Pendim pas vdekjes
Pse ka një si pendim, një si brerje ndërgjegjeje në masën e madhe të njerëzve, mu sikur t’i kishim dhënë të gjithë një dorë autobuzit të fatziut Pëllumb Çela? Pse ky lëmsh në grykë, kjo hidhësi e përgjithshme dhe këto lotë të valë deri në fytyrat që kujtonim se nuk do të njomeshin më kurrë? Ishin shumë të reja, shumë të bukura dhe shumë të pambrojtura studentet që vdiqwn në humnerë. Nga lamtumira e tyre tepër e parakohshme, nga lamtumira e tyre përfundimtare pa tungjatjeta në këtë jetë, pamë të zbulohej fytyra e çiltër e Shqipërisë së thellë, e asaj hallemadhes, që nuk jepet. E gjithë kjo dhëmb shumë, por nuk është një arsye, djalli e mori, për t’u ndjerë në faj, apo për të shpjeguar këtë ndjesi faji që ka kapluar shumë njerëz. Cila është atëherë arsyeja? Vështirë ta pikasësh, vështirë ta thuash. Ka gjithnjë diçka të thellë e të pashpjegueshme në pendimin njerëzor për humbjet tragjike të jetëve. Gjithkush mund të thotë diçka të vetëm për ketë përjetim kaq të veçantë dhe kaq eterik bashkëfajësie. Mua më duket se vrasja e ndërgjegjes ka lidhje me natyrën e kësaj tragjedie shumë të dhimshme. Ajo nuk duket të ketë qenë një fatalitet, siç ...do të ishte fjala vjen një goditje rrufeje, apo një shpërthim i papritur uragani. Tragjedia ka ndodhur atje ku mund t’i kishte ndodhur çdonjërit prej atyre që kanë kaluar njëherë me makinë në qafë të Vishës. Fakti që kemi jetuar të gjithë në mundësinë e tragjedisë, fakti që kemi hedhur të gjithë vallen e shkujdesur të jetës në atë pasarelë të humnerës dhe fakti që çmimin kapital të përplasjes si një tufë thëllëzash me shkëmbinjtë atje poshtë e paguan të parat dymbëdhjetë studentet e Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit dhe shoferi i ndjerë i autobuzit të vdekjes dhe një djalë i ri nga Kavaja, dhëndrri i vetëm i baladës së zezë, pra gjithë ky hukubet ka për ne shijen e përjetimit të një padrejtësie ndaj atyre që ikën dhe të një rënieje në borxh, sikur dymbëdhjetë vajzat, djali dhe burri u flijuan për llogarinë tonë, për të na zgjuar nga jermi, për të na kujtuar se vdekja ka një pusi në qafën e Vishës.
Po. Vdekja ka një pusi të sajën në qafën e Vishës, në atë tatëpjetë që nuk e kam parë në asnjë rrugë të Shqipërisë dhe botës. Ka vite që jeta njerëzore në makinë ngjitet e zbret atje në mëshirën e frenave. Kudo lipsen frena, por po nuk i pate shumë-shumë në rregull në qafë të Vishës, je duke luajtur kokë a pilë me vetë jetën. Disheza është kaq e pjerrët dhe e gjatë, sa kur e sheh tani të duket se fati e ka toleruar shumë shkujdesjen atavike shqiptare për të mos i dalë përpara së keqes me masa mbrojtëse e parandaluese pa u përvëluar prej saj. Fantazma e një tragjedie ka qenë gjithnjë në ajrin e zonës duke pritur çastin. Elementët e fatkeqësive njerëzore e gjejnë njëra tjetrën në terr. Disheza, autobuzi i vjetër, frenat e dyshimta, një pakujdesi njërëzore ndoshta- të gjitha këto janë bërë bashkë në një sekond në koktelin vdekjeprurës. Njerëzit e thjeshtë, por ma merr mendja edhe disa të “përbërë” që na qeverisin, kanë në zemër sot pengun e dyfishtë të vajzave të shpëtuara, të cilat nuk gjejnë fjalë të përballojnë humbjen e shoqeve në atë llotari të rrufeshme të fatit dhe, kryesorja, kanë në zemër pengun e një tragjedie që mund të ishte evituar, nëse një nga elementët e koktelit të mësipërm do të kishte munguar. Fjala vjen dishezës do t’i ishte gjetur ilaçi