A ka besë shqiptari?
Filmi premierë “Taken 2” që po shfaqet këto ditë në Amerikë, i paraqet shqiptarët mizorë e egërshanë sikur në historiografinë e Vladan Gjorgjeviqit, kurse, sipas regjisorëve francezë të Hollywoodit, Olivier Megaton dhe Luc Besson, fjalën e dhënë – besën, shqiptarët e shkelin hala pa ua kthyer shpinën. Të lë shije të hidhur postulati stereotip që regjisorët kanë zgjedhur për "të huajt e këqij" e jo për "trafikantët e këqij"
Fabula e filmit të Hollywoodit "Taken 2" (“Rrëmbimi 2”) ngërthen një temë mode, me trafikantë qeniesh njerëzore dhe gangsterë, ndërkaq që gjeografia ku zhvillohet ngjarja e filmit (Ballkani Perëndimor) imponon gjithsesi temat ekzotike si besën/pabesinë dhe hakmarrjen që rëndom u përshkruhen traditës dhe socio-psikologjisë shqiptare.Këto ditë në New York nëpër kinema ka nisur të shfaqet premiera e filmit të ri të regjisorit francez Olivier Megaton (“Transporter 3” dhe “Columbiana”) në bashkëpunim me regjisorin dhe skenaristin po ashtu të njohur francez Luc Besson, "Taken 2", i cili është vazhdim i serisë së parë "Taken".
Të gjithë ata që e kanë parë pjesën e parë të këtij filmi dhe trilerin e pjesës së dytë, e dinë se pjesa më e rëndësishme apo ajo që e bën një film interesant dhe intrigues, ajo pjesa negative, kishte të bënte me shqiptarët.
Sipas një kritike të “The New York Times”, filmi është vlerësuara si PG-13 (Prindërit paralajmërohen rreptësisht) për shumë shqiptarë të vdekur!?
PG-13, sipas American Heritage Dictionary, është një standard që përdoret për një vlerësim filmi e që tregon se përmbajtja është e pranueshme për personat e të gjitha moshave, por që në rastin e fëmijëve nën moshën 13-vjeçare, prania e prindit ose kujdestarit sugjerohet si e domosdoshme.
Ngase, në këtë film, kokat e shqiptarëve bien si kunguj...
A merret dikush ndër shqiptarët me këso analizash se a jemi ashtu si mendojmë ne që jemi, apo ne jemi ashtu siç na perceptojnë të tjerët?
Në veçanti shqiptarët tradicionalisht krenohen me fjalën e dhënë apo "Besën".
Sot kur bota moderne funksionin mbi bazë të patriotizmit ligjor, shumë shqiptarë ende mburren me postulatin e gjakut që buron nga Kanuni i Maleve, apo siç njihet në literaturë "Kanuni i Lekë Dukagjinit".
Dhe sipas këtij këndvështrimi, janë të tjerët ata që na e kanë inat apo zili, dhe na perceptojnë për të tillë, të pabesë e të dhunshëm, ngase shqiptarët nuk bëjnë keq, prandaj krejt këto janë shpifje që e kanë bazën te stereotipat dashakëqij.
Apo shqiptarëve vërtet diçka nuk po u ec!?
Qysh është e mundshme që shqiptarët ndër vite të krijojnë një reputacion kaq të keq dhe a po e vuajnë ata një patologji shoqërore duke mos ia dalë të ndërtojnë shtet ligjor dhe t’i binden ligjit. A janë shqiptarët masivisht agresorë dhe të pacivilizuar, përderisa, të thuash të gjitha "vlerat" që ua njohin të tjerët ia kanë nënshtruar industrisë së pafundme të krimit të organizuar!?
"Taken 2" është i përmbytur me elementet më të pështira dhe kriminale dhe fatkeqësisht të gjitha këto atribute u përshkruhen shqiptarëve.
Thuajse licencën botërore për dhunë, arrogancë dhe për të vrarë e mbajnë vetë ata!?
“Mjeshtëria shqiptare e krimit”, prej trafiqeve me qenie njerëzore, armë e narkotikë e deri tek vjedhja, shpëlarja e parave, mitëdhënia/mitëmarrja dhe vrasja gjakftohtë, sikurse në propagandën mediale serbe, po ashtu edhe në industrinë e filmit evropian dhe hollywoodian, del të jetë ekskluzivitet i kësaj bashkësie.
