e sjelljes njerëzore, që mund të përkojë me forma të sjelljes jogjuhësorë…”(cit. Tefë Topalli, Gjuhësi teksti, f. 21).
Pavarësisht se nga Abetarja nuk mund të pretendojmë tematika komplekse, prapë nuk duhet rënë në gabimin e të rriturve, të cilët e trajtojnë gjuhën e fëmijëve si embrionale, si një version inferior të gjuhës së të rriturve. Nëpërmjet gjuhës, fëmijët janë në gjendje të eksplorojnë botën përreth. Kalimin nga modeli pasiv në modelin eksplorues e ka paraqitur në mënyrë të shkëlqyer Lewis Carroll në librin Liza ne Botën e Çudirave. “Udhëtimet” e Lizës në botën e gjuhës, paraqesin një risi, e cila pasqyron botën e vecantë të gjuhës dhe logjikës fëminore. Ky libër është një vepër e shkëlqyer kundër çdo kufizimi që të rriturit i vënë potencialit të botës së fëmijëve.
Disa nga tematikat e përcjella mbështeten në klasikët e letërsisë botërore për fëmijë si, Pinoku, Hirushja, Kësulkuqja, Borëbardha.
Këto “klasikë”, që në të vërtetë në Abetare janë veç përshtatje pa pretendime (eufemizëm) paraqesin probleme serioze me përmbajtjen. Konkretisht në faqen 39, një fëmijë, i cili njihet për herë të parë me përrallën Pinoku, shumë pak ka për të kuptuar. Pinoku paraqitet si një “fëmijë” mosmirënjohës, i cili merr një dhuratë dhe zhduket. Po ashtu në faqen 102, në vazhdimin e përrallës Pinoku, ky personazh paraqitet përsëri si një “përfitues”. Kësaj here ai i ka marrë Baba Karlos para pa dijeninë e tij dhe Zana më kot po mundohet të nxjerrë të vërtetën nga Pinoku, pasi ky ndërron version në çdo përpjekje të Zanës për të marrë vesh të vërtetën. Pinoku u paraqitet fëmijëve si një personazh mosmirënjohës, hajdut dhe gënjeshtar. Në faqen 44 një përrallë tjetër klasike, Hirushja, është masakruar për shkak të “përshtatjes”, aq sa nga ana semantike mund të thuhet se ky tekst është inekzistent. Hirushja e vërtetë dhe Hirushja e Abetares i përkasin dy sistemeve semantike të papajtueshme, aq sa e bëjnë të pamundur identifikimin e Hirushes së vërtetë me Hirushen e Abetares, i cili është një tekst, që karakterizohet nga informacioni i shpejtë, i paorganizuar, i përcjellur me fjali të vetëtishme dhe të palidhura logjikisht me njëra –tjetrën.
Në faqen 59 një tjetër përshtatje, informon lexuesin e vogël për një vajzë që quhet Kësulkuqe. Kjo takohet me ujkun, humbet rrugën, pas pak mbërrin tek dera e shtëpisë, deren ia hap roja, e cila kishte kapur ujkun, ndërkohë që Kësulkuqja takohet me gjyshen. Supozojmë sikur fëmijët të jenë njohur përpara me përrallën Kësulkuqja dhe ato të panjohura në tekst nuk bëhen pengesë për kuptimin e tij. Por marrim parasysh edhe rastin e një fëmije, që përrallën e lexon për herë të parë. Asnjë prej elementeve shkak-pasojë nuk janë të pranishëm në këtë përshtatje. Shkruhet se Kësulkuqja humbi rrugën, por nuk dihet se për ç’arsye. Shkruhet se Kësulkuqja pak pasi kishte humbur rrugën, mbërriti te dera e shtëpisë. E cilës shtëpi? Tek shtëpia e rojtarit, meqënëse ishte ai që hapi derën. Gjithsesi pse rojtari kishte kapur ujkun? Nuk kemi asnjë informacion që ujku përbënte rrezik. Pastaj Kësulkuqja, në të njëjtën shtëpi, ku i kishte hapur derën rojtari, takon gjyshen. Ndërthurja e elementëve në këtë përshtatje nuk i përgjigjet asnjë prej rregullave të strukturës së tregimit: “Trama mund të përcaktohet si elementi dinamik e sekuencial i tregimtarisë letrare… Trama (sikurse vërejti Aristoteli, i cili në këtë pikë nuk pat frikë të thoshte një banalitet të domosdoshëm), ka një fillim, një vazhdim dhe një fund. Scholes, Kellogg, La natura della narrativa). Më tutje nga i njëjti autor: “ Çdo element i ndashëm i një tregimi mund të thuhet që ka tramën e vet, sistemin e vet të tensionit dhe të zgjidhjes së tij, i cili sjell kontributin e vet në krijimin e sistemit tërësor të vetë veprës. Jo vetëm çdo episod e çdo ngjarje e vogël kanë fillimin e mbarimin e tyre, por çdo paragraf e çdo frazë ka fillimin dhe fundin e saj”.
