Hipotetikisht në shtetin e së drejtës

Postuar në 07 Dhjetor, 2012 03:30

*…dhe njerëzit janë dyndur sakaq, të informohen për shtetësinë e premtuar bujshëm e pa kriter nga qeveria shqiptare një ditë më parë (4 dhjetor)*

 

Në fakt kur flet qeveria dhe e bën zyrtarisht, nëpërmjet faqes së saj zyrtare, ajo krijon premisa e aspektativa të ligjshme e të arsyeshme. Sepse njerëzit, zakonisht e marrin seriozisht shtetin e tyre, aq më tepër kur ky pretendon të jetë Shtet i së drejtës (preambula e Kushtetutës shqiptare, dhe e sa e sa kushtetutave të tjera). Deklarata e djeshme e qeverisë shqiptare, titullohej: “Shtetësi për çdo shqiptar kudo që ndodhet”. E kërkon puna, e kërkon 100 vjetori, e kërkon qeveria, kjo është ende e paqartë. Rëndësi ka që vlojnë lirshëm ofertat për shtetësi, për të tërë, kudo që ndodhen.

Një nismë që në pamje të parë të ngazëllen me pozitivitet. E që në pamjen e dytë, atë të ligjshmërisë, të bën të vësh duart në kokë, teksa vendos një tjetër standard të shkeljes e mosrespektimit të ligjit nga autoritetet shqiptare, me të cilin standard opinioni publik anembanë ushqehet prej kohësh dhe bujarisht.

Në fakt ligji shqiptar nr. 8389 i 1998 (i ndryshuar) për shtetësinë, përcakton një sërë kriteresh për marrjen ose lënien e shtetësisë, që qeverisë duket se i kanë shpëtuar. Qeveria ka folur për të tërë shqiptarët, pa asnjë dallim e kudo që ndodhen. Që pikësëpari ngre problemin e moshës, dhe të aftësisë për të vepruar. Jo të gjithë shqiptarët janë mjaft të rritur për të ndërmarrë këtë zgjedhje e proces në kompetencë të qeverisë (po t’i besosh deklaratës për shtyp në faqen e Këshillit të Ministrave). Do të duhej minimumi pëlqimi i prindërve, që jo domosdoshmërisht kanë shtetësinë e supozuar shqiptare, apo dëshirë për ta bërë fëmijën shtetas shqiptar.

Kriteri tjetër: gjeografia. Qeveria u drejtohet pa dallim të gjithëve kudo që ndodhen. Ndërkohë që ligji vendos kushtin e banimit të ligjshëm e të vazhdueshëm të të interesuarit në Republikën e Shqipërisë. Përpos të cilit vjen kriteri kohor: 3-5 vjet qëndrim të rregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë. Afate këto që natyrshëm kapërcejnë edhe kohën në dispozicion të qeverisë aktuale, që është në fund të mandatit, për të realizuar nismën në fjalë. Për të mos folur për kriterin e të ardhurave të mjaftueshme, të sigurisë e mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, që nuk duhet të cenohen nga kërkesa eventuale dhe pranimi i saj. Apo për kriterin e historisë penale individuale, që i interesuari duhet të gëzojë “pa njolla”, i lustruar, të paktën për sa i përket krimeve që dënohen me jo më pak se 3 vjet heqje lirie.

Në fakt ligji parashikon edhe një rast përjashtimor kur kriteret e mësipërme mund të anashkalohen, (përveç atij të sigurisë dhe mbrojtjes së Republikës), kur shteti shqiptar***ka një interes shkencor, ekonomik, kulturor dhe kombëtar* për të dhënë shtetësinë. Arsye që përveçse mbeten për tu argumentuar eventualisht në draftin e propozimit qeveritar, përfaqësojnë sidoqoftë përjashtimin nga rregulli i përgjithshëm. Një përjashtim që ngre pikëpyetjen e madhe të ligjshmërisë, për sa kohë ai nuk mund të zëvendësojë rregullin e përgjithshëm, e aq më shumë në atë masë milionere (10 milion shqiptarë?) të shtetëzimit të shqiptarisë anembanë.

Ndoshta janë këto konsiderata, që kanë bërë që deklarata entuziaste qeveritare e djeshme, të shoqërohet sot nga një tjetër, ajo e ftesës së opozitës për të bërë një ligj të ri për shtetësinë. Me sa duket ligji është konsultuar pas premtimit madhor zyrtar. Dhe pasi njerëzit janë dyndur të marrin tokën e premtuar. Ndërkohë që ftesa ndaj opozitës, më shumë se vullnetit gjithëpërfshirës qeveritar, duket se i përgjigjet një kriteri të paanshkalueshëm kushtetues. Kushtetuta shqiptare kërkon pjesëmarrjen e opozitës kur bëhet fjalë për ligjin për shtetësinë, për t’i dhënë sa më shumë garanci procesit, e kësisoj vetë institutit të shtetësisë. Në fakt ligji për shtetësinë renditet krahas kodeve e ligjeve organike (ato që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve kushtetuese) për nga rëndësia.

Për ligjin për shtetësinë Kushtetuta kërkon 3/5 e votave të deputetëve, pra një pjesëmarrje të politikës së përfaqësuar në Kuvend që anashkalon projektin qeveritar, e që duhet të themelohet patjetër në konsensusin e gjerë (i njëjti konsensus që dikur garantonte zgjedhjen e Presidentit të Republikës).

Dhe vijmë natyrshëm tek Presidenti, të cilit Kushtetuta i beson në mënyrë ekskluzive dhënien ose lënien e shtetësisë. Kushtetuta shqiptare në asnjë rast nuk e lidh shtetësinë me Kryeministrin, ministrat, apo me Këshillin e Ministrave, por vetëm me Presidentin e Republikës. Kjo sepse Kushtetuta e ka konceptuar Presidentin si organ garancie, jo politik, as të ndonjë pale, në të njëjtin nivel me organet e drejtësisë, e të vetë Gjykatës Kushtetuese.

Dhënia apo lënia e shtetësisë i takon Presidentit po aq sa caktimi i datës së zgjedhjeve, ushtrimi i të drejtës së faljes, shpallja e ligjit, e të tjera të llojit. Të pretendosh pra publikisht dhe zyrtarisht ushtrimin e një kompetence ekskluzive presidenciale, nënkupton që qeveria zyrën presidenciale e konsideron si një dikaster të vetin, në dispozicion të programit të saj politik. Gjë që do çonte natyrshëm në të tjera pretendime eventuale qeveritare, si p.sh, kryerja e hetimeve në vend të Prokurorit të Përgjithshëm, apo marrja e vendimeve në vend të Gjykatës Kushtetuese. Lista me ndërhyrje në kompetencat e organeve të pavarura kushtetuese mundet veçse të zgjatet.

Gjendemi pra hipotetikisht, përballë një qeverie të gjithanshme, të vetëmjaftueshme, e që me forcën e vullnetit dhe të faqes zyrtare, mund të përjashtojë e të ftojë kë të dojë në festë, qeverisje, apo shtetëzim të shqiptarisë, pavarësisht ligjit, pavarësisht integrimit në BE dhe pavarësisht standardit aq të vyer të vendit NATO.

Hipotetikisht, në shtetin hipotetik të së drejtës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.