Shkrimtarë e shkencëtarë!

Postuar në 10 Shtator, 2012 05:12

Pse s’flasim kurrë për atë që na dhemb. Për atë që të tjerët na e thonë dhe ne nuk duam ta bisedojmë. Për hullinë e madhe dhe nëse doni edhe të tmerrshme që ndër ne mbretëron. Ku është esenca? Çka e bën një komb, një shtet dhe qytetarët e tij? Elitat politike? Jo. Janë elitat tjera. Ato të thellat dhe pandalurat. Që ne thjesht nuk i kemi. Ose ashtu siç i kemi më mirë të mos i kishim pasur fare. Për shkencëtarin dhe shkrimtarin.

Që të dy këta, për ca kohë, kishin lënë punën dhe profesionin e tyre për të kaluar në një botë tjetër. Atë të politikës. Problemi natyrisht qëndron aty që tek ne kjo puna e politikës është e lidhur shumë me patosin, kombin, çështjet e pakryera politike të mbijetesës dhe konflikteve ndëretnike. Së paku në sy të opinionit duhet të duket ashtu. Sepse megjithatë politika si politikë që di të jetë, edhe në këso angazhimesh e akrobacionesh, me apo pa rëndësi në kohë të ndjeshme (e kur na qenka koha jo edhe e ndjeshme!?) nuk është gjë tjetër pos politikë, pra luftë për të mbijetuar dhe ushtruar forcën (mundësisht legale) të udhëheqjes me institucione dhe parti.

Është e tepërt të flas këtu për të gjithë shkencëtarët dhe shkrimtarët tanë (në krejt hapësirën e Evropës Juglindore dhe sidomos tek shqiptarët) që lëshuan laboratoret, klinikat, studiot e punës dhe lexuesit e librave të tyre… për t’u katapultuar në sheshe dhe rrugë për peshkim votash, apo kryeqytete bote për të dhënë shkëlqimmjerimin e vendeve prej nga vijnë.

Edhe në këtë drejtim shqiptarët, kundruall fqinjëve të tyre të tjerë, janë më tepër se vonë. Sepse nëse serbët, kroatët, malazeztë dhe të tjerët kishin kryetarë shtetesh e partish ish-shkrimtarë dhe ish-shkencëtarë, sot këta i kanë kaluar ato faza të cilat gjithsesi nuk u shpikën nëpër luginat e ngushta dhe të thepta ballkanike por u morën nga evropianët.

Tek ne shqiptarët, shkencëtarët dhe shkrimtarët ishin deri dje dhe për fat të keq janë edhe sot e për mot politikanë të cilët me instrumente të tyre të cilat janë më tepër nga logjistika e profesionit të tyre të mirëfilltë sesa të qenit politikanë vazhdojnë të na mbajnë me një frymë. Duke u shërbyer kështu me shitjen e vetësakfrifikimit (le ta kujtojmë atë fjalinë e famshme: “kam lënë profesionin për kombin dhe shtetin”), kjo klasë e re politike e cila në tokat e shqipeve të Ballkanit tashmë na është bërë si një Mantel i Gogolit nga i cili edhe po qe se duam, nuk po mundemi dot të shkëputemi, të ndahemi.

Një argument që prototipi i shkencëtarit e shkrimtarit zakonisht dhe përjetësisht e përdor në jetën tonë politike është ai që kastat dhe profesionet tjera shoqërore nuk janë pjekur, nuk kanë brumë, nuk kanë prapavijë të mjaftueshme që të merren me punët e kombit. Pjesërisht, e përsëris, pjesërisht ky argumentim edhe ka qëndruar. Por vetëm për një kohë të shkurtër. Atëherë kur nuk shihej që shtresa tjera shoqërore në kohë traumatike dhe transicionesh të mëdha nuk kishin kapacitetin të kacafyteshin me ato çaste të rënda.

Por pasi edhe ne shqiptarët tejkaluam megjithatë me fat dhe faqe të bardhë ato kohë, në shoqërinë shqiptare, shtresat tjera nga fusha e drejtësisë (judikaturës) dhe ekonomisë (financave dhe punës e parasë) disi nuk kanë mundur ta zënë hapin kundruall demagogëve të përkryer dhe të personifikuar si shpëtimtarë kombi…

Problemi është aty që shqiptarët, në këtë fillimshekulli do të duhej ta kuptojnë që kanë kaluar kohërat e trandjeve të mëdha. Që shtetet dhe politikat e tyre tashti nuk janë më asgjë e veçantë kundruall krejt fshatit global. Kjo do të thotë që në këtë fshat global duhet sjellë normalisht- si krejt fqinjët tjerë. Pra, koha e kohërave dhe çasteve të jashtëzakonshme ka perënduar. Shqiptarëve më nuk u duhen kurrfarë politikanësh që vijnë as nga shkenca as nga letërsia.

Shqiptarëve u duhen thjesht politikanë që profesionin e tyre do të duhej ta shohin, përjetojnë dhe praktikojnë si krejt profesionalistët tjerë të kësaj bote. Pra, ka ardhur çasti që shkencëtarët dhe shkrimtarët tanë, që bota e njohur ndryshe edhe si botë shpirtërore e një kombi, ta shohin dhe ndjejnë çastin që më nuk është koha e tyre. Që shqiptarët, si shoqëri kanë arritur në stadin kur në fushën e politikës dhe ndërtimit të demokracisë, rruga t’u hapet njerëzve që politikën duan dhe duhet ta ushtrojnë si profesion pa asnjë ekuivok tjetër që bart bagazhe të ca izmave të cilat duhet parë si të tejkaluara.

Në anën tjetër, jemi duke parë dhe përjetuar që as këta të krahut tjetër, këta pra që nga drejtësia e ekonomia (fushat këto më të afërta me politikën) nuk janë edhe aq… duke lulëzuar në bërjen e punëve të shtetit apo shteteve ballkanike shqiptare. Por kjo nuk do të duhej të shqetësonte edhe aq shumë. Sepse po këta politikanë të rinj e të moçëm që vijnë nga këto fusha janë shumë robust kur politika është në pyetje dhe kjo do të thotë që edhe dinë të shkojnë dhe vijnë më lehtë. Më mirë dhe më normalisht.

Po çfarë të bëjmë në këtë meso-kohë. Në këtë kohë kur po shkon prototipi i shkencëtarit dhe shkrimtarit nga politika në laborator apo pension? Duhet të bindemi që nuk është ndonjë risi që fjalën e kanë (ish)ushtarakët. Kjo nuk është një risi. Përkundrazi. Edhe kombe tjera, shumë të fuqishme, kanë kaluar nëpër këto faza. Gjithsesi, dekada më parë…

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.