Drejtësia vdiq, të na rrojë bujqësia!
Gjykata e Tiranës sot mori një vendim, që lajmeroi shqiptarët dhe botën mbarë se deformimi I demokracisë shqiptare arriti shkallën e vet të fundit. Sot edhe ata që besonin tek tranzicioni i zgjatur I Shqipërisë nga diktatura në demokraci, e morën vesh se ky tranzicioni ynë i programuar në zyrat e Partisë së Punës dhe i drejtuar nga besnikët fanatikë të diktaturës komuniste paskej qenë vërtet sui generis.
Vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për të shpallur të pafajshëm vrasësit dhe për t’ua hedhur fajin të vrarëve, ishte pika e fundit që e derdhi kupën e zullumeve të një pushteti të inkriminuar deri në atë masë, sa na e ktheu dhe demokracinë perëndimore në demokraci popullore, sikundër na e ktheu dhe drejtësinë e këtij vendi përsëri në drejtësinë popullore të diktaturës së proletariatit.
Nuk ka më vend për të shpresuar se ky lloj pushteti mund të pranojë të organizojë zgjedhje të lira e të drejta sipas standardeve të njohura ndërkombëtare. Nuk ka më asnjë shpresë se ky lloj pushteti mund të pranojë rotacionin normal politik. Nuk ka më asnjë shpresë se ky lloj pushteti, i bërë tok ke krimin, mund të ketë ndonjë skrupull për ta fshehur më tej gjakimin e vet për diktaturë. Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Tiranës, e morën vesh shqiptarët e mbarë bota se putinizmi në këtë Shqipërinë tonë u kthye sheshit në stalinizëm. Në stalinizmin që provuam për gjysmë shekulli dhe e duruam si dimë na të durojmë pushtetin zullumqar…
“Jemi të tronditur nga një vendim I tillë” – deklaroi Ambasada Amerikane. Dhe të gjithë shqiptarët normalë e besojnë që kanë arsye të tronditen keq me atë vendim edhe miqtë tanë të Ambasadës Amerikane. Por nuk e kuptojnë dot se si e sa mund të jetë tronditur shkëlqesia e tij, Ambasadori amerikan në Tiranë, kur ka dëgjuar urdhëruesin e atij vendimi të deklaronte se do të hiqej TVSH-ja për plehrat kimike dhe kjo duhet t’I bënte shumë të lumtur fermerët shqiptarë… Dhe këtë deklarim brigadieri i pushtetit aktual e bëri pasi ka urdhëruar gjykatën të shpallë fajtorë të vrarët e të shpallë të pafajshëm gardistët e Republikës, që i ktheu po ai vetë në vrasës me pagesë, kur u dha urdhër të qëllonin mbi demonstruesit e çarmatosur në atë 21 janar, ditën që me armët e Gardës së Republikës u mundua të vriste frikën e vet nga populli i zemëruar.
Dhe duket se atë frikë nga populli, frikë nga demokracia e frikë nga liria, nuk e ka vetëm brigadieri i vrerosur I këtij pushteti që ecën në rrugën kriminale të diktaturës së djeshme gjysmëshekullore. Frikë nga populli, frikë nga demokracia e frikë të madhe nga liria duket se kanë edhe ata gjyqtarë që zbatojnë urdhrat e pushtetit, në vend të zbatimit të ligjeve të këtij vendi.
I duroi ky popull durimshumë edhe juristët e Komisionit Zgjedhor kur shkelën haptazi Kodin Zgjedhor dhe ligjet e Kushtetutën e këtij vendi dhe, në vend të tyre, zbatuan urdhrat e pushtetit për të vjedhur zgjedhjet, madje edhe për t’I grabitur votat sheshit në mes të ditës e në sy të shqiptarëve e të mbarë botës. I duroi ky popull durimshumë dhe ata gjyqtarë që zbatuan urdhrin e pushtetit dhe quajtën të ligjshme shkeljet e rënda të ligjeve e të Kushtetutës , sepse zbatimi I drejtë I ligjit e nxirrte humbës pushtetin. I duroi ky popull durimshumë edhe ata “specialistët” e përdorimit të procedurave e të marifeteve ligjore për të shkelur ligjin e për të zbatuar urdhrin e pushtetit.
Pse të mos mendojë pushteti atëherë që ky popull durimshumë nuk do të durojë dhe këtë vendim të padëgjuar në historinë e re të Europës sonë? Pse të mos mendojë ky lloj pushteti se ky popull durimshumë, që ka duruar diktaturën e Enverit për gjysmë shekulli, të mos e durojë dhe një gjysmë shekulli një diktaturë të trashëgimtarit besnik të Enverit? Tek e fundit tranzicion është dhe kalimi nga një demokraci OMGJ në një diktaturë laramane komunisto-naziste. Tranzicion është edhe të kalojë pushteti nga një enver qyteti tek një enver fshati. Pse duhet ta humbasin durimin për kaq pako gjë shqiptarët e mësuar aq gjatë me diktaturë?
Ja le të pyesin vetë Gjykatën. Aty e kanë. Kush bën komente për vendimet e Gjykatës, është armik i drejtësisë sonë OMGJ! Madje është armik popullit! Këtë ua bëri të qartë shqiptarëve dhe spikerja nevrike e Kuvendit të Rruzhdies. A nuk I telendisi kuvendarët e opozitës me atë tërsëllëmin e saj të njohur për ëmbëlsi fjale dhe edukatë qytetare?
