A është pakësuar evazioni fiskal?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/5486_vlcsnap-000091-640x340_11.png?itok=DJ1TRWYr)
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) nuk është gjë tjetër veçse vlera e shtuar nga ekonomia e një vendi gjatë një periudhe të caktuar kohe. Për rrjedhojë, në një vend si Shqipëria, ku tatimi mbi vlerën e shtuar (TVSH) është pothuaj i sheshtë – 20% – teorikisht, 20% e PBB-së do të duhej të futej në Thesarin e Shtetit si e ardhur nga TVSH-ja. Por në realitet, për shumë produkte e shërbime nuk aplikohet TVSH-ja. Për shembull, shumë nga produktet bujqësore nuk kalojnë nëpër sitën e TVSH-së. Gjithashtu, shërbimet publike i ofrohen publikut falas – pra, nuk kalojnë nëpër sitën e TVSH-së.
Po sa përqind e PBB-së shqiptare (vlerës së shtuar gjatë një viti) arkëtohet nëpërmjet tatimit të vlerës së shtuar?
Në vitin 2013, PBB-ja ishte 13.65 miliardë dollarë ($1=100 lekë) dhe të ardhurat nga TVSH-ja ishin 1.08 miliardë dollarë. Pra, tatimi mbi vlerën e shtuar ishte sa 7.9% e vlerës së shtuar, nga 20% që është tavani teorik.
Në vitin 2014, përjashtimeve nga TVSH-ja iu shtuan edhe ato për produktet farmaceutike e mjeksore. Pra, në qoftë se evazioni fiskal do të kishte mbetur në nivelin e 2013-ës, përqindja e TVSH-së ndaj PBB-së do të duhej të ishte më pak se 7.9%. Por sa ka qenë gjatë këtij viti?
Megjithëse viti ende s’ka mbaruar, kemi vlerësime paraprake nga FMN-ja, të cilat i ka bërë në fund të nëntorit. Kështu, FMN-ja është e bindur se rritja në vëllim e PBB-së për vitin që po mbyllet do të jetë 2%. Gjë që do të thotë se vlera nominale e PBB-së në 2014-ën do të arrijë 14.1 miliardë dollarë ($1=100 lekë). Gjithashtu, FMN-ja është e bindur se të ardhurat nga TVSH-ja do ta arrijnë objektivin 1.26 miliardë dollarë – deri në fund të nëntorit ishin arkëtuar 1.14 miliard dollarë. Pra, në qoftë se bindja e FMN-së do të verifikohet në ditët që kanë mbetur deri në fund të vitit, tatimi mbi vlerën e shtuar në 2014-ën rezulton sa 8.9% e vlerës së shtuar (PBB-së).
Duke krahasuar përqindjen e vjetshme (7.9%) me të sivjetshmen (8.9%), mund të konkludohet se të paktën 141 milionë dollarë më shumë TVSH është arkëtuar thjesht nga pakësimi i evazionit fiskal. Thënë ndryshe, mund të konkludohet se të paktën 705 milionë dollarë PBB më shumë se vjet ka kaluar në sitën tatimore.
Per vitin 2015, TVSH-ja eshte parashikuar te jete sa 9.1% e PBB-se.
Add new comment