Ndarja e fajit

Postuar në 13 Shkurt, 2013 04:50

Hashim Thaçi e Ivica Dacic janë përfituesit më të mëdhenj të përfshirjes së dyshes presidenciale në dialog. Ata nuk do të jenë fajtorët e vetëm për rezultatin përfundimtar.

 

Atifete Jahjaga e Tomislav Nikolic mund t’i mbrojnë deklarativisht pozicionet “e forta” të shteteve që udhëheqin, por shefat e qeverive të tyre, Hashim Thaçi e Ivica Dacic në praktikë po provojnë të gjejnë zgjidhje – natyrisht duke bërë kompromise.

Përtej simbolikës dhe historisë, takimi i së mërkurës në Bruksel ka shënuar edhe ndryshim substancial në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tash e tutje për dialogun mbajnë përgjegjësi jo vetëm kryeministrat, por edhe presidentët e të dyja vendeve të hasmëruara.

Në Prishtinë, ndonëse procesin e bisedimeve e ka përkrahur pa rezervë që nga fillimi, Atifete Jahjaga më nuk mund të luajë rolin e një presidenteje e cila vetëm pret të informohet formalisht nga Thaçi se çfarë ka biseduar me Dacicin. Tashmë ajo është përfshirë në proces.

Njësoj edhe në Beograd, ku Tomislav Nikolic do t’i ndajë përgjegjësitë me Dacicin, pavarësisht përplasjeve rreth aferave të fundit të korrupsionit, në të cilat duket se kryeministri është përfshirë drejtpërdrejt.

Në pozicione aspak të favorshme, si Thaçi ashtu edhe Dacic janë përfituesit më të mëdhenj të përfshirjes së dyshes presidenciale në dialog.

Në krye të një qeverie me plot afera korrupsioni e kriminaliteti, Thaçi e kishte të dobësuar pozicionin dhe i duhej infuzion për t’u ndjerë më rehat deri sa të përfundojë çështja e veriut të vendit. Natyrisht, në ndihmë i del Brukseli, i interesuar që çështjet e rënda në raport me Serbinë të zgjidhen sa më shpejt.

Daçiç, ndërkaq, që nga marrja e postit të kryeministrit ka qenë në shënjestër jo vetëm të opozitës së fortë, por edhe të vetë partisë partnere të koalicionit, shpesh duke u shantazhuar. Tash Brukseli u tregua zemërgjerë me të, duke ia lehtësuar barrën e përgjegjësisë së negociimit me Prishtinën.

Duke i përfshirë në procesin e dialogut edhe Jahjagën e Nikolicin, Brukseli i bëri edhe ata përgjegjës për çfarëdo rezultati të dialogut dhe zgjidhje të arritur. Partiakët e Nikolicit dhe opozita tash e tutje nuk mund t’ia mveshin Dacicit gjithë fajin e kompromiseve me Prishtinën, ashtu siç kritikët e dialogut në Prishtinë tash e tutje do ta zgjerojnë adresën e shënjimit të përgjegjësve për kompromiset me Beogradin.

* * *

Duke i shtrirë dorën njëri-tjetrit, Jahjaga e Nikolic janë pajtuar që të kontribuojnë në dialogun ndërmjet dy vendeve. Edhe pse nuk e njeh Kosovën e pavarur, Beogradi tashmë ka gjasa reale që brenda vitit t’i fillojë bisedimet për t’iu bashkuar BE’së, si rezultat i arritjes së marrëveshjeve me Prishtinën, ndërkohë që Kosova ka mundësi t’i nisë negociatat për Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit.

Tashmë Brukseli konsideron se koalicioni qeveritar rreth Partisë Përparimtare Serbe ka ngritur kredibilitetin e Beogradit në raport me BE’në, ndërkohë që Baronesha Ashton ka shpenzuar shumë mund e energji në mënyrë që dialogu të ketë sukses. Këtij synimi të saj mund t’i ndihmojë edhe takimi i dy presidentëve.

Ndërrimi i kursit politik të Nikolicit karshi BE’së mund t’i sigurojë atij vite të qeta në Presidencë, kurse takimi i Jahjagës me të i siguron asaj muaj, po ashtu të qetë, në karrigen e të parës së vendit.

Por gjatë javëve të ardhshme “kritike”, siç i ka quajtur Ashton, kompromisi për Veriun duhet t’i jep fund dialogut politik. E rezultati i arritur don të thotë shumë për të dyja vendet.

Ndonëse Prishtina pretendon se rezultat i fundit i dialogut do të jetë anëtarësimi i vendit në OKB, Brukseli synon që gjithsesi procesi të përfundojë me një marrëveshje e cila nuk do të imponohej, por do të arrihej me vullnetin e të dyja palëve. Në këso rastesh vullneti zakonisht mungon dhe imponimi është i domosdoshëm.

* * *

Shpërbërja e strukturave paralele, mbajtja e zgjedhjeve dhe inkuadrimi i një pjese të strukturave të sigurisë në Polici dhe FSK pritet të jenë disa nga hapat që duhet të çelin rrugë drejt zgjidhjes së çështjes së Veriut. Por, rezultati përfundimtar mund të jetë një status tjetërfare prej pjesës tjetër të Kosovës.

Kjo ka qenë sfidë e Thaçit, e tash edhe e Jahjagës. Ashtu siç ka qenë deri dje sfidë vetëm e Dacicit përballja me realitetin Kosovë.

Thaçit i mbetet të dialogojë me Dacicin, e Jahjagës me spektrin politik kosovar, në mënyrë që të sqarojë gjithçka sa i përket dialogut. Tekefundit, ky rol edhe i takon.

E nëse i përmbahen kushtetutës, siç thonë çdo ditë, atëherë muajt e ardhshëm do t’i vënë në sprovë që të dy. Sepse, kompromis nuk don të thotë të fitosh gjithçka, por të sakrifikosh.

Deri atëherë me siguri Jahjaga e Nikolic do të takohen prapë. Mbase Nikolic do të zbutet, e Jahjaga do të qartësohet. Më e qartë do të jetë edhe e ardhmja e Kosovës. Por, kjo nuk don të thotë se do të jetë edhe më fatlume.

EXPRESS

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.