Drejt presidentit përbashkues

Postuar në 21 Maj, 2012 05:06

Ndërkohë që Kryeministri Berisha i ka shtyrë të gjitha lëvizjet konkrete për kreun e shtetit pas kthimit nga Çikago, ambasadori amerikan Arvizu nuk ka përtuar t’u bëjë nga një koment të detajuar më shumë se një duzine kandidatësh presidencialë, të rreshtuar në emisionin e Arian Çanit. Megjithëse vetë Arvizu u kujdes që ta kamuflonte mendimin e tij për personat e afishuar, duke u ndalur në batuta apo duke u rrëshqitur përgjigjeve, ka qenë e mundur të konfirmojmë edhe një herë identikitin e kreut të shtetit, ashtu siç do ta donin ndërkombëtarët.

Jo i atashuar fort me një sigël politike, i qëndrueshëm ndaj presioneve që do t’i vijnë nga anë të treta, i aftë në komunikim dhe liberal në drejtim e gjykim. Pak a shumë ky është përshkrimi i kreut ideal të shtetit, sipas Aleksandër Arvizu, i cili mesa duket la shumë buzë të rrudhura nga pas. Jozefina Topalli më e para fare, e cila për diplomatin amerikan, nuk përmbush kriteret e paanësisë dhe nuk ka mbështetjen e opozitës. Refreni i mbështetjes së opozitës do të dëgjohej shumë shpesh nga goja e zotit Arvizu, i cili nuk mungoi të thotë se mazhoranca mund ta zgjedhë me shumicë të thjeshtë kreun e shtetit, por ky do të konsiderohej një “shans i humbur” nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Një përcaktim ky që është dëgjuar jo rrallë në të shkuarën dhe që është përdorur gjithmonë për të dëshmuar zhgënjimin e të huajve për zhvillimet në Shqipëri. Madje Arvizu nuk harroi as t’i dërgojë një mesazh në distancë Kryeministrit, duke i kujtuar se nuk po zgjedh një anëtar të kabinetit të tij, por kreun e të gjithë shtetit.

Dalja publike e Arvizusë në momentin kur fushata presidenciale po ndez motorët, shënon një marrje të qartë pozicioni të SHBA-së dhe europianëve, ndaj një procesi që po rrezikon të degradojë në një luftë llogoresh politike. Pasi u përkundën gjatë në tundimin e “presidentit kushtetues”, i cili, sipas një logjike trashanike nënkupton zgjedhjen me 71 vota, ndërkombëtarët po shohin përditë e më qartë se ky variant do të çojë në një krizë të thellë politike në vend. Nëse kreu i shtetit zgjidhet në bazë të një logjike kundërvënieje mes qeverisë dhe opozitës, kjo do të prekë jo vetëm stabilitetin e vetë qeverisë (pozita delikate e LSI-së), por do të kushtëzojë edhe një sezon krize, që do të kulmojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Kjo frikë ishte e lexueshme në komentet e Arvizusë, të cilat në këtë pikë ngjajnë si dy pika uji me komentet që ka bërë së fundi komisioneri Fyle e politikanë të tjerë të lartë europianë.

Animi i dukshëm i bashkësisë ndërkombëtare drejt një presidenti përbashkues, e jo një kreu shteti që do të përmbushte vetëm orekset e njërës palë, shënon një zhvillim esencial në ekuacionin e madh që po luhet për javët në vazhdim. Kjo këshillë me zë të lartë e ndërkombëtarëve duket se i drejtohet më së pari shumicës qeverisëse (hiq LSI-në, e cila ka një qëndrim të ndryshëm). Arvizu e tha hapur se figura si Topalli apo edhe të tjerë që shihen si të afërm me mazhorancën, janë ose të papërshtatshëm për pozicionin e kreut të shtetit, ose kanë nevojë “të pinë më shumë kafe me opozitën”, për të marrë edhe përkrahjen e saj.

Nga ana tjetër, një presion i tillë duket se prish edhe planet e përfolura të Ramës e Metës, për një demarsh për ta zgjedhur kreun e shtetit me votat e tyre, duke nxjerrë në pakicë Berishën.

Ky është në fakt triumfi i përkohshëm i presidentit konsensual, megjithëse askush nuk guxon ta quajë kështu. E në fakt termat kanë shumë pak rëndësi, nëse formula është e njëjtë apo e përafërt. Por që kjo dëshirë e ndërkombëtarëve të materializohet, ka ende shumë punë. Hyrja në lojë e Berishës pas 24 majit, me shumë gjasë do të shënojë rëndimin e klimës mes palëve, duke i vështirësuar bisedimet. Sepse Kryeministri s’do të dojë që t’i japë avantazh Ramës, duke i siguruar sukses nismës së tij për negociata dhe së dyti, ai do të vijojë të qëndrojë fort për të zgjedhur njeriun e tij në Presidencë. Një kryetar shteti “noter”, siç e quan Rama, është një garanci për Berishën në kohët e turbullta që e presin. Sidomos në rastin e një humbjeje politike në zgjedhjet e 2013-s. Por është gjithashtu e vërtetë se projekti i tij i kontrollit të presidencës, pas largimit prej aty të “bukëshkalit” Bamir Topi, po vështirësohet përditë e më tepër. Në horizont shfaqet sërish hija e “mister X”. E atij kandidati, i cili sot, ndoshta nuk e di akoma, se pas dy muajsh mund të jetë kryetar shteti. Por të presim e të shohim. Ka ende rrugë përpara.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.