Manipulimet në emër të interesit të përgjithshëm

Postuar në 26 Tetor, 2012 04:32

Frika nga paranoja edhe mund ta çmendë dikë e pastaj të çmendurit nuk e shohin as kontrollojnë çmendurinë e tyre, ata mendojnë se ajo është tek të tjerët

 

Në mes të dëshirës individuale për reagim ndaj shkrimit të z. Halil Matoshi me titullin: Çmendja e një shoqërie, publikuar më 18.10.2012, në KOHA net, dhe synimit për të vërtetën, e bëj të hapur qëllimin, që përmes këtij shkrimi të nxis debat më të shëndoshë të diskutimit publik lidhur me disa çështje mjaft sensitive të së kaluarës sonë pas çlirimit, por me ndikim të madh në të tashmen dhe të ardhmen tonë.

Që në fillim dua të mbaj qëndrim të qartë, si individ, si ish-pjesëtar i UÇK-së dhe një nga ish-udhëheqësit e Shërbimit Informativ të Kosovës, se pas epokës së çlirimit të vendit tonë, në periudhën e lirisë, kanë ndodhur gjëra që nuk është dashur dhe nuk kanë guxuar të ndodhnin. Krimet do të duhej të kishin adresim të përgjegjësive në mënyrë institucionale. Në shoqëritë e emancipuara gjithkush bën punën për të cilën është i thirrur me përgjegjësinë më të lartë. Ndërsa, tek ne akoma politika, gjyqësia e mediat nuk duan t’i kenë të qarta përgjegjësitë e tyre. Për 13 vite me radhë vazhdon tentativa për të na vënë përballë njëri-tjetrit për të krijuar paragjykimin se jemi shoqëri fisnore, që s’kemi aftësi të shtetformimit dhe mbajtjes së tij. Fatkeqësisht, një pjesë e opinionit mbahet në delirin e këtij mashtrimi dhe paragjykimi, duke kërkuar adresa të qëllimshme të akuzimit, e krimi dhe kriminelët vazhdojnë qetësinë dhe rehatinë në strofullin e tyre e dikush po kujdeset dhe po investon fuqishëm në këtë.

Tendenca e qëllimshme që me çdo kusht të deformohet realiteti dhe e vërteta është e rëndë, aq më tepër qëllimi, që duke akuzuar ish SHIK-un tentohet të krijohet një perceptim që të imponojë përgjegjësinë ndaj nesh dhe imponimin edhe për t’u deklaruar. Njerëzit që vërtet kanë qenë ish pjesëtarë të SHIK-ut as nuk nguten, as nuk shqetësohen, as turpërohen, as frikësohen dhe as nuk ndjehen përgjegjës për asgjë. Puna jonë e bërë me ndërgjegje të pastër dhe me përgjegjshmërinë më të lartë në atë kohë, na mbanë të qetë dhe assesi nuk do futemi në vorbullën që nuk është në të mirën e këtij vendi, me akuza, kundërakuza, zhurma dhe rrëmuja. Provat faktike do ta nxjerrin të vërtetën, por vetëm drejtësia është ajo që duhet ta thotë fjalën e saj.

Franklin D. Roosevelt, personaliteti të cilit i referohet autori i shkrimit Çmendja e një shoqërie, e thotë edhe këtë: “Njerëz më të mëdhenj janë ata të cilët me vullnet shërbejnë nën hije. Më së paku të mëdhenj dhe të fundit, janë ata që duken të parët”.

Në jemi shtet dhe në çështje të tilla sensitive duhet të sillemi konform ligjeve në fuqi. Kadri Veseli, si ish udhëheqës i SHIK-ut, është deklaruar publikisht në të gjitha rastet e dhëna se kriminelët si lloji i Bllaces, Miftarit apo ndonjë tjetër kurrë nuk kanë qenë pjesë e strukturës që ka drejtuar ai. Por, kujdestarët janë kudo të gatshëm që me çdo kusht ta krijojnë trillerin e tyre e që është në funksion të frikës. Marrin kompetencën për të deklaruar si të besueshme ato që thonë kriminelët pa u lodhur për motivet e tyre të mundshme. Këta kujdestarë nuk duan të zbulohet krimi i vërtetë, sepse atyre u duhen amullitë relativizimet thashethemet dhe insinuatat për t’i fituar meditjet e tyre.

