Dëbora që zbuloi Shqipërinë e deformuar

Postuar në 21 Shkurt, 2012 04:52

Këtë javë temperaturat rriten dhe banorët e izoluar mund të fitojnë një aleat shtesë, pasi replikat e nxehta politike të javës së shkuar, nuk e ulën, përkundrazi e shtuan acarin që ekzistonte mbi ccatitë e tyre. Për më tepër debati politik i javës së shkuar, tregoi dhe nxori në pah, Shqipërinë në të cilën jetojmë. Shqipërinë me dy koka, kur njëra përgënjeshtron tjetrën dhe nuk e plotëson atë.

Në një emision mëngjesi, javën e shkuar, dy telefonata njëra pas tjetrës, e treguan më së miri këtë. Banori i parë nga një zonë me dëborë, shante qeverinë se nuk kishte bërë asgjë dhe se rreth shtëpisë së tij bora “kishte arritur në 4 metra”. Një minutë më pas, telefonata e radhës: “Ai që foli para meje e që merrte nga x fshat, gënjen. Së pari, këtu bora nuk është katër metra, po vetëm dy. Dhe ai shan qeverinë se urren Sali Berishën”. Pyetjes së drejtuesit të emisionit se nga e dinte ai se dëbora rreth asaj shtëpie ishte dy dhe jo katër metra, ai iu përgjigj: “Jetojmë të dy nën një kuvli”. Me gjasë ishin vëllezër, ose babë e bir. Me siguri debati në kasolle ka qenë i ashpër, e ndoshta një moment të dy kanë menduar të rroknin armët. Ajo që nuk u kuptua, ishte nëse kjo shtëpi e këtij x fshat në dëborë, kishte apo jo probleme të emergjencës.

Dhe ky nuk ishte problemi i vetëm që bora nxori në sipërfaqe. Realiteti i emergjencës së dëborës u përthye në katër dimensione: atë të qeverisë (gjithccka OK), atë të opozitës (asgjë OK), atë të banorëve (në varësi të rezervave të ushqimeve) dhe ajo e medias (kaotike, por më realiste se tre dimensionet e para.)

Dy nga këto katër dimensione, sot, kur temperaturat po rriten, ja vlen t’i diskutosh më shumë se të tjerat. Dy jo.

