Çmitizimi apo degradimi i festave?!
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/1390_image_1659.jpg?itok=NhZNwMmC)
Çdo vit në 8 dhjetor, tashmë prej një çerekshekulli, shqiptarët i kanë kthyer sytë drejt ngjarjeve të Qytetit Studenti, të vitit 1990, të cilat shënuan rënien e sistemit komunist në Shqipëri dhe fillimin e pluralizmit politik. Axhenda zyrtare thotë se kjo është gjithashtu edhe Dita Kombëtare e Rinisë. Një aludim i qartë dhe domethënës për rolin që rinia e kohës luajti në rrëzimin e sistemit.
Me kalimin e viteve, ka një kriticizëm e alergji në rritje për festimet protokollare, jehonën e mediave, apo në përgjithësi për përkujtimin që i bëhet asaj që ndodhi 24 vjet më parë në periferi të Tiranës, në Qytetin e Studentëve. E kuptueshme, në aspektin e lodhjes që shkakton një ritual që përsëritet çdo vit. Por e pakuptueshme dhe pse jo e padrejtë, për përqeshjen e personazheve dhe evenimenteve që u konsumuan në ato ditë të ndërrimit të botëve në atë cep të kryeqytetit.
Nuk ka asnjë arsye që për ngjarjet historike të flitet me përçmim, ashtu siç ekzistojnë të gjitha arsyet e kësaj bote që me to të mos abuzohet, duke i kthyer në fetishë të panevojshëm e qesharakë dhe duke mos i fryrë artificialisht, tamam si ata dordolecët e fushave të misrit. Mes të dyja qëndrimeve ka gjithmonë në mes një logjikë të thjeshtë, por solide, që thotë se e shkuara duhet gjykuar në kontekstin e saj historik, pa e krahasuar mekanikisht me të tashmen. Sublimimi nga njëra anë dhe degradimi nga ana tjetër, përbëjnë që të dyja një ridimensionim të dhunshëm të asaj që ka ndodhur, duke bërë të shtrembërohen faktet dhe të ngatërrohet e mira me të keqen.
Ajo që ndodhi me përkujtimin e ngjarjeve të dhjetorit të vitit 1990, është krejt e ngjashme me mënyrën sesi përkujtuam një tjetër ngjarje të madhe, shumë më të hershme: 70-vjetorin e Luftës së Çlirimit të vendit. Në mjaft raste i njëjti snobizëm, e njëjta tallje dhe të njëjtat batuta (na u bënë këta dhjetoristët si veteranët), dëshmojnë në fakt jo ngjashmërinë mes këtyre dy momenteve të rëndësishme në historinë tonë të shekullit të 20-të, por banalizimin e panevojshëm që pëson historia, kur shihet me paragjykim, përçmim dhe nihilizëm. Festat duhen çmitizuar, por s’ka pse të degradohen.
Kur etapat historike bëhen lëmsh, kur ngjarjet përzihen e kapërthehen qëllimshëm, ajo që del është një çorbë e pangrënshme. Nuk është faji i atyre që luftuan në male, ose i studentëve që deshën pluralizmin, që më vonë këto akte u deformuan nga interesat politike dhe prodhuan pasoja të dhimbshme për shqiptarët. Pa i hyrë krahasimit të dy epokave mjaft të ndryshme mes tyre, në parim është e padrejtë të fajësohen nismëtarët e proceseve, për deformimin e mëvonshëm të vetë proceseve.
Larg batutës dhe humorit, me trutë e sotëm, në shkallaret dhe rrugicat e ngushta të Qytetit Studenti, në dhjetor të vitit ’90, nuk do të kishte vend as për të “hedhur kokrrën e mollës”. Kushedi sesa karrieristë, servilë, interesaxhinj të tjerë, ose trima të “orës së fundit”, do t’i ishin ngjitur me vrap asaj kodre, po ja që s’e bënë. E shkuara nuk kthehet dot më pas.
Gjithashtu, me perceptimin që ne kemi sot për ngjarjet e dhjetorit ’90, shumë prej atyre që asokohe i vinim në piedestalin e historisë, do t’i kishim parë me një sy krejt tjetër. Emra?! Janë kaq të njohur, sa nuk ka nevojë t’ia nisësh me lista.
Rënia e komunizmit ka qenë një proces i pashmangshëm historik, që do të vinte, me ose pa transformatorët e djegur të Qytetit Studenti. Me ose pa qindrat e djemve dhe vajzave, të cilët në ato orë nuk kishin asnjë axhendë politike, asnjë lidership të identifikuar si të tillë. E për pasojë, asnjë ambicie për të ngjitur shkallët e pushtetit të ri. I cili në atë moment s’kishte as formë, as seli, as program dhe as ndonjë fytyrë të përcaktuar.
Që pjesëmarrja e tyre u keqpërdor më vonë si trampolina e disa dhjetëra, ose qindra karrierave që bënë (e vazhdojnë të bëjnë) kërdinë me fatet e shqiptarët, kjo nuk njollos aspak pikën iniciale të procesit të daljes së Shqipërisë nga totalitarizmi. Ky nuk është faji, por merita e studentëve. Të cilët në shumicën dërrmuese të tyre, as kërkuan dhe luftuan për ndonjë pushtet çfarëdo. Sepse në atë moment kishin dalë në rrugë për ta destabilizuar pushtetin dhe për t’u tallur me të.
Madje edhe vetë nocioni i keqpërdorimit është tejet relativ dhe nuk qëndron. Sepse, sado gri dhe me probleme që ishte tranzicioni postkomunist i 24 vjetëve të fundit, nuk ka asnjë garanci se po të ndiqej një rrugë tjetër, fjala vjen një “revolucion pallati” i dirigjuar nga PPSH, rrjedha e ngjarjeve do të kishte qenë më e mirë.
Shqipëria u provua si një vend që nuk ishte i gatshëm të ndërtonte një shoqëri demokratike liberale të tipit perëndimor. Ky është një konkluzion që ne e kemi arritur me një çmim shumë të lartë mbi kurrizin tonë në këto dy dekadat e fundit. Por historia nuk na ka asnjë faj, në paditurinë tonë kombëtare për të ndërtuar gjënë e duhur, për të kapur shanset që ajo ofron, për të qenë syçelë e jo mendjembyllur. Si i tillë, dhjetori i vitit ’90 vijon të jetë një okazion i madh. Që nuk u pasua nga një përfitim po aq i madh. Jo sepse ata që dolën atëherë në mënyrë naive nga dhomat e tyre të errëta, kishin ndonjë faj për kauzën e humbur të mëvonshme, por sepse vetë Shqipëria nuk qe e aftë të ndiqte rrugën e duhur. Megjithëse u ndodh në vendin e duhur dhe në momentin e duhur, 24 vjet më parë.
"Shqip"
Add new comment