Pro integrimit, kundër heqjes së imunitetit

Postuar në 17 Korrik, 2012 04:34

Heqja e imuniteteve është një çështje që në periudha të ndryshme është kthyer e rikthyer në qendër të debateve politike. Si në teori, ashtu edhe në praktikë, kjo njihet si një metodë për luftën ndaj fenomeneve të jashtëligjshme si korrupsioni, si dhe për të mundësuar rritjen e transparencës në institucionet publike. Pavarësisht kësaj, janë shumë të paktë vendet që e kanë aplikuar këtë praktikë. Ndërkohë që njihet si teknikë afatshkurtër për të forcuar shtetin e së drejtës, parimisht dhe filozofikisht heqja e imuniteteve paraqet disa probleme dhe hap tema për diskutim. Në rastin shqiptar, promovimi i kësaj praktike është parë edhe nga ndërkombëtarët si nevojë që lidhet me karakteristikat specifike të vendit, sidomos nga pikëpamja e nivelit të lartë të korrupsionit dhe të pranisë së fenomenit të pandëshkueshmërisë. Por ka disa arsye pse heqja e imunitetit në Shqipëri jo vetëm mund të mos japë efekt në luftën ndaj korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, por përkundrazi mund të ndikojë negativisht. 

Së pari, mënyra sesi është ngjyrosur dhe keqpërdorur ky koncept ka lënë hije dyshimi mbi qëllimet dhe angazhimin serioz të palëve për ta çuar deri në fund. Duhet theksuar se nuk jemi në prani të një procesi të mirëfilltë, sesa të deklaratave të vazhdueshme të palëve dhe të ndërkombëtarëve, hartimit të drafteve (secili të vetin) dhe tashmë thirrja për votimin. Përveç mungesës së një studimi të mirëfilltë, të gjitha këto faza nuk u karakterizuan nga përfshirja dhe integrimi në një proces strukturor, siç ndodhi për shembull me reformën zgjedhore. Ky fakt rrezikon cilësinë e punës dhe të reformës, sidomos nga pikëpamja e gjithëpërfshirjes. Është e vërtetë që tashmë kjo është shndërruar edhe në një kërkesë të ndërkombëtarëve, por këtë e përcaktoi politika shqiptare me retorikën e vet dhe me mungesën e luftës ndaj korrupsionit në vite. Ishin politikanët shqiptarë që e vunë këtë kriter në gojën e ndërkombëtarëve, si element thelbësor për luftën ndaj pandëshkueshmërisë. Pra, si retorikë mirëfilltazi politike, heqja e imunitetit u shndërrua nga mjet në qëllim, si një domosdoshmëri për integrimin. Duke qenë se nuk po luftohet dot korrupsioni me gjithë mjetet e tjera që parashikon ligji, ekspozimi i zyrtarëve të lartë po shihet si burimi dhe shpresa e fundit. Bashkimi Europian kërkon luftën ndaj korrupsionit, por ‘mjetet e punës’, në rastin e direktivave, i koncepton dhe i zgjedh vendi sipas praktikave më të mira. Në rastin e Shqipërisë, Bashkimi Europian po ‘eksperimenton’ edhe ndërhyrjen në brendësi të procesit. Kjo jo për faj të Bashkimit Europian, por për paaftësi politike nga ana shqiptare për të gjetur konsensus dhe vullnet në luftën ndaj këtyre fenomeneve. Por për të avancuar realisht drejt standardeve të Bashkimit Europian dhe për të mos bërë rëndom gabimet e fqinjëve të rajonit (Bullgaria, Rumania, Greqia), reformat duhet të kenë vizion dhe përmbajtje, jo thjesht formalitete për plotësimin e një tabele të Brukselit.

