Cili Berishë do të triumfojë: ai që e pohon, apo ai që tejkalon vetveten
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Nesër fillojnë zyrtarisht negociatat për presidentin. Një ditë me rëndësi për jetën politike, por përsëri një ditë e zakonshme për jetën e një demokracie. Një ditë e jashtëzakonshme për protagonistin kryesor të kësaj ngjarjeje: Kryeministrin dhe liderin e shumicës që qeveris vendin, Sali Berishën. Ka të paktën disa arsye pse ky i fundit është para një prove historike duke filluar nga nesër dhe në vijim, në këtë proces të zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës.
Nesër fillon dhe ngjizet ose krijohet premisa- bazë për fazën e fundit të karrierës së tij politike, po të kemi parasysh se procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës është mitra e disa proceseve politike për vendin dhe shumicën demokrate në pushtet, të cilat vijojnë me statusin e kandidatit të Shqipërisë për anëtare e BE-së dhe përfundojnë me betejën politike të 2013. Me gjasë, 2013 është dhe beteja e fundit politike me protagonist atë vetë.
Si kurrë më parë, edhe pse zgjedhja e Presidentit të Republikës ka qenë një proces shumë i rëndësishëm, zgjedhja e kreut të ri të shtetit, ose më saktë mënyra, formula, performanca e procesit dhe produkti i këtij procesi do të kenë impakt të fortë mbi statusin e kandidatit të Shqipërisë në BE në vjeshtë, do të ndikojnë fort kahun e fituesit të zgjedhjeve të 2013-ës.
Disa prej dilemave që i shtrohen kryeministrit Berisha nga nesër e deri në përfundim të këtij procesi janë reale, të sikletshme për një politikan, por mbi të gjitha janë ilustrim i një përgjegjësie të pazakontë që Berisha ka në këtë fazë të karrierës së tij politike: Përgjegjësi në raport me veten, me partinë e tij dhe me vendin.
A do të shkojë Berisha në të njëjtin kah, apo do të shkojë në kundërshtim me një ndjeshmëri të lartë të opinionit publik vendas, që edhe pse ia njeh të drejtën shumicës për të zgjedhur presidentin me 71 vota, sërish mbështetur mbi ndjeshmërinë tashmë të vërtetuar për perversitetin e ndryshimeve kushtetuese të 2008? Ky opinion kërkon një president mbi palët, jashtë radhëve të ngushta politike, një president jo-partizan, një president që del mbi palët, një të tillë që nuk ka objektiv lojën partizane në vend?
A do të shkojë Berisha në të njëjtin kah, apo do të shkojë në kundërshtim me një ndjeshmëri tashmë të artikuluar nga partnerët e mëdhenj ndërkombëtarë të Shqipërisë, që si rrallëherë janë në union? Me gojën e mikut të paanshëm të demokracisë shqiptare, ambasadorit Aleksandër Arvizu, kanë bërë thirrje për një president më gjerë se të një partie të vetme sepse, sikurse ka thënë ai me lakonizëm, “nuk bëhet fjalë për të zgjedhur ministrin e 15–të të qeverisë, por Presidentin e Republikës”.
A do të shkojë Berisha në të njëjtin kah, apo do të shkojë në kundërshtim me një ndjeshmëri tashmë të kthyer në qëndrim publik të partnerit kryesor të koalicionit qeveritar, Ilir Metës dhe LSI-së, partia që legjitimon politikisht mbajtjen në këmbë të kësaj mazhorance, se duhet një president më gjerë se “një figurë e lartë e PD-së”?
Dhe së fundi: A do të konsiderojë Berisha interesat strategjike të mazhorancës dhe partisë së tij për një projektim pozitiv dhe konstruktiv, në opinionin publik të PD-së, në funksion të së ardhmes së saj politike dhe betejave elektorale që janë tek dera, duke pranuar të “sakrifikojë një pushtet që i takon sipas germës së Kushtetutës”. Por që duhet ta negociojë në favor të frymës së Kushtetutës, në përputhje me interesin publik dhe ndërtimin e shtetit?
Apo do të bjerë në logjikën dritëshkurtër të marrjes dhe shfrytëzimit të çdo hapësire pushteti që lejon gërma e Kushtetutës, duke e ekspozuar Partinë Demokratike para një gabimi thuajse fatal të mbipushtetit me gjithë pasojat që kjo ka mbi republikën dhe mbi të gjitha për impaktin e nesërm elektoral të kësaj partie?
A do të kontribuojë Berisha me një president politik nga radhët e PD në krijimin e një vertikaleje pushteti, të gjithin të kontrolluar prej tij, nga Presidenti i Republikës, tek shërbimet sekrete, tek prokuroria e deri tek Bashkia e Tiranës, duke u ekspozuar në gabimet e natyrshme të mbipushtetit dhe duke ndërtuar me duart e veta pyetjen fatale për 2013 që do të ngrejë opinioni publik e faktori ndërkombëtar: pse të gjitha pushtetet Saliu do t’i ketë dhe 4 vjet të tjera?
Të gjitha këto dilema nuk janë të thjeshta. Askush nuk do t’ia uronte vetes t’i kishte të tilla dilema. Joshja për mbipushtet është po ashtu e madhe. Dhe gjasat që ai ta humbë këtë provë historike janë po ashtu të mëdha, thjesht sepse me lehtësi mund t’i ketë apo t’i sajojë 71 vota për një “president kushtetues”.
Edhe pse dhe shanset për të kundërtën, që ai ta fitojë këtë betejë historike me veten, ekzistojnë. Sepse Berisha, më shumë se një herë ka treguar se mund të bëjë shndërrime të papritura të vetvetes, duke i dhënë politikanit Berisha një rrugë tjetër politike, ndryshe nga rruga e lehtë ku të gjithë mendojnë se mund ta shtyjë energjia e ambicia për pushtet. Pa ribërë biografinë e të papriturave të tij politike, që e kanë rilindur politikisht disa herë, një Berishë i përgjegjshëm para provave të tilla historike është i mundur. Edhe pse shumë herë i ka humbur ato beteja. Por shumë herë të tjera i ka fituar ama. Cili Berishë do të triumfojë nga nesër, 24 maj; ai që pohon vetveten, apo ai që e tejkalon atë? Interesi publik kërkon Berishën që e tejkalon vetveten. Interesi i tij dhe i PD-së po ashtu.
Mapo
Add new comment