A është popull Lulzim Basha
Në deklaratën e tij të fundit për media lidhur me protestën e parashikuar të ditës së enjte, 12 mars, në Tiranë, shefi juridik i PD-së, nga selia shqupase deklaroi se “të enjten do i tregojmë Edi Ramës dhe Ilir Metës se ç’do të thotë të jesh popull”.
Dy gjëra të shkojnë ndër mend fillimisht, kur lexon këtë deklaratë tejet populiste të një pinjolli politik që as vetë nuk e di se çfarë rruge ka bërë për të qenë aty ku është dhe kur është votëbesuar nga populli.
Pyetja e parë: A është popull Lulzim Basha? Sepse të tregosh se çfarë është populli, në radhë të parë duhet të jesh vetë pjesëz e tij, të jesh, si të thuash, njëri nga ata që do të protestojnë.
Pyetja e dytë: Vërtet nuk e dinë Edi Rama dhe Ilir Meta se çfarë është populli dhe si kanë arritur në majën e pushtetit? Sepse të jesh shef i qeverisë, do të thotë të kesh më shumë se sa dëshirë për të qenë i votëbesuar, do të thotë të të ketë deleguar dikush në atë post dhe të të ketë besuar se mund të ndryshosh diçka në të mirë të tyre. Në zyrën e shefit të qeverisë nuk të delegon as Fazlliçi, as lobi serb në Tiranë e në Kosovë, as dhuna e as lobistët e kudo qofshin.
Të dy pyetjet meritojnë një përgjigje sado të shkurtër.
Përgjigja e parë:
Lulzim Basha dhe partia e tij shqupase kanë të drejtën gjithë ditën e ditës të protestojnë. Të protestojnë për çfarë të duan: Për ujin që vërshon, për Shkodrën e kthyer në veneciane, për të plagosurit e Gërdecit, për të vrarët e asaj dite dhe të 21 janarit; kanë të drejtë të protestojnë për paditë ndaj ushtarëve të UÇK-së dhe liderëve të saj; për ‘shtëpinë e verdhë’ që ia bënë dhuratë një proserbi të thekur; për rrugën e Kombit ku u zhdukën 230 milionë euro dhe “zhdukësi” i iku dënimit përmes një procedure fatale, miope dhe të lexueshme nga të dy anët; nga vetë ai dhe nga seksioni politik i PD-së në prokurori dhe në gjykatë.
Por Basha mund të protestojë edhe për gabimet e gjynahet e qeverisë së sotme, sidomos që nuk po e mban fjalën për ndëshkimin e krimeve dhe të gropës financiare përmes një korrupsioni të tmerrshëm që ishte dhe që ka lënë pas vetes shenjat e dukshme; mund të protestojnë për vonesat në mbajtjen e fjalës së dhënë, sepse askujt nuk i pritet deri sa të gjitha të bëhen brenda tri ditëve, si me shkopin magjik… e në fund të fundit mund të protestojnë edhe për ngjarjen e Tom Doshit, si një alibi për të nxjerrë njerëzit në rrugë. Është e drejta e tyre, megjithatë, për këtë të fundit ata mund të kishin protestuar edhe tre muaj më parë, atëherë kur shefi faktik i shqupasve, SB, e kishte ditur se do të vriteshin dy deputetë.
Pra, rrugët për protesta janë të shumta dhe arsyet po ashtu. Por vetë ai, a është popull?
Pasuria e Bashës, e rritur në shifra të një proporcioni gjeometrik, dhe e shtrirë në shtete të ndryshme, deri në Hollandë, është ende enigma që duhej të kishte zgjedhur me kohë e me vakt shteti shqiptar, por edhe një ndarëse e pamasë mes tij dhe popullit. Zoti më ruajtë, unë nuk mund të them se një njeri i politikës duhet të jetë i varfër, por të paktën duhet të ketë pasuri të ndershme. Në kohën kur njerëzit do të jenë në rrugë e sipër për të qenë pjesë e protestës, Basha do të mund të sodisë me “krenari” koleksionet e shtrenjta të bizhuve, pikturave, orendive, orëve… dhe pastaj të na mbushë mendjen se të gjitha i bëri me paratë e fituara në Kosovë ndershmërisht.
