Një propozim i thjeshtë për plehrat
Edhe një herë, siç e ka për talent, propaganduesi i madh, Kryeministri i vendit Sali Berisha, dhe mikrofonat satelitorë të tij në media, na imponuan axhendën e debatit publik. Plehrat! Janë një problem i madh, gjenden kudo. I kanë dhënë Shqipërisë nëpër botë imazhin e një vendi mikpritës, por për fat të keq, të ngopur me plehra.
Qeveria, e cila është përgjegjësja e parë dhe e fundit për një situatë të tillë, nuk denjon të pastrojë vendin në heshtje, siç vepron çdo pastruese zyrash apo rrugësh. Ajo hapi një debat të gjithanshëm shurdhmemecësh mbi problemet, si janë e si ndodhin, por e pa të pamundur të analizojë situatën e të japë një zgjidhje ku qeveria të bëjë rolin e pastrueses së heshtur, siç e ka për detyrë ta bëjë.
Kryeministri ka propozuar që shqiptarët të kthehen në kohën e komunizmit, ku me të ashtuquajturën “punë vullnetare” të detyrohen të pastrojnë vendin. Njerëzit e lirë në fakt nuk kanë pse të bëjnë vullnetarin e stisur. Mjafton të paguajnë që vendi të pastrohet. Qeveria mjafton të mbledhë taksat dhe të paguajë pastruesit. Nuk ka nevojë për debat këtu.
I bezdisur nga ideja që më duhet të ndjek axhendën e plehrave në një vend që sakaq ka probleme të rënda dhe shumë të rënda me demokracinë, korrupsionin, kriminalitetin, shtetin ligjor, vjedhjet masive dhe delirante e të tjera si këto, po kam delirancën të jap një diagnozë të shkurtër të problemit dhe të propozoj një zgjidhje të thjeshtë administrative.
Problemi
Problemi i plehrave në Shqipëri konsiston në problemin më të madh të vendit, ndarjen administrative dhe territoriale në bashki dhe komuna, ndarje e vendosur njëzet vite më parë dhe që e ka fragmentarizuar pushtetin vendor, thelbin e pushtetit të popullit, për të fuqizuar pushtetin qendror që menaxhon sot mbi 95 për qind të të gjithë buxhetit të krijuar nga taksat.
Komunat, të cilat efektivisht nuk mbledhin taksa, sepse kanë pak burime ose nuk kanë fuqi administrative, nuk i mbledhin plehrat. Qytetet, të cilat kanë taksa dhe kanë burime, i mbledhin plehrat dhe ua hedhin ato komunave. Lumenjtë i marrin plehrat dhe i hedhin në det. Komunat kanë edhe kosto më të lartë për mbledhje plehrash në krahasim me qytetet, pasi përfshijnë sipërfaqe më të mëdha, kanë densitet më të ulët popullate etj.
Ndërkohë, prej vitesh, në emër të ekonomisë së tregut, pastrimi i qyteteve të mëdha i është hequr shoqërisë dhe u është ngarkuar kompanive private. Kompanitë private paguajnë honorare te të zgjedhurit vendorë, (besoj se vetëm naivët ose cinikët mund të besojnë se procesi i tenderimit është i hapur dhe i ndershëm), gjë që ka bërë që qytetarët të mos e dinë se sa para paguajnë taksa për plehrat dhe sa realisht kushton heqja e tyre. Përfshirja e të ashtuquajturit “sektori privat” në një proces kaq të thjeshtë sa heqja e plehrave, ka bërë që debati i hapur të jetë tamam për shurdhmemecë.
Zgjidhja
Mënyra më e lehtë e zgjidhjes së problemit të plehrave është krijimi i kompanive të pastrimit të plehrave në nivel qarqesh. 12 kompani për 12 qarqe, kompani që do të kenë për detyrë të mbledhin plehrat e Lezhës, por të kujdesen që ato plehra të mos përfundojnë në Drin dhe në bregdet. Financimi i këtyre kompanive duhet të bëhet nga taksat që do të mblidhen si në qytet, ashtu edhe në fshat, por në këtë rast, taksat që do të mblidhen në qytet do të subvencionojnë edhe pastrimin e plehrave në fshat. Është qesharake të pretendosh se një kompani private do ta menaxhojë më mirë punën se sa një kompani publike, për shkak se te plehrat nuk ka treg, nuk ka kërkesë-ofertë. Një kompani private nuk ka interes të mbledhë më shumë plehra, sepse është private, pasi lekët njësoj i merr.
Një zgjidhje e tillë administrative, jo vetëm që do të na shpëtojë nga plehrat, por do të na kursejë edhe debatet e shurdhmemecëve të organizuara nga qeveria, e cila e sheh edhe një problem të tillë të vockël si një çështje e rëndësishme për t’u debatuar, mjafton që vëmendja e qytetarëve të tërhiqet nga të gjitha problemet e tjera.
Shqip
Add new comment