A na duhen çipa kundër korrupsionit dhe vjedhjes

Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, ka ironizuar apo ka menduar ndoshta edhe seriozisht, duke thënë se duhet liberalizuar importin e çipave për lopët, në mënyrë që ato të mos hanë në grazhdin e lopëve të tjera. Sikur të ketë çipa kundër korrupsionit dhe hajdutërisë, që t’u vihen politikanëve në Shqipëri e Kosovë, do të zgjidhej njëra prej sëmundjeve më të mëdha moderne që ka goditur shoqërinë shqiptare
Presidenti i Shqipërisë, Nishani, duke dashur ndoshta të lërë përshtypjen se Shqipëria po ecën përpara dhe po bën progres në përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit, ka pranuar një sëmundje të popullit shqiptar, të cilën, me gjuhën diplomatike, e kanë dioagnostifikuar qëmoti zyrtarët ndërkombëtarë: kulturën politike të shqiptarëve si problem. Nishani ka thënë se Shqipëria na i paska kushtet më moderne teknike për zgjedhje, por problem na qenka kultura. Në këtë mënyrë ai vetëm sa nuk ka thënë se “është në kulturën tonë të vjedhim vota”, por kjo mund të kuptohet edhe kështu. Dhe vërtet Brukseli, Washingtoni e kushdo tjetër që pret ditën kur edhe shqiptarët si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, të dëshmohen se janë në gjendje të bëjnë zgjedhje normale, të lira dhe të pamanipuluara, duhet ta kuptojnë më në fund një gjë: mospërmbushja e standardeve evropiane të zgjedhjeve nuk është rezultat i mungesës së shkathtësisë së shqiptarëve, por është e kundërta: është rezultat i zgjuarsisë së shqiptarëve. Në zgjedhjet në Kosovë dhe në Shqipëri nuk ndodhin “gabime” apo “mangësi” si rezultat i “mungesës së përvojës dhe njohurive”, por është rezultat i shkathtësive për të vjedhur, manipuluar dhe kurdisur zgjedhjet. Metodologjinë në Kosovë e kishte parë me sytë e tij ish-ambasadori amerikan sikur edhe deputetët e Parlamentit Evropian, të cilët vëzhguan zgjedhjet e fundit dhe pa dorëza thanë se në to ka pasur “mashtrime zgjedhore”. Në rastin e Shqipërisë një ish-ambasador amerikan ishte aq i impresionuar me shkathtësitë për të vjedhur vota, saqë kishte shkruar një notë diplomatike drejtuar Washingtonit me titull “Vjedhja e votave-stili shqiptar”.
Dhe kështu sot shqiptarët janë popull që për nga standardet e zhvillimit të zgjedhjeve më shumë u ngjajnë vendeve afrikane sesa BE-së. Edhe në rajon shqiptarët janë të vetmit, të cilëve vazhdimisht u kërkohet që të mos vjedhin vota. Por duket se tashmë edhe vetë po e pranojmë se problemi na qenka “kulturor”. Por nuk duhet të presim nga BE-ja që të na e njohë edhe këtë “vlerë kulturore” dhe të mos na e paraqet si parakusht për integrimet evropiane. Derisa të jemi të tillë, derisa të mos jemi në gjendje të kemi zgjedhje të lira, jo “zgjedhje më të mira deri tash”, por vetëm zgjedhje normale sikur e tërë Evropa, ku dyshimet në parregullsi as që ekzistojnë. Le të shikojnë shqiptarët përreth, e lëre më më larg në Evropën Perëndimore, dhe të gjejnë ndonjë shembull diku tjetër kur vihet në dyshim rezultati i zgjedhjeve. Nuk ka askund, sepse, edhe shtetet e korruptuara të rajonit, së paku zgjedhjet i bëjnë si duhet.
Problemi me zgjedhjet ndër shqiptarët është korrupsioni dhe krimi i organizuar. Korrupsioni dhe krimi i organizuar funksionojnë më së miri kur janë të lidhura dhe strukturat politike në pushtet. Dhe përfitimet janë aq të mëdha, saqë ia vlen të rrezikosh dhe të vjedhësh vota. Privilegjet vetëm rriten, ndërsa mbetja në pushtet bëhet çështje ekzistenciale. Kështu vijmë në situata ku fushatat zgjedhore, procesi i votimit dhe numërimi i votave priten me ankth dhe ndër shqiptarë shihen pothuajse sikur situatë konflikti.