Autori i këtij shkrimi, modestisht më lejohet të them, është që në vitin 1993, i përfshirë i gjithë në lëvizjen shqiptare çlirimtare në Kosovë dhe për disa kohë ka pasur një rol drejtues kryesor. Pas luftës, për shumë kohë, ai ka punuar e vazhdon të punojë për një nga institutet e rëndësishme që merren me Kosovën, por e di krejt mirë se me paratë e fituara, megjithë punën e bërë, nuk mund të sigurojë më shumë se një banesë modeste, edhe kjo e financuar nga shteti. Nëse Kosova do të kishte qenë një djep floriri, si doli se ishte për Bashën, të gjithë kolegët e tij tani do të ishin duke notuar në vaska floriri, që aq shumë i pëlqejnë shefit dhe nunit të tij politik.
Të jesh “popull” , çka Basha do i tregojë qeverisë të enjten, do të thotë se të paktën një herë e ke ndjerë dhimbjen e tij. Cilën dhimbje ka ndjerë Basha deri më tani? Të vrasjes së katër vetëve para selisë qendrore të qeverisë shqiptare, i fshehur pas xhamave të blinduara, duke i fërgëlluar zemra nga emocioni i një rasti të veçantë? Askush nuk e di një rast kur ai vetë ose të afërmit e tij kanë qenë pjesë e dhimbjes së njerëzve të zakonshëm, veç kohës kur u është dashur të inskenojnë se po u dergjet shpirti. Zakonisht njerëzit e linjës së djathtë në politikë nuk rëndohen shumë nga populli, sepse nuk u përkasin njerëzve të vuajtur, ndërsa tani Basha, si një shfaqje dykrerëshe, gjysmë i majtë dhe gjysmë i djathtë, kërkon të mësojë nocionin popull, çka, deri tani, por e sigurt se edhe në të ardhmen, nuk do e dijë kurrë.
Përgjigjja e dytë:
Që Edi Rama dhe sidomos Ilir Meta kanë humbur shumë nga nocioni popull, kjo është e vërtetë. Sado të duket se kjo nuk mund të qëndrojë, përsëri kjo ka në fakt disa të vërteta, të cilat nuk mund t’i fshehësh, e aq më pak t’i injorosh. Por kanë qenë dy shkaqet madhore që e kanë sjellë Edi Ramën në qeverisje dhe, më pas edhe Ilir metën si një pjesë e njohur e lojës politike.
Edi Rama erdhi në pushtet, (dhe do të kishte ardhur që në vitin 2009 nëse nuk do të kishte qenë pushteti anti-popull i Bashës me shokët e tij), sepse kishte besimin se vetëm ai mund të bënte kthesën e pritur që prej 25 viteve. Duan apo nuk duan shqupasit e sotëm, ai erdhi në pushtet pikërisht nga besimi njerëzor tek ai, si një pikë referimi për të saktësuar një herë e mirë se cilën rrugë do të ndjekë vendi ynë: Drejt obskurantizmit apo drejt Oksidentit. Besimi ndaj tij ishte aq shumë sinjifikativ, saqë e bënte të pamundur manipulimin e votave, çka kishte ndodhur në vitin 2009. Pra, Rama nuk erdhi në pushtet se ia deshi qejfi, se të bëhen shef qeverie duan shumë veta, por sepse njerëzit i besuan atij. Njerëzit në këtë rast, kur janë shumicë aq e madhe, quhen popull. Rama erdhi në pushtet edhe pse njerëzit e thjeshtë, që përsëri quhen popull kur janë në një masë aq të madhe, ishin aq të lodhur nga arroganca, makutëria dhe agresiviteti i një qeverie, sa që besoj se do të kishin votuar edhe në një masë më të madhe, nëse nuk do kishte ndërlidhje interesash të shumta me lëvizjet e ditëve të fundit para 23 qershorit.
Pra, Edi Rama e di se çfarë është populli, ashtu si e di edhe Berisha se çfarë do të thotë të biesh në hasmëri me popullin.
A është Basha popull? Nëse po, atëherë i bie që populli të mos jetë popull, por turmë. Që populli nuk është turmë, këtë e di edhe Basha. Por, duke pasur gjithë të drejtën për të protestuar ditën e natën, për çka t’i mbushet mendja atij, duhet t’i kujtohet se në memorien e njerëzve nuk janë shlyer ende gjynahet e një të shkuare shumë të afërt.
Dita
Comments
Keni fillu te merrni artikuj
<p>Keni fillu te merrni artikuj nga letra higjenike DITA e cunave te Arta Dades? Hajde urime :)</p>
Niveli teper i ulet si
<p>Niveli teper i ulet si shkrim. Jo pse ka share Bashen, por sepse perdor nje stil teper vulgar te peqasjes se fakteve dhe argumentave.</p>
A eshte popull Bedri Islami?
<p>A eshte popull Bedri Islami?</p>
Add new comment