Dy murgesha dhe një foto kopertine
Mund të ishte e denjë për kopertinën e një reviste erotike me fantazi të shfrenuar, se sa për të ilustruar një histori serioze dhe shumë të sinqertë që motrat karmelitane në Nënshat të Shkodrës kanë lejuar të shkruhej për to. Kësaj here, fotografi Armand Sallabanda dhe ata që drejtojnë Madame Mapo-n më duket se e kanë katranosur paksa duke ilustruar historinë e dy murgeshave me një foto të tillë. Qerpikët e lyer, vetullat e hequra dhe buzëkuqi i dendur bashkë me pudrën në fytyrën e modeles janë krejt antiteza e asaj çka motrat kanë thënë e bëjnë në jetën e tyre. Në fakt këtu mungon edhe fantazia e vetë autorëve e administratorëve të revistës për ta bërë atë më tërheqëse. Do kishte qenë më tërheqëse sigurisht nëse madamat e kryeqytetit do të kishin parë e dhe lexuar një model pak më ndryshe se ai që shohin çdo ditë, ku makiazhi është bërë i vetmi mjet për mbuluar defektet apo rrudhat që vështirë pranohen nga ata që rendin drejt vanitetit. Do kishin parë gra që si ato zgjedhin diçka ndryshe, e ndoshta do t’u bënte më mirë…
Por kjo mënyrë e të bërit të gjërave nuk e ndihmon komunikimin, madje e ndalon atë, sepse me foto të tilla sigurisht do të jetë e vështirë që pas një viti, një tjetër gazetare të marrë një intervistë për motrat karmelitane apo të tjerë. Ajo intervistë u dha me dëshirë, me mirëbesim e ato ilustrime duket sikur këtë mirëbesim e keqpërdorin.
Do kishte qenë në nderin e revistës dhe të dinjitetit të motrave sikur Sallabanda të shkonte bashkë me gazetarët e të bënte ndonjë foto prej së vërteti të motrave, buzëqeshja e të cilave nuk ka të bëjë me profilin trishtues prej kufome të modeles së zgjedhur, e cila është e detyruar të veshë edhe rrobat kinse të një murgeshe.
Në fakt nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, por herës tjetër ishte me një revistë që është krejt anonime në shtypin shqiptar dhe kishte nevojë të lançohej nëpërmjet një fotoje skandaloze. As nuk ia vlente të reagoje pasi ishte nën nivelin minimal të një reviste gossip. E në fund të fundit nuk është as faji i fotografit, por i një logjike komerci që pranon gjithçka vetëm duke menduar si të shesë mallin.
Thënë kjo, intervista ishte shumë mirë, e komentet e intervistueses deri diku të goditura. E dikush mund të më thotë: po ja çfarë ke tani? Përmbajtja është në rregull, formën a mund t’ia lëmë revistës? Çështja është se sot pakkush shkon te përmbajtja e shumë i jepen formës, e sot flitet më shumë nëpërmjet formës sesa përmbajtjes. Por jo vetëm kaq, forma, edhe ajo e jashtme, duhet të respektojë përmbajtjen. MAPO
Comments
Ky eshte nje rast me shume i
<p>Ky eshte nje rast me shume i asaj qe ne anglisht i thone "pandering", dmth t'i ofrosh publikut gjera qe redaktori mendon se e perkedhelin, i hapin oreksin, nisur nga kenaqesia dhe terheqja e castit. Ne fakt, sado shitje te kish humbur revista ne fjale duke ofruar nje imazh real te nje murgeshe ne kopertine nuk ma merr mendja se do t'i shkaktonin ndonje dem financiar serioz. Perkundrazi, duke vendosur nje foto te nje murgeshe reale revista do tregonte se ka shtylle kurrizore, pra se prezanton murgeshen kur vjen fjala per murgeshat dhe modelen sexy kur vjen fjala per modelet. Me kete lloj kopertine ajo tregon se eshte media pa bosht, tejet e komercializuar e per te mos t'u marre seriozisht prej lexuesve.</p>
Add new comment