Pse i duhej Europës Nobeli i Paqes

Postuar në 18 Tetor, 2012 02:19

Mund të duket e rastësishme koha e dhënies së Çmimit Nobel për Paqe për Bashkimin Europian. Dikush mund të pyesë se ç’ka këtu për t’u admiruar pikërisht në këtë moment. Pjesa më e madhe e kontinentit është në recesion. Eurozona mund të ndahet. Gjermania ka dyshime lidhur me rolin e saj udhëheqës. Britania, gjithmonë me qëndrim të çuditshëm, ndihet edhe më tepër jashtë loje. Spanja dhe Greqia janë të përgatitura për më shumë pakënaqësi e trazira si shkak i imponimit të paketës së kursimeve. Turqia po bën çdo gjë të mundshme për anëtarësim në këtë eksperiment të madh.
Saktësisht për shkak të këtyre vështirësive, Komiteti Norvegjez i Nobelit, mençurisht i kujtoi europianët për sukseset e të kaluarës, si mënyrë për ta ndihmuar mbylljen e plagëve dhe ndarjeve aktuale. Çmimi i këtij viti është mbështetje dhe stimulim për arritjet. Ato shpesh harrohen lehtë.
Bashkimi Europian ka parandaluar luftëra, si në shekullin XIX dhe XX ndërmjet 27 anëtarëve sovranë që e rrethojnë njëri-tjetrin. Duke i integruar hap pas hapi po ashtu, ka zgjeruar demokracinë, të drejtat e njeriut, prosperitetin, dhe aftësinë për të ndikuar te të tjerët për ta imituar ose për t’iu bashkuar këtij progresi.
Europa, po ashtu, ka ekonominë më të madhe, shumicën e medaljeve në Lojërat e fundit Olimpike, dhe pjesën më të madhe të destinacioneve të dëshiruara turistike.
Këto arritje nuk duhet të neglizhohen, ndërsa BE tronditet nga një gungë e madhe në mes të rrugëtimit të saj- dobësimi i monedhës së përbashkët dhe problemet me kreditë.
Është goxha arritje bashkimi i aq shumë popujve, aq shumë kulturave në vetëm gjashtë dekada. Azia, Afrika, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme, as nuk ia kanë nisur. Mesazhi kryesor është ai se ne duhet të kemi parasysh se çfarë kemi arritur në këtë kontinent, dhe të mos lejohet që kontinenti të dezintegrohet përsëri, tha Thorbjorn Jagland, kryesues i Komitetit Nobel, gjatë shpalljes së çmimit të paqes.
Liderët e vendeve në krizë shpeshherë i përmendin arritjet e së shkuarës, por pak prej tyre bëjnë thirrje për shfaqje publike të mirënjohjes.
Shembulli më i mirë në histori ishte deklarata e Abraham Lincolnit për Ditën e Falënderimeve. Ai e bëri këtë gjatë ditëve më të zeza të Luftës Civile, si mënyrë për të ngritur idenë e bashkimit mbi dhunën, për idealet e përjetshme, të cilat Unioni mbronte dhe për Zotin e përbashkët.
Çmimi për paqe i këtij viti mund t’i shërbejë edhe një qëllimi tjetër. Për një kohë shumë të gjatë, BE-ja ka qëndruar së bashku ndaj atyre që kundërshtoi – kërcënimit sovjetik, kthimit të fashizmit ose të një Gjermanie agresive, e madje edhe atë të dominimit global të Amerikës.
Ato që e bashkojnë Europën janë, në masë të madhe, parimet e përbashkëta të lirisë, të drejtave dhe paqja.
Komiteti i Nobelit, i përbërë nga njerëzit e një vendi (Norvegjia), që është jashtë BE-së, e krijoi një “falënderim” të madh për Europën, duke i dhënë një dritë mirënjohjeje për ta ndihmuar BE-në që të dalë nga kjo gjendje e vështirë e përkohshme.

*Botuar në të përjavshmen "Christian Science Monitor"
 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.