Hinterhof!

Postuar në 23 Shtator, 2012 06:44

Pse duam të na dojë dikush kur nuk e duam veten tonë? Për respektin as të mos flasim. Për çdo gjë që ka të bëjë me kulturën “kulturore”, por edhe atë politike, ekonomike, financiare e që kanë të bëjnë me ne si komb, popull, shtet(e) shqiptarësh në Ballkan ende s’ekziston ajo forcë e brendshme, t’i themi bërthamë, e cila do të mund të mbante ritmin e diskursit në qasjet e ashtuquajtura të aktualitetit dhe ato që do të mund të quheshin paprekshmëri, vija të kuqe, norma të cilat ekzistojnë tek çdo komb dhe shtet normal, i kohës, modern.

Apo duam shembuj të cilët i kemi gjithandej dhe çdo çast- lehtësisht të prekshëm dhe tmerrësisht të shëmtuar. Për të mos u thënë edhe ndryshe.

Prandaj pyetja: prej nga buron krejt kjo energji negative, e cila edhe nëse ka synimin e iluminimit, del të jetë o një flluskë sapuni, o një front injorance. Të ketë qenë shtypja e gjatë dhe me këtë edhe robëria shekullore ajo që na bën të mos e kapim hapin e kohës? Apo jemi kështu siç jemi pse pikërisht në amalgimin mes virtualitetit dhe (ri)njohjes, çlirimeve ideologjike dhe (ndër)kombëtare me një shpejtësi të paparë kapërthuremi çast për çast e ditë për ditë? S’kemi sociologë që do të mund të na e shpjegonin këtë fenomen ngutje temash dhe me këtë rraskapitjesh kaq të mëdha të cilat s’kanë si të mos i ngjajnë një turme të dehurish të cilët e dinë që janë nisur për dikund, por ja që gjatë rrugës, ashtu, në dehje e sipër harrojnë qoftë ëndrrën e aq më tepër cakun për ku janë nisur.

Mungesa e një apo edhe disa elitave është një prej problemeve kryesore që shqiptarët e kanë. Hendeku i krijuar në robëritë komuniste dhe me këtë edhe ideologjike duket që prej shoqërisë shqiptare të ketë krijuar një formë amorfe e cila kapardiset nëpër degët e holla të virtualitetit në njërën anë dhe realitetit brutal e të pamëshirshëm në anën tjetër. Pa pasur një trung. Një shtyllë. Një epiqendër e cila do të mund që quhej: dije e thellë, moral tradicional dhe synim sistematik për t’u bërë si “gjithë Europa”. Dhe kjo Europë- na shikon dhe fërkon sytë. Na njohin më mirë sesa ne veten. Naivisht të parashikueshëm dhe tradicionalisht të skanueshëm.

Shqiptarët vazhdojnë të jenë “Hinterhof”-i i Europës. Në Tiranë, Prishtinë, Shkup… e gjetiu. I pëlqeu dikujt apo jo: ky është realiteti. Dhe prej tij, zor që do të mund të shkëputemi. Sepse stereotipet për veten tonë i kemi krijuar vetë. Dhe ua kemi servirur të “tjerëve”.

Problemet e identitetit, kulturës së komunikimit- në të gjitha nivelet, traditës së korrupsionit, krimit, nepotizmit dhe krejt izmave tjerë zor që do t’u ikim po qe se nuk ballafaqohemi vetë dhe drejtpërdrejt me to i përjetojmë, shohim dhe komentojmë ditë e natë. Prej mejhaneve ku hamë e pimë përmes po mejhaneve virtuale. Dhe nuk kemi “armë” e që në fakt do të duhej të ishte ilaç, që do të mund të na nxjerrë nga këto udhë të verbra të cilat jo vetëm që po na kushtojnë, por që është edhe më keq, edhe brezave që vijnë do t’u kushtojnë po aq sa neve.

Dhe këtu vijmë tek ajo pika tragjike: vetmjaftueshmëria. Fati i mirë që jemi gjallë. Që kemi shpëtuar- nga pushtuesit po se po por edhe nga vetvetja. Ndryshe s’ka si të jetë kur në Europë, përkundër krizës dhe krizave të mëdha financiare flitet për brezat që do dënohen nga ekonomia apo edhe Euro e rënduar, tek ne flitet për atë sesi mund të dalim nga krimi e korrupsioni, mashtrimet e shantazhet, vjedhjet e vrasjet.

Prandaj janë joserioze dhe s’duhet marrë afër zemrës debatet e shpejta për identitete e shitje-blerje kombesh e kombëtaresh (futbolli). As ato për punët e tjera të bashkimeve e ndarjeve. Sepse puna e shqiptarëve ndoshta duhet parë si puna e një ideje të madhe. Dhe kjo ide e madhe s’ka si dështon ndryshe pos në njerëzit. S’e kemi të shpikur sepse B. Brecht e ka thënë: Idetë e mëdha dështojnë në njerëzit. Kaq.

Shkojmë me radhë. Lexoja sesi një botuese nga Tirana thoshte që “Vargjet satanike” do të botohen në shqip dhe pikë. Pra s’ka kthim prapa. Tashti do të plasë ai debat i madh nëse “Vargjet” e Rushdiut na duhen shqip apo jo. Duke harruar a mos e ditur (ta marrim si të duam), që këto ditë bota letrare- dhe jo vetëm ajo, në Amerikë, Europë e Azi, është fare e tronditur nga po Salman Rushdiu. Gjithsesi: jo nga “Vargjet satanike”, por nga libri i tij autobiografik “Joseph Anton”! Ja pra, 30 vite më pas ne flasim nëse i duam për “Vargjet”, kurse autori i tyre dhe i dënuari me “Fatwa” tregon sesi ai kishte jetuar krejt ato vite!

Dhe fare për fund. Kadare. E keni parë dhe dëgjuar? Jemi në fund të shtatorit. Koha kur bursat e hedhin zarin e madh të fituesve të mundshëm të Çmimit Nobel… Dhe çfarë ngjet? Shtriga dhe ndihmaçarët e saj kanë filluar me të madhe të shpikin e shpifin kampanjat e tyre kalendarike kundër Kadaresë! Sepse duan që duart e tyre të zgjatura shpejt e shpejt nga mejhanet e tyre elektronike të nisin vajin drejt Stockholmit. Kundër Kadaresë.

Edhe kësaj, si shumë e shumë shembujve e shkarjeve të tjera i thonë që s’kemi si të jemi ndryshe pos ashtu siç jemi dhe të tjerët na shohin dhe skicojnë. Sepse po të kishim vetëm diçka nga etika dhe kultura, dashuria dhe idealizmi për të qenë pjesë e kësaj bote- nuk do ta mundonim veten kaq keq. Dhe nuk do të vazhdonim të jemi dhe sillemi si Hinterhof-i i civilizimit perëndimor!

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.