Po ata zymbylagat e grupit kuvendor të pushtetit, nuk e patë sa të gëzuar që qenë nga ai vendim i padëgjuar i Gjykatës së Tiranës? U qe zënë fryma nga gëzimi që drejtësia jonë vuajti sa vuajti këto 23 vjet, po më në fund u kthye aty ku i ka hije: u bë prapë drejtësi popullore!
Nuk e patë se sa i gëzuar ishte vetë kryesyesi I senacës gjyqësore, kur këndoi vendimin historik, që shpalli vrasësit të pafajshëm dhe gjeti që fajtorë paskanë qenë të vrarët? Apo nuk paskeshin rrezikuar dhe vetë demokracinë me atë demonstratë të zemëruar!…
Apo ai avokati i majmë, që nuk e mbante dot gëzimin! E jo vetëm nga vendimi aq i drejtë i një drejtësie të marrë peng nga pushteti për të mirën e popullit dhe të vetë drejtësisë. Ai zotëri , që çuditërisht merr në mbrojtje vetëm pushtetarët dhe të lidhurit ngushtë me pushtetin, a thua se është Avokat i Shtetit, nuk kishte si ta përmbante gëzimin e ligjshëm që ndiente, kur deklamonte se protestuesit me duart në xhepa paskeshin rrezikuar e jo pako gjë, po vetë jetën e kryeministrit(!) Apo nuk qe lodhur për të gjetur aq bukur atë rastin për pafajsinë e karabinierit italin , që shtiu dikur ndaj një protestuesi në Gjenova i trembur për jetën e vet? Do vemi apo nuk do vemi dhe neve në BE? Ja dhe ato të tre ligjet që ka penguar opozita e “bllokimit, bllokuese e bllokatore” do t’i rrëzojmë me “fitoren plebishitare të zgjedhjeve më 23 qershor”! Një fitore që do ta sigurojmë si atë të bashkisë së Tiranës, për të cilën dhe Departamenti Amerikan i Shtetit paska thënë që “nuk lejuan popullin të vendoste me votë për drejtuesit e tyre” E punë e madhe se si e sheh Amerika zhvillimin e zgjedhjeve tona! Këtu nuk është Amerikë, po është Shqipëria e komandantëve të përjetshëm të pushtetit!
Edhe FBI-ja sikur i nxori vrasës ata që Gjykata e Tiranës I shpalli të pafajshëm, Po ajo ekspertizë ka shkuar në Gjykatën tone ”me vonesë”. Dhe ekspertizat e vonuara nuk mund të përbëjnë prova për gjykatat e drejtësisë popullore. Në Amerikë ne kemi ekpsertët e lobimit për të pastruar faqen e pushtetit tonë popullor e prandaj i paguajmë me paratë e taksave të vjela nga qytetarët. A nuk janë qytetarët TË PARËT për këtë pushtet popullor ?
Tek e fundit , pse të zgjatemi për vendimet e Gjykatave? Ne jemi demokraci popullore dhe kur flet drejtësia, të tjerët duhet të rrinë sus! Nuk e patë vetë brigadierin e pushtetit si rrënjete i tëri , kur pikërisht sot në ditën e vendimit historik të Gjykatës së Tiranës, u dha fermërëve të lumtur të Shqipërisë sonë komunisto-fashisto-monarkiste se pushteti do të hiqte TVSH- fare për plehrat kimike? Ç’punë ka i pari I këtij pushteti me vendimet e gjykatave, që t’i komentojë? Ato vendime nuk kanë nevojë për koment, se janë marrë në pavarësi të plotë e në zbatim të rreptë të ligjeve të këtij vendi , ligje që mund t’i shkelë vetëm, pushteti ” për nevoja publike”. Apo kur pushtetit i ka hyrë lepuri në bark nga frika e popullit, që e do aq shumë…
Mbase kjo dashuri e madhe e këtij populli për pushtetin e vet popullor plot goja, e shtyu dhe ambasadorin amerikan në Tiranë t’I jeptë dekoratën “burrë shteti” urdhëruesit të vrasjeve në atë 21 janar të përgjakur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Mbase edhe ai dekorim dha një dorë në këtë vendim gjykate për të nxjerrë fajtorë të vrarët e për të shpallur të pafajshëm vrasësit e tyre.
Ja pse kemi të drejtë të krenohemi me këtë pushtet, që i di të gjitha një njeri e i komandon të gjitha një njeri! Pse të mos thërrasim të gjithë tok: Ta durojmë këtë pushtet që i bën të gjitha, përfshirë dhe krimet që duhet t’I luftonte! Të na rrojë bujqësia dhe bujqit e duruar e të lumtur, se drejtësia jetoi si drejtësi popullore, vendosi si drejtësi popullore dhe vdiq si drejtësi popullore. Nuk është pak për një pushtet që e ka renditur Shqipërinë krah për krah me vendet më të zhvilluara të bririt të Afrikës. Kot nuk i duam e i durojmë aq gjatë komandantët tanë me brirë.
DITA
Add new comment