Kryeministri i Shqipërisë, Berisha, ka ironizuar, apo ka menduar ndoshta edhe seriozisht, duke thënë se duhet liberalizuar importin e çipave për lopët, në mënyrë që ato të mos hanë në grazhdin e lopëve tjera. Sikur të ketë çipa kundër korrupsionit dhe hajdutërisë që t’u vihen politikanëve në Shqipëri e Kosovë, do të zgjidhej njëra prej sëmundjeve më të mëdha moderne që ka goditur shoqërinë shqiptare.
Edhe kur aty-këtu zbulohet ndonjë vjedhje, pasojat janë të vogla. Mungon kultura e përgjegjësisë. Pastaj ata që zihen në vjedhje fillojnë të mbrohen apo arsyetohen duke sulmuar opozitën, mediat, shoqërinë civile apo këdo tjetër pos vetvetes. Mungon kultura e marrjes së përgjegjësisë dhe dhënies së llogarisë. Politikanët shqiptarë nuk japin dorëheqje, sepse kjo nuk është në kulturën e tyre.
Në dhjetë ditët e fundit ndodhën tri raste nga të cilat mund të marrin mësim politikanët shqiptarë (Shqipëri-Kosovë dhe Maqedoni). Në Belgjikë dha dorëheqje ministri i Financave, Vanackere. Ishte ministër shumë i suksesshëm që arriti të vërë nën kontroll deficitin buxhetor. Por emri i tij u përmend në një aferë që eventualisht mund ta lidhte me konflikt interesi të dhënies së kredisë së një banke nën administrim të shtetit për një sindikatë të afërt me partinë e tij. “Kategorikisht hodhi poshtë akuzat. Nuk ka asgjë të vërteta në to. Por në këto rrethana nuk mund ta kryej me integritet, përgjegjësi dhe pavarësi profesionale punën time. Prandaj jap dorëheqje”, tha ky ministër. Në Kroaci të shtunën ka dhënë dorëheqje ministri i Turizmit, Ostojiq. Po ashtu nga Ministria më e suksesshme në Kroaci, e cila këtë vit pritet të thyejë rekordin për nga numri i turistëve të huaj. Deri në 15 milionë turistë pritet të vizitojnë këtë shtet. Por emri i ministrit Ostojiq u përmend për një aferë të familjarëve të tij. Kunata dhe gruaja e tij kishin blerë një tokë në rajonin e Istres për diku rreth 130.000 (njëqind e tridhjetë mijë) euro. Kur ishte blerë ajo ishte vetëm tokë bujqësore. Por tash është shitur për më shumë se 3 milionë euro, pasi që ishte dhënë leja që në atë tokë mund të ndërtohen shtëpi dhe vila. Mediat dyshojnë se ministri ka mundur të jetë në pozitë që ta dijë se ajo tokë do të shndërrohet nga tokë bujqësore në tokë për ndërtim në pjesën më të shtrenjtë të bregdetit, dhe do të mundësojë përfitime milionëshe për familjarët e tij. Mjaftoi kjo për dorëheqje. Si në rastin e Kroacisë, ashtu edhe të Belgjikës, nuk ka dëshmi për fajësinë e ministrave, por ata dhanë dorëheqje. Rast tjetër është me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansha. Agjencia Kundër Korrupsionit në Slloveni ka konstatuar se ai “nuk e ka dëshmuar si duhet” prejardhjen e 30.000 (tridhjetë mijë) eurosh. Qytetarët dhe partitë partnere në koalicion kanë kërkuar që Jansha të japë dorëheqje. Ai nuk ka dashur, sepse po ashtu nuk ka dëshmi se ka bërë diçka të paligjshme. Por është mbledhur Kuvendi dhe Qeverisë së tij i është votuar mosbesimi.
Fjala është për popujt të cilët nuk durojnë, nuk tolerojnë politikanët me afera korruptuese. Popujt që kanë krijuar kulturën në të cilën politikanët, pa pritur që t’u dëshmohet fajësia, largohen në shenjë përgjegjësie dhe, nëse nuk duan të largohen, atëherë i largon sistemi.
E te shqiptarët nuk është krijuar një kulturë e tillë ende. Atëherë nuk duhet të habitemi kur të tjerët nuk na trajtojnë si të barabartë dhe kur nuk duan të “përafrohen” më shumë me ne, as duke i dhënë statusin e kandidatit një Shqipërie ku nuk ka zgjedhje sipas standardeve evropiane e as duke liberalizuar vizat për shtetasit e Kosovës, ku lulëzojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Lehtë do të ishte sikur këto probleme të mund të zgjidheshin me importimin e çipave. Ndoshta Evropa edhe do të na i jepte falas sikur të mund të zgjidhej problemi në atë mënyrë.
KOHA.NET
Add new comment