Por mjerisht në përshtatjen e përrallës Borëbardha, Pse-të pas çdo rreshti nuk ndihmojnë aspak në krijimin e ndonjë ideje sadopak të largët mbi tramën e përrallës, ndaj këto “Pse”, janë të destinuara të mbeten pa përgjigje.
Teksti në faqen 57 titullohet “Shporta me rrush”. Pyetini fëmijët tuaj rreth tekstit. A do të dinë t’ju thonë ç’problematikë trajton teksti dhe kush është Blerimi? Teksti nuk përcjell asnjë informacion për Blerimin, as edhe faktin e thjeshtë që ai është i sëmurë, as për natyrën e sëmundjes së tij. Të qënurit e Blerimit në karrocë përcillet në mënyrë krejt indiferente. Edhe vetë teksti titullohet “Shporta me rrush” dhe theksi vihet më shumë tek konsumimi i rrushit sesa tek një temë tjetër e ndjeshme si personat me aftësi të kufizuar. Ky tekst do të kishte qenë një rast shumë i mirë për të folur për një problem shumë të mprehtë të shoqërisë siç është (mos)vëmendja kundrejt personave me aftësi të kufizuara. Është humbur përsëri rasti për të folur për ata, të cilët nuk mund t’i shohësh lehtësisht në rrugë, për shkak të mungesë së mjeteve për lëvizjen e tyre, për shkak të barrierave arkitektonike, por edhe për shkak të barrierave të tjera të padukshme, si heshtja.
Tekste të tjera si: “Gomari në festë”( f.73); “Thuqthuqi” (f. 77); “Në cirk” (f. 79); “Derrkuci kapet rob” (f. 111), mund të quhen pa frikë tekstet e të dëshpëruarve dhe të pashpresëve. Gomari i vetmuar dhe i shëmtuar, Thuqthuqi i përbuzur nga të gjithë për vesin e tij, Mimi llastica dhe derrckuci Cufo i tallur dhe me zemrën e lënduar, mishërojnë personazhin e pafat, i cili i gjendur fatkeqësisht në një shoqëri gjykuese, që nuk fal dhe nuk jep mundësi të para e as të dyta, është i dënuar përjetësisht në izolim, përjashtim, tallje, përndjekje.
Gomarit i duhet të vendosë një maskë, që të tjerët të mos e njohin shëmtinë tij. Por, as kjo nuk do ta shpëtojë nga përtallja dhe vetmia. Krenari, ose shkurt Thuqthuqi (megjithëse logjika zor se pranon se Thuqthuqi tingëlloka me shkurt sesa Krenari; ky është një shembull në miniaturë i shumë kundërshtive që zor se do ta ndihmojnë nxënësin në arsyetimet e mëtejshme matematikore), mbetet i tillë edhe në fund të vjershës pa mundësi shpëtimi nga vesi i tij. Në cirk, kur të gjithë presin të marrin ndonjë informacion se c’bëhet në cirk, informohemi për një duel me shkulje flokësh mes Gencit dhe Mimit. Që nga ajo ditë Mimi do të kujtohet nga të gjithë si Mimi llastica, pa mundësi kthimi apo shpëtimi, për shkak të sjelljes së saj. Çufo “largohet me zemër të lënduar duke kujtuar talljet e shokëve dhe qortimet e mësuese Mjellmës”. Të gjitha këto personazhe janë të shtypurit e shoqërisë, një shoqëri e cila i ekzektuon dhe nuk lë shpresë për falje, duke dhënë kështu vendimin përfundimtar për fatin e tyre te pandryshueshem dhe të pazgjidhshëm. Shkruan Scholes e Kellogg: “ Lexuesi i një tregimi pret, që kur të ketë përfunduar leximin të ketë arritur një gjendje ekuilibri, diçka të ngjashme me qetësinë shpirtërore, kur të gjitha mundimet janë shterruar…” (La natura della narrativa). E përsëri: “Cilësia shpirtërore, e cila shprehet me gjuhën e karakterizimit, motivimit dhe komentit dhe jo trama në vetvete është shpirti i artit të tregimit. Trama nuk është veçse skeleti, vërtetë i domosdoshëm, i cili mishërohet nga personazhi dhe ngjarjet e kështu bëhet mbështetja e duhur, në mënyrë që tregimi të marrë jetë”.