Së dyti, në rastin më të mirë, kjo reformë nuk do të ketë asnjë efekt në nivelin e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Pikërisht ata që synon të godasë, nuk do të goditen dot. Është e vërtetë që kemi parë raste kur zyrtarë të lartë i kanë shpëtuar procesit gjyqësor falë imunitetit dhe kjo është theksuar edhe në raportet e progresit të Komisionit Europian. Ashtu siç kemi parë edhe raste kur deputetë dhe ministra i janë nënshtruar hetimit dhe procesit gjyqësor, duke lënë imunitetin. Pra, gjithçka mbetet te vullneti politik për t’u përballur me drejtësinë. Ata politikanë që do synojnë t’i shmangen drejtësisë, do ia arrijnë lehtësisht edhe pas reformës. ‘Solidariteti partiak’ do të materializohet sidomos duke u mbështetur te hapësirat që do të krijojë ligji i ri, si për shembull në pushtetin e Parlamentit për të mbrojtur një anëtar të vetin kur vlerësohet se po sulmohet dhe dëmtohet institucioni i Parlamentit. Në qoftë se miratohet, kjo klauzolë që u citua edhe nga Kryeministri, faktikisht neutralizon efektet pozitive të mundshme të reformës. Kjo garë e shfrenuar për adoptimin e ligjeve të ashtuquajtura të transparencës, lidhet patjetër me marrjen e statusit kandidat, duke i dhënë Brukselit sinjale vullneti për të luftuar fenomenet e korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë. Por këto sinjale janë kryesisht formale. Të gjithë eksponentët e lartë të institucioneve po rreken të shfaqin dhe legjitimojnë nismat e momentit të fundit (kodet parlamentare, transparenca e të ardhurave të partnerëve të zyrtarëve etj.) për t’i dhënë vendit një lustër transparence të minutës së fundit, siç bëjnë fastfood-et me ushqimin. Por, rreziku është që si shumë ligje të tjerë edhe ky të mbetet i pazbatuar, duke shënuar formalisht progres për statusin kandidat, por pa efekte pozitive afat mesëm dhe afat gjatë për shoqërinë shqiptare. Pa pasur vullnet politik për të luftuar këto fenomene dhe për t’i dorëzuar drejtësisë zyrtarët e dyshuar, duke rrezikuar edhe pushtetin politik personal të liderëve, atëherë edhe aplikimi i këtij ligji do të ketë keqinterpretime dhe keqpërdorime, duke shfrytëzuar hapësirat boshe dhe mangësitë, siç është bërë rregullisht më parë.

Së treti, në rastin më të keq, vijmë te pjesa e dëmit që mund të sjellë kjo reformë. Sistemi gjyqësor shqiptar rezulton të jetë nga më të korruptuarit në Europë dhe kritikohet shpesh edhe në raportet e progresit të Komisionit Europian. Megjithatë, pavarësisht problemeve të mëdha, është një sistem funksional dhe që për nga ndërtimi i ngjan sistemeve të vendeve të tjera. Ka pjesë të këtij sistemi që janë të shëndosha dhe që japin kontribut të rëndësishëm për vendosjen e drejtësisë dhe të shtetit të së drejtës në vend. Janë ata qindra prokurorë e gjyqtarë që përpos përbaltjes dhe presionit, arrijnë të ruajnë integritetin, profesionalizmin dhe motivimin për të zhvilluar punën e tyre brenda rregullave dhe etikës që parashikon ligji. Imuniteti që ligji u ka garantuar anëtarëve të sistemit gjyqësor ka shërbyer si e vetmja mburojë që ata kanë pasur për të zhvilluar punën e tyre me përkushtim, midis një shoqërie që i paragjykon dhe një politike që i sulmon. Heqja e imunitetit, ashtu siç mund të ekspozojë pjesën e korruptuar të gjyqësorit, do të rrezikojë edhe keqpërdorimin e hapësirave që do krijojë ky ligj kundër asaj pjese që nuk i nënshtrohet ndërhyrjeve dhe vullnetit të politikës. Pikërisht në situata të rënda pandëshkueshmërie dhe korrupsioni, garantimi i pavarësisë së institucioneve që japin drejtësi duhet të kishte qenë në fokusin e atyre që duan progresin e Shqipërisë, duke e ndarë këtë kategori nga politikanët. 

Debati për heqjen e imuniteteve duhet të kishte filluar seriozisht shumë më herët dhe jo të shkohej direkt në votim 2 muaj para vendimit për statusin kandidat. Do ishin dashur muaj (mbase vite) diskutimesh midis ekspertësh, juristësh, politikanësh e gjyqtarësh, para se të arrihej një konsensus i përgjithshëm nga ku do buronte edhe vullneti politik për zbatim. Pa vullnetin real politik, ky ligj rrezikon t’i bashkohet ekspozitës së ligjeve model që shpesh vendi ka adoptuar, por që nuk janë zbatuar e nuk kanë dhënë efektin e synuar. Nxitja e ndërkombëtarëve në miratimin e këtij ligji natyrisht ka qëllime konstruktive dhe pozitive, por duke u bazuar vetëm tek arritja formale, pra statusi kandidat, dhe pa u thelluar te rezultatet dhe pasojat që ligji mund të ketë më pas. Në këtë situatë, duhet treguar kujdes të paktën në hartimin e ligjit, për të kufizuar sa më shumë hapësirat për dëmet që ai mund të sjellë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.