Ridënimi
Një grusht të përndjekurish politikë kanë 20 ditë në grevë urie. Dy prej tyre janë vetëndezur si pishtarë, por shqiptarët nuk po ndriçohen dhe prandaj as nuk bëzajnë. Vazhdojnë jetën, punët (nëse kanë), pazaret dhe hallet e tyre, si të mos kish ndodhur asgjë. Besoj se fjalosen edhe nëpër bare e kafenera për vetësakrifikimin e Gjergj Ndrecës dhe të Lirak Bejkos ndoshta me të njëjtën ftohtësi dhe indiferencë si të komentonin për një çështje mjaft të largët, në një tjetër kontinent. Grevistët e urisë kanë ditë që i bëjnë thirrje qytetarëve t’u bashkohen protestës së tyre. Por më kot. Dje një grup militantësh të Aleancës Kuqezi, u solidarizuan me të përndjekurit në një protestë të zjarrtë para Kuvendit. Veç ishin aq pak sa e bënë edhe më të thekshme braktisjen. Po, shqiptarët i kanë braktisur përsëri të përndjekurit. Tamam si nën komunizëm. Si atëherë kur ata vuanin burgjeve, sepse kishin shprehur pakënaqësi për një regjim që shqiptarët do ta përmbysnin duke e mallkuar, vetëm pasi e kishin duartrokitur për 45 vjet. Do t’i jepnin të drejtë të përndjekurve duke mos kuptuar se duartrokitjet e tyre për Enverin, se uniteti i çeliktë me Partinë, kishin qenë alibia e regjimit dhe e qeverisë së tij, për të prangosur dhe vrarë të përndjekurit në emër të “popullit”. Sot shqiptarët po përsërisin të njëjtin krim. Po i braktisin të përndjekurit, po i lënë vetëm përballë qeverisë që i akuzon pikërisht si qeveria komuniste dje, se janë armiq politikë të saj, se po bëjnë një grevë të motivuar politikisht kundër qeverisë së ligjshme të votuar nga “populli”! Është një kalbëzim i gjerë dhe i thellë moral. Po kush është shkaku i tij?
***
Do ta kërkojmë te një analizë e Fatos Lubonjës në librin e tij të mrekullueshëm “Ridënimi”. Dhe shkruan Lubonja: “Në vitet e para pasi erdhën në pushtet komunistët, Shqipëria kishte parë plot gjyqe ku të pandehurit kishin qëndruar burra. Ishte një kohë kur pushtetarët e rinj ende nuk kishin arritur të vendosnin autoritetin, kur bashkëqytetarëve të tyre ende nuk u besohej se ata njerëz, me të cilët deri dje kishin jetuar në paqe e që i kishin parë si njerëz të zakonshëm, madje shpesh edhe pa vlerë, të mund të ktheheshin në sundimtarë të jetës së tyre. Prandaj dhe u qëndronin krenarë dhe me dinjitet. Edhe hetuesia kish përdorur më shumë asokohe drurin dhe torturat. Mirëpo vit pas viti, vrasjet e shumta dhe gjyqet me vdekje u akumuluan në kujtesën e njerëzve, duke kallur në shpirtin e tyre frikën nga këto qenie. Fryma e terrorit dhe e frikës kishte filluar të punonte vetë derisa kish arritur t’i bënte njerëzit të bindeshin se Enver Hoxha dhe ata që e mbanin në pushtet ishin zot të jetës dhe të vdekjes së tyre”. Ky pasazh na bën të kuptojmë se ajo që i mban shqiptarët të distancuar, të heshtur edhe para një akti tragjik si ai i vetëdjegies së dy të përndjekurve politikë, ka në thelbin e vet, frikën nga qeveria. Edhe pse pa burgje e pushkatime por me presione e larmi makinacionesh mbi fatin e njerëzve, me flakje nga puna dhe kërcënime deri me bukën e gojës, duke pasur aleat varfërinë dhe nevojën për mbijetesë të jo pak shqiptarëve, Sali Berisha ia ka arritur të rikallë në zemrën e tyre armën e tmerrshme të çdo diktature dhe kryearmikun e lirisë, frikën. Si dikur nën Enver Hoxhën, edhe sot, jo pak shqiptarë kanë nisur të besojnë se Sali Berisha dhe ata që e mbajnë në pushtet është zot i jetës dhe, në mos i vdekjes, i mbijetesës së tyre. “Kur të del përpara një bishë që e di se të shqyen dhe s’ke asgjë për t’u mbrojtur, nuk të mbetet tjetër veçse dinakëria dhe shpejtësia për të ikur” – kështu e shpjegon Lubonja strukjen e shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Duket sot po bëjnë të njëjtën gjë. Ndërsa ndihen të pambrojtur, po përdorin dinakërinë e tyre për të mos u konfrontuar me bishën, duke braktisur përsëri ata që guxojnë t’i dalin ballas asaj, të përndjekurit politikë. Disa që kanë pasur përfitime nga ky pushtet, gjejnë strehë te propaganda dhe