Partalla njerzish
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Po të lexojmë literaturën progresiste të fillimeve të ‘800 do të shohim se entuaziazmi për shkencën dhe teknikën bante që nji pjesë e konsiderueshme e shoqnisë europiane, me në krye elitat franceze dhe angleze, të besonin verbnisht te progresi i shoqnisë.
Arsyet me besue tek e nesërmja e Europës ishin mjaft të forta; e keqja ishte se ky vlerësim i njianshëm nuk merrte në konsideratë aspektet negative të progresit, apo e thanun ndryshe, aspektet e pakontrollueshme të “marshimit njerëzor” drejt së ardhmes, siç shprehej Auguste Comte.
Nji prej gjanave që do të ndryshojë përgjithmonë tue nisë prej ‘800-ës asht edhe përceptimi i kohës. Çdo epokë ka nji përceptim të vetin të kohës. Ka momente kur koha ecë ma shpejt, ka momente tjera kur nuk ecë aspak.
Shoqnia moderne ka nji perceptim të ri të kohës: për të koha nuk matet ma me kalimin e diellit nga lindja në perëndim, por me aftësinë me e transformue atë tue e shndrrue në të mira materiale dhe shpirtnore.
Në ketë mënyrë koha bahet me të vërtetë flori dhe humbja e saj domethanë humbje mundësish reale. Koha si mall do të ndikojë thellësisht në marrdhanjet shoqnore të “shekullit të shkurtë”, tue lanë gjurmë në art, në jetën shoqnore e familjare, në mendimin filozofik, në botëkuptimin fetar etj.
Tue ba nji hap mbrapa: duket se në fundin e ‘700-ës me thirrjen liri-barazi-vllaznim po hapej nji kapitull i papamë për mbarë shoqninë njerzore. Mjaftuen tri vjet prej inaugurimit të këtyne parullave për me pa se terrori revolucionar nuk i linte asgja mangut atij të maparshmit. Prej luftnave napoleonike e deri te lufta franko-prusiane Europa u la në gjak; megjithatë, do të ishte egërsia e Luftës së Madhe ajo që do të nxinte çdo shpresë që kishte marrë hov në periudhën e artë të belle époque.
Progresi dhe zhvillimi ekonomik në vend që të ishin aleatë të njerzimit, po tregoheshin anmiq të pamëshirshëm të tij. Çeliku i topave kishte zhdukë çdo tipar njerzor në të gjithë Europën. Ndoshta ma mirë se kushdo tjetër ketë gja e ka përshkrue Ernst Jünger te Stuhi të çelikta, ku ka pikzue shkatrrimin e gjurmëve të humanizmit ndër llogoret e luftës.
S’kaloi shumë kohë dhe ato pak tentativa të druejtuna me tejkalue krizën dhe me krijue nji Europë të re u mbytën prej çmendunisë naziste. Egërsia e luftës shpalosi edhe nji herë se njeriu modern, sado që të ecin përpara progresi teknik dhe shkencor, ruen mbrenda vetes nji barbarizëm të pashoq që herë mbas heret shpërthen me vrull vetëshkatrrimtar. Nuk asht thjesht çeshtje ideologjije por diçka që i përket strukturës antropologjike: njeriu ruen në skutat e unit nji shtysë që i vjen prej kohës kur jetonte në gjendje barbarie dhe herë mbas herë kalon përtej rregullave shoqnore që e kontrollojnë tue ra rishtas në prehnin e barbarisë.
Fragmentarizimi i natyrës njerzore ban që në shoqninë moderne Njeriu të mshehet mbas “maskës” së funksionarit publik, të profesionistit, të policit, të puntorit të krahut – e kjo “maskë” bahet cilsori i vetëm nepërmjet të cilit njeriu i hershëm vjen drejt nesh. Mjaft të mendojmë se porsa kalojmë pragun e nji spitali shndërrohemi në nji numër shtrati që ka nevojë për kaq e aq miligram barna dhe menjiherë humbasim pothuejse çdo karakteristikë që na dallon si qenie të papërsëritshme.
Te kryevepra e tij “Hiperioni”, shkrimtari F. Hölderlin në kërkimin e tij poetik dhe filozofik të njeriut origjinal, që për të përkon me njeriun e mendimit antik grek, thotë se mbasi u rropata andej e këtej gjeta vetëm partalla njerëzish.
Edhe shoqnia jonë shqiptare ma së shumti asht e përbame prej partallash që marrin vendime, drejtojnë, përfaqsojnë, kundërshtojnë, shkruejnë historinë, punojnë kryeulë, riprodhohen…
Ajo çka na mungon asht plotnia e njeriut ase ma mirë: njeriu në vetvete.
Ideologët e Rilindjes kombtare e kishin kuptue ma së miri se rilindje për ne donte me thanë afrim me idealet e Europës, edukim me ndjenjën kolektive të lirisë, prodhim të mirash materiale, bashkim politik, ngritje morale. Kjo ishte me të vërtetë nji rilindje për ne, pse edhe tue qenë në Europë, kombi ynë vuente prej mungesës së këtyne idealeve. Nga ana tjetër ishte edhe nji rikthim te vetvetja, pse ne e kishim ndalë marshimin krahas me Europën në çastin kur otomanët na kishin mbajtë peng nën thundrën e tyne.
Idealet e Rilindjes fituen dhe u vulosën me 28 Nandor 1912. Historinë e matejshme të Shtetit shqiptar e njohim.
A i jemi afrue shpirtit të Europës në këto dy dekadat e fundit? Individualisht po, të gjithë bashkë, si shoqni dhe si institucione, jo.
Në këto vitet e mbas-komunizmit ka triumfue indiferenca dhe etja për të mirat landore, ndërsa kemi humbë shumë prej cilsinave të mira që as komunizmi nuk kishte mbërrijtë me i zhdukë.
Nji prej shkaqeve të kësaj ramje qëndron te paaftësia me prodhue kulturë të mirëfilltë dhe me marrë kulturë të vërtetë.
Kultura lind prej lirisë dhe prodhon liri. Liria e vërtetë ban që individi të jetë vetvetja në çdo rrethanë dhe të mos plazmohet prej demagogëve, prej interesave të çastit, prej shtysave të ulta.
Tue mos pasë kulturë dhe tue mos qenë të lirë, kemi mbetë individualista, partalla njerzish, të paaftë me u integrue në mekanizma me frymëmarrje shpirtnore të gjanë, siç asht Europa.
Kujtesa historike na përcjell shumë qytetnime të kalueme që s’janë ma, shkruen dikund historiani Pierre Chaunu, por ne sot ndiejmë realisht në jetën tonë politike, shoqnore, artistike, vetëm gjurmët e atyne qytetnimeve që kanë prodhue kulturë të vërtetë. Të tjerat kanë ekzistue dhe janë zhdukë.
Po të mendonim sesa pak shprehim ne sot, do të ndaleshim me reflektue dhe do të përpiqeshim me u nda përgjithmonë prej mallkimit të antikulturës shekullore që na pengon me ecë përpara.
* botuar te gazeta Mapo
Comments
Me dashamirësi, mos përto e
<p>Me dashamirësi, mos përto e hidhi një sy spektaklit postmodern të Zekthit; këtu afër e ke, taksirat. </p><p>Ti s'ke faj që i bën hesapet me '700 e '800; diku duhet me e nis robi i shkretë.</p><p>Po spektali, lal, luhet tjetërkund. </p><p>Po mos m'u pezmato e të shkurajohesh rrugës, punët e mira bëhën avash avash, një hap sot, e një nesër. Me kujdes këmbët, të kam rixha. </p>
Add new comment