duke e shmangur apo duke e ngritur, autobuzi do të ishte më i ri, frenat do t’i kishte top, e tjerë. Pendimi dhe remordi popullor (brerja e ndërgjegjes) për këto vdekje të llahtarshme besoj vjen nga mendimi se pikërisht ato që duhej të jetonin u bënë në grup kurban i shvlerësimit te jetës, dëshmore të kujtesës së terratisur për sa e sa qafa të tjera shqiptare ku vdekja ka zwnë pusi dhe pret me nge prenë e radhës, për sa e sa elementë të tjerë tragjedish që po kërkojnë njëra tjetrën në terr në këtë vend ku jeta e shumicës së njerëzve ecën në fije të perit, ku kontrolli i shërbimeve dhe standarteve të të gjitha llojeve është një mashtrim i madh dhe një korrupsion i madh, plotësisht i ngjashëm me diplomat e blera pa dhënë asnjë provim dhe pa hapur asnjë libër, një shëmbëlltyrë e Shqipërisë se vogël të luksit, plaçkitjes dhe injorancës që qëndron me fytyrën e saj të fryrë e të pagdhendur përballë Shqipërisë së madhe fisnike dhe hallemadhe të vajzave që vdiqwn dhe të shqiptarëve që gërryhen nga dhimbja si t’i kishin bijat dhe motrat e tyre.
Oh, sa e rëndë përballë kësaj dhimbjeje dhe këtij pendimi fisnik popullor gara e neveritshme e zyrtarëve për të dalë kush e kush më i dalluar se tjetri në të qënët dorëjashtë për tragjedinë. Asnjë shenjë dorëheqjeje nga kërkush. (Ministri i Trasporteve të Bullgarisë dha dorëheqjen parvjet për mbytjen e një anije me turistë bullgarë në një shtet tjetër, në pjesën maqedonase të liqenit të Ohrit). Përkudrazi, u duk se tragjedia u dha shkas të binin edhe me shumë në sy me psikologjinë e tyre prej padronësh. Në këtë kontekst edhe thirrja në ekstazë e disa spikërve televizivë, krejt e huaj për zakonet e lashta dhe të reja të këtij kombi , “sapo erdhi lajmi i fundit, kryeministri Berisha ka ndërprerë vizitën në Çikago”, a thua se kryeministri po kthehej për t’i ringjallur të mbaruarit dhe ai mavri, në vend që të kthehej në heshtjen që meriton zija, e kishte hedhur në eter për antenat e tij të ngazëllyera bujën e kthimit.
Nesër do të jetë dita për të hapur sytë. Sot është dita për t’u lutur në ndjenjën e thellë të pendesës për gjëmën që na ra përsipër.
Të lutemi për vajzat e vdekura, të lutemi të kenë përfunduar se klithuri shpitrat e tyre të tmerruar, pasi kanë pushuar përgjithmonë dhimbjet e trupave të tyre të coptuar. Të lutemi për shoferin, të cilit nuk i shqitet hidhërimi as në vdekje prej mendimit se i çoi ai drejt humnerës të mjerat; të lutemi të vijë ora ta lajmërojmë prej këndej: jo Pëllumb, ti nuk ishe shkaktari, ti ishe viktima, ishe studenti flokëbardhë në atë fat. Të lutemi për djaloshin nga Kavaja, të lutemi për shërimin e plotë të vajzave të plagosurave, të lutemi të gjendet sa më parë shkaku i vërtetë i aksidentit tragjik dhe të dalin përgjegjesitë dhe të merren masa që as në qafën e Vishës dhe kërkund tjetër jeta e njerëzve të mos shkojë kështu në fije të perit. Gabimi më i madh në këtë shqyrtim kritik të tragjedisë do të ishte ta linim tragjedinë pa autor dhe pa shpjegim, domethenë t’ja linim fatit. Kjo do të na kushtonte zemërimin e zotit, siç thonë hebrenjtë në dhjatën e tyre. Zoti e bëri mrekullinë e vet, i shpëtoi shumicën e vajzave nga grumbulli i hekurishteve në humnerë. Në përngjasim me të ne duhet të bëjmë mrekullinë tonë të thjeshtë e njerëzore: të rivendosim në piedestal vlerën e jetës së gjithsecilit.
Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)
Add new comment