Përderisa shtetit shqiptar s’i bëhet vonë të reagojë as kur në ekran (film) shfaqet një sekuencë ku shihet ndërtesa e Qeverisë shqiptare në Tiranë, e ku një zyrtar pranon para nga mafia për të treguar vendndodhjen e ish-agjentit të rrëmbyer të CIA-s Bryan Mills.
Ndërsa kosovarët edhe 13 vjet pas një lufte të drejtë, për liri kombëtare e dinjitet njerëzor nuk kanë arritur që ta plasojnë të vërtetën e tyre as në libra e media ndërkombëtare dhe hiç se hiç në artin filmik.
Kështu besa/pabesia dhe hakmarrja, të thuash i përshkruhet shtetit shqiptar, pra, këto atribute tribale në film dalin të kenë depërtuar thellë në palcën kurrizore të shtetit.
Shkelja e fjalës së dhënë, besës, është rëndomtësi në “Taken 2”, të cilën ironikisht e thyen aktori kroat me origjinë serbe, Rade Sherbexhia (në rolin e Murad Krasniqit, babai i një djali të vrarë nga Tropoja, i cili kërkon hakmarrje.)
Ngjarja zhvillohet ne Stamboll, ku ish-agjenti Mills është në udhëtim zyrtar, mirëpo të cilin më pas e befasojnë, me ardhjen e tyre, vajza dhe ish-gruaja e tij që kishin vendosur t’i kalonin disa ditë pushimi.
Mirëpo, makthi që kishte kaluar kjo familje disa vite më parë ende pa u harruar mirë, do të rikthehet në megapolisin turk. Babai i Markos (të vrarë në pjesën e parë nga Mills, pasi që i kishte grabitur vajzën), Murad Krasniqi (Rade Serbedzija) së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjeve shqiptare e bëjnë betimin në Tropojë se do të marrin hak për vrasjet e djemve të tyre dhe duke përdorur lidhjet e tyre edhe me Qeverinë e korruptuar të Shqipërisë, e zbulojnë se ku gjendet agjenti Mills dhe nisen për të kryer amanetin.
Më të arritur në Stamboll, mafia shqiptare e cila gjatë tërë filmit flet një shqipe të lodhtë, shpesh edhe banale, arrijnë që të rrëmbejnë ish-agjentin amerikan dhe gruan e tij, mirëpo jo edhe vajzën, e cila bëhet shkaktare që Mills të lirohet nga rrëmbimi dhe të fillojë “ritualin” e tij, me lehtësi të padurueshme, të vrasë shqiptar pas shqiptari, në mes të Stambollit, deri në “Happy end”-in hollywoodian - shpëtimin e gruas, në këtë rast.
Situata më tragjikomike vjen në pjesën e fundit të filmit, kur njeriut të fundit nga klani shqiptar, Murad Krasniqi, kokës së mafisë, megjithëse të zënë rob, i jepet një mundësi për të jetuar së bashku me dy djemtë e tij, me premtimin se nuk do t’i vijë kurrë më prapa agjentit amerikan. Autorët e filmit, ndërkaq, nuk e harrojnë detajin më ekzotik.
Shqiptari i jep besën Millsit se tregimi mbaron me kaq.
Mirëpo më ta kthyer kokën agjenti Mills, Muradi kap revolen të cilën që më parë vetë Mills e kishte lëshuar në tokë si sprovë dhe do ta qëllojë amerikanin, mirëpo, revolja ishte e zbrazur më parë dhe shqiptari dështon.
Kështu, një shkelje e inskenuar bese dhe filmat Hollywoodian rrëshqasin në stereotipin për shqiptarin e pabesë e egërshan dhe gjithmonë “bad boy’s” – sikur në logjikën e historiografisë serbe gjatë shekujve, “si njerëz me bishta”, që nuk dinë ç‘është dashuria dhe puthja, që vrasin pas shpine dhe grabisin femrat e fqinjëve...
Fjala e dhënë është postulat tribal dhe i karakterizon bashkësitë para shoqërore dhe para politike (vendet tributë e jo ligjet janë nomos të ekzistencës).
Së këndejmi, vetë nomosi i besës duhet të përjashtohet nga rendi shoqëror shqiptar, që të mos përdoret si mjet “artistik” nga të tjerët, për nxjerrjen e tyre nga moderniteti.