Dimensioni i qeverisë është i pambrojtshëm dhe deri diku i parëndësishëm. Kjo sepse në Shqipëri nuk ka as strategji, dhe as largpamësi në parandalimin e pasojave të një emergjence moti. Për këtë mjafton një shembull dhe një përfundim. Shembull: Rruga e Kombit. Për të cilën u harxhuan 1 miliard e gjysëm euro, por nuk u mendua kurrë, se kjo vepër madhore infrastrukturore, kalon qoftë edhe tangent në zonën me klimë më të ashpër të Republikës. Ndofta e teproj, por jam brenda logjikës së thjeshtë, kur mendoj se meqë u harxhuan kaq para, mund të “prisheshin” dhe nja 150 milion euro më shumë, dhe të mendohej për një sistem mirëmbajtjeje apo tubacione me ajër të ngrohtë në akset më të vështira të saj. Njëlloj si një rrugët e Nju Jorkut apo Torontos, kur edhe në kulmin e dëborës, për këtë arsye, rrugët janë gjithmonë të pastruara nga dëbora. Përfundimi përkatës është se edhe kjo qeveri, ashtu si paraardhëset, nuk e “qeth” shumë në këtë drejtim. Sidomos në muajt e fundit, kur më shumë po përgatitet të ikë, sesa të qëndrojë në pushtet. Një qeveri ku nuk ndryshon asgjë, as drejtori i emergjencave që duket se do dali në pension në këtë detyrë, pavarësisht nga performanca e tij.
Media, megjithëse e papërgatitur për këto situata, gjithsesi ndikoi në transparencën e situatës. Dy kronika të Top Channel me fokus Pukën, e treguan këtë. E para, e Anila Hoxhës me dy helikopterët që i binin rrotull qytetit e nuk gjenin njeri ku të hidhnin ndihmat, ishte vrastare për qeverinë. Dhe për këtë nuk mund të akuzohej media. Kamera ishte thirrur nga ministria dhe emergjencat civile. Ajo tregoi thjesht atë që ndodhi: dështimin organizativ të strukturave dhe mosbashkëpunimin e tyre. Turp!
Kronika tjetër po në Pukë e Sokol Bregut, tregoi dimensionin e katërt të kësaj emergjence, atë të mungesës së solidaritetit civil, të shpirtit të bamirësisë, të voluntarizmit qytetar. Një qytet ku të gjithë rrinë me duar në xhep, nga kryetari i bashkisë e deri të qytetarët që shëtisnin dhe ankoheshin pse s’po vijnë heklikopterët. Turp edhe kjo!
Dimensioni i katërt ishte opozita. Ashtu si në rastin e përmbytjeve, edhe kësaj radhe aktiviteti i saj nxiti vetëm tituj sarkastikë të gazetave RD dhe 55 (“Berisha në Kukës, Rama në Tëitter” dhe “PS kërkon që të zgjatet dimri”, si më të spikaturat ndër to). Aksioni i opozitës ashtu si në rastin e përmbytjeve, ishte i tepruar, por më e rëndësishmja pa asnjë impakt publik. Pa vënë në dyshim qëllimin e mirë humanitar të dërgimit të ndihmave nga vetë kreu i PS, si dhe impaktin pozitiv që mund të ketë dhënë tryeza e djeshme për pushtetin lokal (ja ky ishte një veprim logjik dhe i saktë në këtë situatë), gjithccka tjetër nuk ndihmoi, përkundrazi theksoi në popull, imazhin e njëjtë, me drejtim të kundërt me PD. Si dy lubi që mezi presin të ndodhë një gjëmë, dhe të nxjerrin para me funeralet që ajo pjell. Unë nuk besoj që është kështu, por fakt është se opozita nuk arriti t’i qëndrojë larg këtij perceptimi. Sigurisht që në situata të tilla, ajo që humbet vota është qeveria. Gjithë problemi – në fakt këtu është problemi – është se opozita nuk do di si t’i bëjë këto vota, të bien në oborrin e saj.
Detyra e një opozite do ishte deklarimi publik – sicc u bë por nuk u la me aq për fat të keq – i solidaritetit në Kuvend për miratimin e një pakete ndihmash, i bashkëpunimit të pushtetit lokal që kontrollohet prej saj, si dhe dorëzimi i ndihmave humanitare pranë Kryqit të Kuq Shqiptar. Kaq. Kot harxhuan karburant deri në Bulqizë e kot harxhuan ca deputetë kohë duke shkuar pesë minuta me një kamerë në një vend ku dukej se kishte dëborë, ku klithën “këtu s’ka ndihma”, e më pas ktheheshin me vrap në shtëpitë e tyre të ngrohta në Tiranë. Gjithccka duhet t’i lihej në dorë dhe në derë Qeverisë. Eshtë detyrë e qeverive për t’u kujdesur për situatën e emergjencës dhe për këtë vlerësohet nga qytetarët. Ndërsa detyra e opozitës, në nivel politik është një tjetër në raste të tilla. Nëse i referohemi dy kronikave të Pukës, unë besoj se detyra e saj është e lidhur jo shumë me kronikën e parë, sesa me kronikën e dytë: ndërgjegjësimin e qytetarëve për një kulturë tjetër humanizmi, bamirësie dhe fryme komuniteti. Duke marrë lopatat e pastruar rrugët para shtëpive e spitaleve. Votat kërkohen kokëulur, me modesti, me pjesëmarrje. Jo me stand up-e të stisura para kamerave dhe protagonizëm impulsiv. Dhimbjen duhet fillimisht ta ndjesh, pastaj ta ndash, e në fund ta bësh të të japi vota.
Opozita duhet të na propozojë një Shqipëri të re, të ndryshme nga kjo e Berishës. E këtu ndoshta kemi një dimension të pestë të padukshëm të kësaj krize. Për këtë i referohem një tjetër debati të fortë në këtë fundjavë me disa të njohur të mi. I pari thoshte se PD duhet të kujdesej për Veriun, se ai ishte hambari i votave të saj. Një tjetër prej tyre thoshte se do të kontribuonte në dhënien e ndihmave, nëse këtë e bënin të gjithë. Një tjetër thoshte se nuk do ta bënte këtë se nuk e dinte nëse këto ndihma do të shkonin ku kishte nevojë, pasi kushedi ku do të shiteshin në tregun e zi. Dy të fundit kishin të drejtë në përgjithësi, por sigurisht të tre ishin gabim në parim. Sicc e kanë treguar gazetarët, ka abuzime me ndihmat, që shkojnë aty ku nuk ka nevojë ose shiten nga pushtetarët lokalë abuzivë.
Por ndërkohë në shkollën e tim biri (private duhet thënë) u veprua ndryshe. U vunë arkat në korridore për mbledhjen e ndihmave dhe na u dërgua një letër për kontribut vullnetar. Natyrisht, edhe për shkak të presionit të tim biri, që kalonte përditë anash atyre kutive që vijonin e mbusheshin me ndihma, edhe ne, u përgjigjëm. Në fakt vetëm edukimi i brezave të rinj, që nuk e njohën Ditën dhe Javën e Enverit, është shpresa e vetme e ringjalljes së ndërgjegjes qytetare dhe civile në këtë vend, të shkretuar tashmë nga mbretëria e invidividit që lindi pas viteve ‘90. Po im bir është i vogël. Ai nuk voton dot. Ndaj është i parëndësishëm për lubitë e mëdha elektorale.
Ky është dimensioni i pestë, ende i padukshëm i kësaj shoqërie që ende sundohet nga brezat që kanë lidhje me të shkuarën. Ky dimension është ende nën “dëborën” e tranzicionit. Kam frikë se sado të rriten temperaturat në vitin 2013, zor se pranvera do të vijë në të vërtetë.
E vjetra qenka e fortë. Brenda nesh. Protagonizmin e saj mesa duket e zbeh vetëm mosha biologjike. E dhimbshme është, po urimi i vetëm është të plakemi sa më shpejt. Që të rriten sa më shpejt ata që nuk e dinë akoma, se do jenë nesër, shpëtimi i kësaj Shqipërie të deformuar kaq keq sot.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.