Autori përmend nevojën e hetimit të veprimtarisë së SHIK-ut, i veshur në petkun e paanësisë duke dalë qartë me qëndrim politik. A mund ta kuptojmë iniciativën për një investigim të tillë si të sinqertë dhe a është parlamenti vendi adekuat? Janë lehtësisht të kuptueshme djallëzitë e iniciuesve, lojtarë, që i thonë jo rezolutës për ndriçim dhe gjykim të krimeve në Parlamentin e Kosovës, e po investigim të veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Kosovës përmes komisioneve hetuese parlamentare. Se a i ka respektuar normat e Rezolutës 1244? A nuk duket si lojë e radhës kjo?

Shqetësimi qytetar është kush bëri krimet në Kosovë dhe kush dëmtoi Kosovën ekonomikisht. Përgjigjja nuk gjendet me komisione parlamentare. Kush kë po e pengon të denoncojnë në organet e shtetit tonë apo edhe EULEX për të gjitha krimet e bëra? Nuk ka rrugë tjetër në zgjidhjen e tyre pos rrugës institucionale, përmes organeve të drejtësisë dhe nuk është e moralshme as e frytshme për demokracinë tonë, që në bazë të tekeve, synimeve denigruese dhe interesave personale gjëra të tilla të ngrihen dhe shuhen në mënyrën më imorale dhe të papërgjegjshme.

Vetëm në javën e fundit në parlament është atakuar disa herë ish SHIK-u, në mënyrë tepër absurde. E kam thënë edhe në një rast tjetër se Shërbimi Informativ i Kosovës është formuar nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës si vazhdimësi e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrethana të jashtëzakonshme, si domosdoshmëri e kohës deri ne bërjen e shtetit kur ka pushuar së funksionuari. Nga perspektiva e tanishme ish SHIK-u mund të shikohet vetëm në kontekst historik, pa asnjë reflektim në politikat manipuluese ditore të grupeve të interesit.

Nëse autori i shkrimit Çmendja e një shoqërie ka qasje të sinqertë në gjërat sensitive mund të kontribuojë bashkë me faktorë tjerë apolitikë, për të ndihmuar në iniciativë dhe inkurajuar faktorët politikë, që përmes një rezolute në Parlamentin e Kosovës, pa ndërhyrje në organet e drejtësisë, të merr qëndrim politik distancues, mos gjykues dhe jo-instrumenalizues ndaj çdo krimi të ndodhur në Republikën e Kosovës pas përfundimit të luftës dhe të kërkohet ndriçimi i krimeve të rënda që kanë ndodhë. Një gjë të tillë e kam potencuar edhe publikisht në Radio Televizionin e Kosovës rreth një vit më parë .

Kjo do të krijonte një ambient të mirë të depolitizimit të rasteve (pavarësisht implikimeve politike të mundshme), që ato mbesin të adresuara individualisht e ku organet e drejtësisë do ishin fuqishëm të vendosura për ta bërë punën e tyre. Në të kundërtën praktika e deritashme ka dëshmuar se politizimet dhe tensionimet jo vetëm që nuk kanë ndihmuar në zbardhjen e këtyre rasteve, por përkundrazi, ndoshta edhe qëllimshëm, i kanë errësuar ato.

E frika nga paranoja edhe mund ta çmendë dikë e pastaj të çmendurit nuk e shohin as kontrollojnë çmendurinë e tyre, ata mendojnë se ajo është tek të tjerët. Assesi nuk do të dëshiroja që të jetë ndikuar a frymëzuar nga ndonjë i tillë autori i shkrimit Çmendja e një shoqërie.

 

Express - Autori është deputet i PDK’së në Parlamentin e Kosovës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.