Të mos fshihemi pas Viktor Gushit
Viktor Gushi, grabitësi që vrau me gjakftohtësi arkëtaren Leonora Kaloçi vepronte në rrethana të sofistikuara… i studionte dhe i kryente grabitjet e bankave i vetëm… nuk përdorte makinë dhe as celular… hante bukë me kos dhe flinte në makina të braktisura, por shpenzonte miliona në loto…”
Pas më shumë se një jave të shkuar që nga arrestimi i serialgrabitësit Viktor Gushi, ky është më së shumti profili kriminal që i është hedhur për konsum shoqërisë shqiptare, qoftë nga autoritetet e ruajtjes së rendit, qoftë nga mediat e shkruara dhe televizive. Përgjithësisht po krijohet përshtypja se shoqëria është duke e përtypur këtë skicë të portretit të grabitësit të bankave dhe duke e kapërdirë me shijen e justifikimit ndaj autoriteteve të rendit, pasi sipas kësaj logjike ata, të paktën në rastin e Viktor Gushit, e kishin shumë të vështirë që ta identifikonin dhe arrestonin, edhe pse bëhej fjalë për 16 grabitje bankash e arkash në harkun kohor të 4 viteve, edhe pse disa prej tyre i kishte sulmuar tri apo katër herë radhazi.
Për habi, opinioni u bë dëshmitar i fare pak komenteve më këmbëngulëse. Pothuaj askush nuk mori në analizë situatën aktuale kriminale në vend dhe sërish askush nuk ngriti pyetjen: “Mor, po ky grabitës serial i bankave, na ra nga qielli, apo është pjellë natyrale e një situate alarmante të rritjes së kriminalitetit në të gjithë zërat e tij, që nga vjedhja e xhepave deri tek ekzekutimet sipas metodave më mafioze?”
Shifrat zyrtare, edhe ato të Policisë, edhe ato të Prokurorisë, flasin për një shtim në masat deri në 30 për qind të pothuaj të gjitha veprave penale në vitet 2010, 2011, duke ruajtur të njëjtën panoramë edhe në muajt e parë të 2012. Pra, nëse në vitet 2008 dhe 2009 kishim, për shembull, respektivisht 88 dhe 79 vrasje, në vitet 2010 dhe 2011 kemi përkatësisht 118 dhe 119 vrasje, pra 40 më tepër, ose 30 për qind. Të njëjtin intensitet të dy viteve të fundit ruan numri i vrasjeve, por edhe krimeve të tjera edhe gjatë 3-mujorit të parë të 2012. Prokuroria, në raportin e saj para Kuvendit për kriminalitetin gjatë vitit 2011, i mëshoi fort “rritjes së numrit të vrasjeve dhe vjedhjeve gjatë 2011”, duke theksuar se “zbulueshmëria e krimeve është ulur vit pas viti, se vazhdon të ketë probleme në zbardhjen e krimeve të rënda, se ka mangësi të theksuara në grumbullimin e informacioneve cilësore dhe të besueshme në terren…”. Sigurisht që këto “ankesa” të Prokurorisë bëhen më bindëse, po të rendisësh pranë tyre konkluzionet e misionit PAMECA III (Misioni i Asistencës Policore të Komunitetit Europian në Shqipëri) për vitin 2011. Në draft-raportin e këtij misioni për 2011 thuhet: “…paaftësia, mungesa e bazës teknike dhe mjeteve, si dhe korrupsioni, influenca e politikës, ndërhyrjet nga persona me pushtet dhe niveli i ulët i pagave, janë pengesë në rezultatet e policisë… Procesi i mbledhjes së informacionit nuk është eficient… ka mungesë të dëshirës së shefave për të siguruar një ‘furnizim’ të rregullt dhe në rritje me informacione…”
Pikërisht shifrat alarmante, konkluzionet e Prokurorisë dhe të misionit të KE, vërtetojnë mbase panoramën më të shëmtuar të sigurisë publike në Shqipëri të paktën të 10 viteve të fundit. Por situata mund të bëhet edhe më katastrofike nëse do të besojmë akuza të Prokurorisë, sipas të cilave policia nuk i raporton fare një numër të konsiderueshëm vjedhjesh, sidomos të banesave, autoveturave e të tjera të ngjashme, me qëllim që të kurojë apo më saktë falsifikojë statistikat për të paraqitur një realitet të pranueshëm të kriminalitetit e, për rrjedhojë, edhe për të reklamuar një punë të kënaqshme të strukturave të rendit.
Po të besosh këtë situatë, qoftë përmes shifrave, qoftë të reklamuar nga Prokuroria apo edhe nga misioni i KE, mund të vish menjëherë në përfundimin se rasti i mosidentifikimit të Viktor Gushit, edhe pas 16 grabitjesh radhazi në banka, ka shërbyer vetëm sa për të cimbisur lëvoren e gënjeshtërt të imazhit të situatës kriminale, për të zbuluar trungun e së vërtetës, krejt të vrimëzuar nga krimbat.