Po të bëhej një film në Kosovë, kushtimisht, nga një regjisor me origjinë shqiptare, e ku amerikanët do të përshkruheshin si brutalë, hajna e besëpremë, madje ku kokat e tyre do të binin në ndonjë shesh të ndonjë qyteti ballkanik, si kunguj, sigurisht se shumë amerikanë do ta shihnin autorin besëpremë të vërtet, mosmirënjohës, komunist apo xhihadist, kurse po ai autor i supozuar, ndër shqiptarët do të leçitej përjetë, duke e damkosur si antiamerikan, tradhtar të kauzës shqiptare e çka mos tjetër.
Ndërkaq që diplomacia amerikane do të reagonte tek autoritetet shqiptare dhe kosovare për mungesë sensi dhe shijeje artistike.
Ndërsa në Hollywood prototipi i shqiptarit është thjesht trafikant i pashpirt dhe vrasës gjakftohtë, dhe s’u bë nami!
I shikoni në TV, dokumentarët për gangsterë amerikanë që grabisin banka dhe vrasin zyrtarët, pastaj i shihni disa marinsa të papërgjegjshëm amerikanë duke urinuar mbi të vrarët në Afganistan; ose i shikoni në CNN disa qytetarë amerikanë duke vjedhur kompjuterë pas Hurricane Katrina në New Orleans më 2005; kur së bashku me uraganin ra edhe shteti ligjor për disa ditë? Po!
Janë thjesht disa gangsterë të ligj, disa ushtarë të papërgjegjshëm (më pas të ndëshkuar nga gjyqësia amerikane) dhe disa qytetarë hajna...
Po këta nuk janë amerikanët.
Nuk e përthekojnë dhe as nuk e prezantojnë civilizimin amerikan.
Këta janë njerëz të këqij, nga ana tjetër e ligjit, por nuk janë të “huajt e këqij”, në përgjithësi, si shqiptarët e regjisorit Megaton.
Skemat bardhë-zi, për tjetrin – të keq dhe kriminelët tanë të mirë, janë të tejkaluara qoftë edhe për një film mediokër, e lëre më në historiografi.
Me pak fjalë, imazhi i shqiptarit në botë, hala vazhdon të jetë po ai i fizikanit, historianit e shkrimtarit prolific, politikanit (prefekt i Beogradit e pastaj edhe ministër arsimi dhe i jashtëm e kryeministër serb), Vladan Gjorgjeviq (1844-1930.)
Vladan Gjorgjeviq është “arkitekti” modern i stereotipit mbi shqiptarët si “njerëz me bisht”, sipas historianes Olivera Milosavleviq, ligjëruese në Fakultetin Filozofik në Beograd, e cila sipas modelit dekonstruksionist i ka bërë një qasje kritike historiografisë bashkëkohore serbe, duke thyer mitet kombëtare të përhapura në librat e historisë. Gjorgjeviq shkruante se gjakmarrja te shqiptarët “edhe gratë e urta i kthen në bisha që pinë gjak njeriu”, se në gjuhën shqipe nuk ekziston fjala “dashuri” dhe “puthje”.
Kurse kolegu i tij, Jovan Tomiq, shkruan se “arnaut ka qenë sinonim për dhunuesit dhe plaçkitësit.”
E kuptueshme, përdorimi dhe manipulimi i skajshëm i të vërtetës për qëllime politike (sundim) nuk është diçka e re dhe e rrallë për serbët në raport me shqiptarët.
Por është e pakuptueshme kur të vërtetën për shqiptarët e shohin me të njëjtën dritë në Hollywood.
Çfarë i shtynë shqiptarët në patologji të tilla, në egërsi, agresion, pabesi, qoftë vetëm verbalisht?
Janë primitivë apo kanë shumë xhelozi për suksesin e tjetrit?
Apo thjesht, nuk e duan tjetrin sepse janë ksenofobë!?
A thua që të gjitha atributet si në filmin “Taken 2” janë propagandë dhe shpifje të armiqve, sepse shqiptarët janë engjëjt e fundit në Tokë!?
Kujt me i zanë besë?
Besë, askujt më.
Faktografia dhe e vërteta (as në shkenca sociale e literaturë dhe as në arte) nuk është çështje bese (besimi), por çështje analize e filozofisë së historisë dhe çështje e analizës kritike të vlerave humane e estetike.
Regjisori Megaton ia ka futur kot.
Profilizimi i shqiptarit sipas skemës “masivisht i egër” nuk shkon.
E ka sa të duash shqiptarë egërshanë e kriminelë.
Siç ka të tillë në të gjitha shoqëritë.
Koha Ditore
Add new comment