ODIHR-i e ka gabim, mazhoranca edhe më shumë
Nga mënyra sesi Kryeministri Berisha reagoi pas rekomandimit të ODIHR-it lidhur me numërimin elektronik, të krijohet përshtypja se ai mezi e ka pritur një rekomandim të tillë. Në të kundërt, në emër të etikës së konsensusit, edhe mund të kishte heshtur. Një rekomandim i tillë, edhe pse erdhi prej ODIHR-it, edhe pse frymëzohej nga një standard, shkonte përkundër klimës së besimit për të cilin ka nevojë opozita. Nuk ka dyshim se besimi i opozitës është shumë më i rëndësishëm se rekomandimi i ODIHR-it për fatin e zgjedhjeve të 2013-ës. Kryeministri, kaq gjë e ka ditur, kështu që asgjë nuk mund të justifikojë turravrapin e tij për të qenë dakord me organizatën e nderuar. Aq më tepër që, në këtë rast, edhe ODIHR-i e ka gabim. Jo në raport me përmbajtjen e rekomandimit, por me një lloj perceptimi të pafiltruar rreth shkakut real të kontestimit të zgjedhjeve në Shqipëri.
Ne të gjithë këtu e dimë mirë se kjo lloj patologjie nuk është më shumë çështje rregullash zgjedhore që shkruajnë teknicienët e partive, sesa çështje e besimit politik mes partive. Shqipëria, përgjatë historisë së saj demokratike këto njëzet vjet, ka ndodhur të bëjë zgjedhje të ndershme, të cilat nuk janë kontestuar nga palët, ndonëse kodet zgjedhore kanë qenë shumë më pak të sofistikuara se ky aktuali. Në momentin kur palët nuk kanë mundur të ndërtojnë besimin mes tyre, rregullat, edhe pse janë përsosur, nuk kanë shërbyer për asgjë. A është rekomandimi i ODIHR-it për shmangien e kontrollit elektronik, një instrument për të rindërtuar besimin e opozitës tek zgjedhjet? Kurrsesi jo! Madje është një goditje kundër asaj që palët kishin arritur që më 30 mars mes tyre. Marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës mbi kontrollin elektronik të numërimit të votës ishte ndoshta produkti më serioz i reformës zgjedhore. Pjesa tjetër ishte, më së shumti, teknikë legjislative. Por jo vetëm kaq. Konsensusi për t’i larguar fletët e votimit nga duart e partive ishte prova më optimiste se, besimi mes palëve kishte filluar të ringjallej, se besimi i opozitës tek zgjedhjet kish filluar të rimëkëmbej, ndonëse mes qindra vështirësish. Në këtë vështrim, rekomandimi për të shmangur numërimin elektronik është, as më shumë e as më pak sesa goditja në palcë e këtij besimi. Atëherë, përse duhej bërë ai rekomandim? Në funksion të kujt? A është më mirë të bëhet një rekomandim në emër të një standardi, por që na rrënon besimin dhe zgjedhjet, apo është më mirë që të ruajmë besimin dhe zgjedhjet, duke sakrifikuar një standard? Kjo është pyetja themelore së cilës ODIHR-i i përgjigjet gabim (ndonëse me qëllimin e mirë).
Mirëpo, më shumë se ODIHR-i, gabon mazhoranca, së cilës e ke të vështirë t’i zbulosh, jo vetëm ndonjë qëllim të mirë në reagimin që pati por, edhe vetëdijen rreth pasojave të OK të saj të nxituar, mbi klimën e besimit. Vetë Kryeministri gjëmonte dje para grupit të tij parlamentar “…i them Edi Ramës se zgjedhjet janë çështje besimi…”. Të gjithë këtë themi. Por me një saktësim: nuk janë çështje e besimit të mazhorancës. Janë çështje e mosbesimit të opozitës. Është opozita ajo që nuk beson tek procesi elektoral. Nuk ka rëndësi nëse është obsesive apo jo. Le të jetë, i lejohet të jetë. Mazhoranca ka për detyrë ta çlirojë nga obsesionet, t’i rikthejë besimin. Që do të thotë se, pa asnjë lloj kompleksi, mes opozitës dhe ODIHR-it, duhet të zgjedhë opozitën; mes pretendimit të opozitës për numërimin elektronik dhe rekomandimit të ODIHR-it për ta shmangur atë, duhet të zgjedhë numërimin elektronik. Interesi publik është në anën e opozitës, pavarësisht dashamirësisë së rekomandimit të ODIHR-it. Zelli për të qenë dakord, pa një pa dy me rekomandimin e ODIHR-it, nuk mund të interpretohet përveçse si një escamotage i sforcuar që nuk buron nga shqetësimi për mungesën e një standardi, por nga intencioni i pastër për të shkuar drejt zgjedhjeve të 2013-ës me një klimë mosbesimi.
Nëse kështu nuk është, le të na e provojë. Le t’i thotë një PO të madhe opozitës dhe një JO të madhe ODIHR-it për numërimin elektronik. Opozita do ta interpretojë si një qëndrim të sinqertë për të respektuar një ekzigjencë të saj. ODIHR-i do ta mirëkuptojë si një refuzim që nuk ka të bëjë me rekomandimin, por me dëshirën e mirë për të mbajtur gjallë klimën e besimit. Sepse ky është i vetmi qëndrim që parathotë diçka pozitive për zgjedhjet e 2013-ës. Tek e fundit, edhe ODIHR-i këtë ka si qëllim.
Marrë nga Mapo
Add new comment