Sigurisht që referuar sociologjisë, por edhe kriminologjisë, rritja e kriminalitetit ka lidhje së pari më shkaqet ekonomike, me varfërinë e shtuar, në rastin aktual edhe me krizën që duket ka nisur të pllakosë. Më tej, së dyti, si në pak vende të tjera të Botës, në rastin tonë, e njëjta situatë alarmante kriminale ka lidhje me zakonet e traditat, thënë më thjesht, me mënyrën e funksionimit të mendjeve tona dhe së fundi ka lidhje me punën e dobët të organeve të rendit. Dhe nëse të tentosh të kurosh plagët e krizës ekonomike mund të jetë një mision i ndërlikuar, që kërkon shumë kohë dhe impenjimin jo vetëm të faktorëve që mund të lëvizë shoqëria jonë, historia e 20 viteve postkomunizëm ka treguar se iniciativa të ndryshme të elementëve të caktuar në krye të politikës, por edhe performanca të individëve të zotë në radhët e policisë, kanë treguar me fakte e shifra se mund të ndërhyjnë me sukses, qoftë në tkurrjen apo frenimin e përkohshëm të tendencës kriminale në mendjet tona, qoftë në ngritjen cilësore të punës së Policisë.
Me pak fjalë, politika dhe në një vijë me të edhe Policia mund të gjenerojnë në vetvete dëshirë dhe forca për të përmbysur këtë situatë. Mjafton të kujtojmë (përmendur edhe nga misioni PAMECA III) rezultatin 100 për 100 të zbulueshmërisë së krimit në një rreth të madh dhe problematik pranë Tiranës në ndërkohën e parë të qenies në krye të Ministrisë së Brendshme të ministrit aktual, zotit Bujar Nishani. Një rast kuptimplotë që thotë se ekzistojnë elementë, qoftë të klasës politike, qoftë në radhët e policisë, të cilët punojnë për shtetin dhe vetëm për shtetin. Për fat të keq, në dy vitet e fundit, në të njëjtin rreth ka 8 vrasje të pazbardhura, gjysma sipas stilit mafioz. Po kaq alarmante paraqitet gjendja edhe në Tiranë, ku dy grupe kriminale të njohura, madje nuk është e gabuar të thuhet “legjendare”, po i hanë kokën njëri-tjetrit, duke prodhuar në pak kohë rreth 10 vrasje e tentativa vrasjesh të stilit mafioz, pothuaj që të gjitha të pastra, pra të pazbardhura nga Policia. Sigurisht, në përkeqësimin e kësaj panorame kriminale ka mëkatet e veta edhe politika, që për qëllimet e saj nxit turmat të qëllojnë në sytë e gjithë shqiptarëve, pra live në TV, policët kokës me gurë të formatit vrasës, luajnë rol edhe ekzekutimet live në TV të protestuesve nga Garda e Republikës, por mëkate të së njëjtës vlerë kanë edhe Prokuroria dhe sidomos gjykatat, kur, përmes përfoljes së përfshirjes në korrupsion, kanë lënë të lirë, apo këtë janë duke e bërë, pothuaj të gjithë kriminelët VIP që kishim në burgje, të njëjtët që kanë larë me gjak shoqërinë tonë dhe që më tej u kanë kushtuar strukturave ligjzbatuese të shtetit një djall e gjysmë për t’i vënë në pranga.
Sigurisht, një situatë e tillë kaotike, ku ligjin nuk e do e nuk e përfill askush, provokon rritjen e kriminalitetit. Sepse dihet që krimi ka nuhatje të lavdërueshme për të kuptuar se kur duhet të hidhet në veprim dhe kur duhet të tërhiqet. Të mos harrojmë që në vitet 2005-2006 impakti i arrestimeve të pabesueshme dhe spektakolare të super të kërkuarve Aldo Bare, Lulzim Berisha apo Izet Haxhia, shoqëruar me një punë të kënaqshme të strukturave të Policisë në gjithë vendin, provokoi një situatë të kundërt, pra një ulje të pashembullt të kriminalitetit në gjithë vendin.
Rikthyer në rastin aktual, na mbetet vetëm të shpresojmë se arrestimi me ndihmën e mediave dhe komunitetit i Viktor Gushit do të frenojë për pak javë grabitësit e bankave në Tiranë, qoftë në gjithë vendin. Po kështu arrestimi mund të shërbejë si impakt pozitiv në banorët e Tiranës dhe jo vetëm, për t’u dhënë zemër të ngrenë telefonin dhe t’i bien më shpesh dhe me më pak frikë numrit 129 të Policisë, sa herë që shohin një vepër kriminale apo ekzekutuesin e saj. Por askush të mos gënjejë veten dhe të tjerët që ky arrestim të ketë një impakt më të fortë se kaq. Sepse Viktor Gushi nuk na ra nga qielli. Ai është pjellë natyrale e një situate alarmante të kriminalitetit në Shqipëri, të favorizuar edhe nga ulja e zbulueshmërisë së veprave penale nga ana e organeve të rendit.
Në fund të fundit, Viktor Gushi nuk është më shumë se një produkt autentik i shoqërisë sonë, i ngjashëm me plot të tjerë bashkëkombës, që sillen rrugëve pa asnjë mundësi për të kapur minimalen e jetës që perceptojnë dhe më tej dëshirojnë, pa asnjë kacidhe në xhep dhe me pothuaj të gjitha ëndrrat të djegura.
Panorama
Add new comment