thashethemet se këta të përndjekur i kanë marrë paratë e dëmshpërblimit por i kanë bërë rrush e kumbulla nëpër kazinora. Të tjerë justifikojnë indiferencën e tyre duke i besuar shpifjeve të Kryeministrit, të Presidentit Nishani se të përndjekurit janë nxitur nga Rama pra, nga armiku i pushtetit demokratik të “popullit”. Edhe në kampin opozitar sigurisht bëjnë racionalizime nga më të ndryshmet për të justifikuar apatinë. Disa i thonë vetes se të përndjekurit kanë votuar vetëm për PD në këto 20 e kusur vjet, prandaj halli i tyre nuk mund të jetë edhe i së majtës. Gjë që nuk është aspak e vërtetë. Çdo shqiptar i gjeneratave të diktaturës, i majtë apo i djathtë, duhet të ndihet fajtor dhe në detyrim para tyre. Sepse çdo duartrokitje që kanë dhënë për diktaturën që burgosi dhe persekutoi, ka qenë një mbështetje për ato krime. Enver Hoxha nuk sundoi vetëm me sigurimsa e policë por edhe i mbështetur te “populli”. Para se të ndërtohen me tela gjembaçë, burgjet dhe kampet e përqendrimit ngrihen mbi themele ovacionesh! Të gjithë i kemi të përndjekurve një borxh jete që nuk shlyhet dot me para e jo më me këstet mjerane të Berishës, që kanë dy dekada që zvarriten ndërsa pasuritë e Berishës e K° rriten me shpejtësi marramendëse. Edhe në lidershipin e PS duket sikur janë paralizuar nga propaganda dhe akuzat e Berishës për politizimin e grevës! Po a nuk është kjo akuzë e njëjtë në thelb me akuzën që regjimi komunist i bënte të përndjekurve se kishin kryer veprimtari politike dhe armiqësore kundër pushtetit? Kur qenka shpallur e rrezikshme dhe e paligjshme të bësh a të merresh me politikë edhe në demokraci? Si mund të qëndrojë indiferente çdo opozitë e vërtetë, kur qytetarë shtyhen në dëshpërim ekstrem, deri në vetëdjegie, sepse qeveria është treguar e paaftë t’ju plotësojë disa kërkesa të premtuara ekonomike? Si mund të tolerojë opozita një arrogancë dhe gjakftohtësi kriminale të një Kryeministri që nuk i lëviz as qerpiku, kur disa nga më të vuajturit e diktaturës, të ezauruar pas një pritje mbi 20-vjeçare, betohen të vdesin dhe që në vend se të ulet e bisedojë me ta, iu kthen shpinën duke larë duart se qenkërka në rregull me ligjin?! Po cili është ky ligj që edhe pse i zbatuar, i shtyn njerëzit në vetëvrasje? Një opozitë e vërtetë nuk mund të heshtë, nuk mund të tolerojë vdekjen e ish të përndjekurve, me frikën se mos qeveria, apo kushdo qoftë, e akuzon për përdorim politik të grevës. Opozita duhet të dalë në mbrojtje të jetës dhe kundër vdekjes. Sepse edhe qëllimi i shtetit vetë është mbrojtja e jetës së qytetarëve të vet. Ndryshe ç’kuptim do të kishte shteti?
***
Të përndjekurit e diktaturës nuk luftojnë vetëm për një kafshatë. Ata nuk janë as “njerëz të degjeneruar politikisht”, sikundër i akuzon sot Berisha dhe sikundër i akuzonte edhe dje prokuroria e Enverit. Ata luftojnë për një drejtësi të mohuar. Ata protestojnë deri në flijim ngaqë nuk ndihen të lirë. Sepse nuk mund të ketë liri pa drejtësi. Dhe pikërisht në ditën e marrjes nga Shqipëria të statusit të kandidatit për në BE, shqiptarët demonstrojnë për turp sesa pak europianë janë në kokat dhe zemrat e tyre. Sepse sikundër shkruan edhe Fernand Braudel, europianët i godet, i revolton çdo cenim i lirive të individit. Ne shqiptarët revoltohemi vetëm kur e keqja, kur padrejtësia na troket në derë. Atëherë ulërasim fort, kërkojmë ndihmë majtas e djathtas. Por befas e kuptojmë se jemi vetëm pikërisht se kemi lënë vetëm komshiun apo të gjithë ata që kanë vuajtur para nesh këtë padrejtësi. Prandaj mbetemi të pafuqishëm përballë padrejtësisë, përballë bishës. Prandaj dhe i përulemi asaj që të mbijetojmë. Sot është momenti që çdo shqiptar të ngrihet në mbrojtje të jetës, të njeriut që po digjet në flakët e padrejtësisë dhe etjes për pushtet si pishtar lirie! Është koha të vritet frika, është koha të dridhet “mali që s’bzan”! Sot po ridënohen të përndjekurit e regjimit komunist. Ridënimi i tyre do ishte ridënim për të gjithë shqiptarët.
Add new comment