Palaçoja në shitore (f.81) paraqet shembullin me eklatant për nga çudia e temës dhe dëmi që shkakton. Një palaço ka dalë rrugëve të qytetit të blejë këpucë. Nëse tejkalojmë habinë për një palaço, i cili na shëtiska natyrshëm rrugëve të qyetit, atëherë nuk do të jetë e vështirë të pranojmë as zgjedhjen e palaços për të blerë një këpucë dhe një çizme, për më tepër të ngjyrave të ndryshme. Sa mundësi ka, që ky tekst të verifikohet në jetën e përditshme. Sa mundësi ka, që ndonjërit prej nesh t’i ndodhë të ndeshë në një palaço, i cili po blen dy këpucë të ndryshme për nga masa dhe nga ngjyra. E nëse e zëmë se kjo mund të ndodhë, atëherë duhet të pranojmë që përveç palaços duhet të dalë edhe ndonjë i çmendur tjetër, i cili do të blejë atë palën tjetër të pakombinuar, që ka mbetur për shkak të zgjedhjes së palaços. Cila është vlera e një teksti, i cili nuk ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe të përditshmen? Veç në qoftë ” vlera” e tij një ndihmesë për devijim prej rregullave. Citoj përsëri nga Gjuhësi teksti, Tefë Topalli: “ Pëërfaqëuesit e shkollës anglo-saksone-gjermanike Beaugrande/Dressler e inkuadruan tekstin në aktivitetin njerëzor; sipas tyre teksti nuk mund të trajtohet tërësisht si një përvijim morfemash apo simbolesh. Ai eshte shprehje e një aktiviteti njerëzor ku nje individ synon të krijojë një tekst dhe përgatit marrësit e tekstit në ndërtimin e marrëdhënieve të ndryshme”. (Cit. në Tefë Topalli, Gjuhësi teksti, f.21)
Në qoftë se shkolla është një ndër agjensitë kryesore të dijes së udhëhequr, e cila bazohet në sisteme, kritere, rregulla, atëherë ky tekst nuk mund të japë asnjë ndihmesë në këtë drejtim e aq me pak për edukimin e organizuar dhe kritik.
Përmbajtja e tekstit “Zhurmat e pyllit” (f.94), sikurse teksti “Në cirk”, nuk ka të bëjë fare me atë që shpallet në titull. Në tekst shkruhet për kodra e lugina të zhveshura (pra, nuk ka zhurmë gjethesh); “… kanë humbur cicërimat e zogjve”; “nuk dëgjohet më zhurma e gjinkallave”; “ sëpatat e druvarëve kanë prerë drurët e pyllit”. Pa dyshim tekstit do t’i shkonte më për shtat titulli “Heshtja e pyllit”. Përpjekja për të zgjedhur si temë edukimin ekologjik është e lavdërueshme, po mos të ishte për faktin se mungesa e organizimit e bën të pakuptueshëm këtë tekst. Nëse veprimet kalojnë nëpërmjet fjalës, atëherë duhet që fjalët ta bëjnë punën mirë. E lidhur ngushtë me veprimin politik (në kuptimin e gjërë të fjalës politikë, pra, qytetari aktive) të edukimit është vlera që Freire i atribuon fjalës: “Ajo nuk mund të ketë vetëm vlerë instrumentale, por është fjalë që lind botë të tjera…” (P. Freire, La pedagogia degli oppressi).
Në vend të përfundimit, duam t,u lëmë me poezinë “Kumbulla” nga B. Brecht:
Kumbulla
Në oborr ka një kumbull.
Aq të vogël sa s’të besohet.
E kanë qarkuar përreth
që njerëzit të mos e shtypin.
Po të mundej, do të rritej:
Të bëhej e madhe do i pëlqente.
Po nuk ka nevojë për fjalë:
i mungon vetëm dielli.
Mezi e beson që është kumbull
ngaqë kumbulla nuk bën.
Por që është kumbull duket mirë
E dëshmon gjethja që ka.
Rafaela Marteta & Albert Nikolla
Prindër.
Comments
Si nuk je lodhur qe ke bere
<p>Si nuk je lodhur qe ke bere gjithe kete shkrim, pa asnje lidhje e konkluzion logjik?</p>
Bravo ju qofte. Analize
<p>Bravo ju qofte. Analize brilante. Keta palacot nuk kane cfare t'iu mesojne femijeve nepermjet abetares, nuk mund t'iu hapin horizontin femijve ashtu sic do duhej te beneim pasi jane drite shkurter e fodulla. as qe mund t'iu krahesohet horizonti me ate te femijve..</p>
Shkrimi, me sakte studimi,
<p>Shkrimi, me sakte studimi, deshmon perkushtimin e autorëve dhe nevojen per pjesemarrjen e munguar publike në fusha të interesit madhor si arsimi. Kushdo që e lexon, a nuk konstaton:</p><p>1. Nivelin e gjymtuar profesional te institucioneve tona - të MASh me se pari, kryesuar n ga Prof. Dr. dhe të perfaqesuar nga dhjetra nepunes komisionesh kualifikuese, që paguhen per te certifikuar botimet tona shkollore të perçudnuar. </p><p>2. Nivelin mjeran te mendimit akademik/universitar - perfaqësuar ketu nga një prej autorëve te Abetares, dekan i filologjsë - qe pasi ndriti Abetaren, po ndrit dhe politiken.</p><p>3. Nevojen per politka arsimore te menjehershme per reformimin e të famshit Alerteks, krenati e Z. Pollo & Co.</p><p>4. Mbi sa me siper, forcen marramendese te korrupsionit ne arsim. Dhjetra te ashtuquajtur botues, qe kane lene tekstet shkollore per te shkeqyer ne krijimi i 'lidhjeve te shkurtra' me garantet e parave publike, ndryshe ministra tanë ?</p><p>Eshte pak falenderimi per autoret e studimit. </p>
Add new comment