Cila është e vërteta mbi luftën?
Në fillim të shtatorit opinioni në Serbi u trondit nga një intervistë e transmetuar në televizionin publik RTS, ku një person me identitet të fshehur pretendonte se kishte marrë pjesë në atë që është quajtur “tregti me organe të serbëve nga UÇK.
Ky person, i cili paraqitej si ish-pjesëtar i UÇK-së, pohonte se kishte bërë vetë një ndërhyrje kirurgjike në trupin ende të gjallë të një serbi të burgosur, të cilit ia kishte nxjerrë zemrën. Kjo zemër, sipas dëshmitarit të pretenduar, më pas nga afërsia e Kukësit ishte dërguar në mënyrë të organizuar drejt e në Aeroportin e Rinasit, për të vazhduar rrugën te ndonjë klient në nevojë. Vërtetësia e këtij rrëfimi qëndron pezull. Derisa Prokuroria për Krime Lufte në Beograd thotë se bëhet fjalë për një dëshmitar të besueshëm, organizata të të drejtave të njeriut edhe në Serbi kanë hedhur dyshime mbi autenticitetin e rrëfimit, duke pohuar se bëhet fjalë për politikë.
Prokuroria në Beograd përmend shifrën prej rreth 300 të burgosurish serbë të dërguar në Shqipëri gjatë dhe pas luftës.
Në Prishtinë, me fare pak përjashtime, mediat nuk e raportuan fare këtë rast dhe opinioni i gjerë sigurisht se s’di gjë.
Ndërkohë, në Kosovë ka filluar të rikthehet rrëfimi për femrat shqiptare të dhunuara gjatë luftës. Pak e nga pak, aty-këtu ndonjë grua ose vajzë ka filluar të thyejë heshtjen dhe t’i japë fytyrë e emocion shifrës së deritashme të pohuar prej rreth 20 mijë të dhunuarash nga militarët, policia dhe ushtria serbe gjatë luftës. Me druajtje edhe nga paragjykimi i shoqërisë, në forume të mbyllura, këto viktima po japin edhe hollësitë deri tash pak të njohura për metodat dhe vendet e përdorura për dhunime shpesh sistematike dhe ndër me çnjerëzoret e mundshme.
Në kallëzimet e tyre flitet për dhunime serike nën vështrimet e fëmijëve ose bashkëshortëve, dhunime të familjarëve bashkë, dhunime mbi kufoma të familjarëve të vrarë e tmerre të tjera të ngjashme. Tash, kur këto kallëzime kanë filluar të dalin ngapak nga personat që i kanë mbajtur ato të mbyllura në vete për shumë arsye, ka filluar të besohet bile se edhe numri prej 20 mijë të dhunuarash mund të jetë edhe më i madh.
Sidoqoftë, edhe në Kosovë për to media ka folur pak. Por në Serbi ky rrëfim thuajse fare nuk është përmendur nga media.
Të humbur në statistika
SI NË KOSOVË, ashtu edhe në Serbi, ku më shumë e ku më pak, fare pak dihet për versionin tjetër të rrëfimit. Viktimat e njërës palë, ashtu si dhe viktimat e palës tjetër, shpesh janë të panjohura ose të papranuara nga opinioni.
Ka pasur deri më tash shumë përpjekje për të evidentuar viktimat e palëve në luftë. Ka shifra të dhëna nga qeveritë, nga organizata joqeveritare vendore dhe nga organizata ndërkombëtare.
Në Kosovë, kurrë nuk është hartuar një dokumentacion zyrtar që tregon saktë se sa është numri i viktimave të luftës, ku do të përfshiheshin të vrarët, të zhdukurit, të plagosurit, të zhvendosurit e refugjatët, si dhe dëmtimet e tjera. Përgjithësisht është bërë thirrje në numra të përgjithshëm, duke folur për rreth 12 mijë të vrarë, 4 mijë të zhdukur, afro një milion të zhvendosur e kështu me radhë.
Në anën tjetër, Kuvendi i asaj që u quajt Union i Serbisë dhe i Malit të Zi, para disa vjetësh kishte hartuar një raport, ku nga 1 janari i vitit 1998 e deri më 31 dhjetor të 2005-s, numri i tërësishëm i të vrarëve në Kosovë është 5 952, ndërsa i të zhdukurve 2 494. Sipas të njëjtit raport, të vrarë janë 4 320 shqiptarë, ndërsa 1 622 serbë dhe të tjerë, teksa të zhdukur 1 774 shqiptarë dhe 740 serbë e të tjerë.
Organizata Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, në monografinë e botuar më 2010, nga 1 janari 1998 deri më 12 qershor 2012, numëron 8 214 civilë të vrarë, prej të cilëve 7.900 shqiptarë, 281 serbë dhe numri i mbetur nga etnitë e tjera. Sipas Këshillit, numri i pjesëtarëve të UÇK-së të vrarë nga 28 shkurti 1998 e deri në qershor 1999 është 1 950, kurse i forcave serbe-jugosllave të vrarë nga UÇK-ja në periudhën janar 1998 – qershor 1999 është 853, prej të cilëve 313 policë e 540 ushtarë. Aty nuk jepen hollësi për ndodhitë pas 12 qershorit 1999, kur p.sh. organizata Human Rights Watch raporton për mbi 1 000 serbë dhe joshqiptarë të vrarë.
Organizata Fondi për të Drejtën Humanitare si të vrarë, të rënë dhe të zhdukur në Kosovë për periudhën janar 1998 – dhjetor 1999 llogarit 10 495 shqiptarë, 2 077 serbë dhe 574 joshqiptarë e joserbë dhe të papërcaktuar. Te Fondi 7 965 shqiptarë janë civilë, 2 008 ushtarë/policë dhe 522 me status të panjohur, kurse civilë serbë janë 1 118, ushtarë/policë 859 dhe 103 më status të panjohur.
Deri më tash, statistikat e FDH-së janë konsideruar si më të saktat, duke marrë parasysh metodën e hulumtimit dhe të ballafaqimit të fakteve dhe të njëjtat kanë filluar të botohen me emër, mbiemër, vend dhe mënyrë të vdekjes në librin me disa vëllime në tri gjuhë, të quajtur “Libër Kujtimi i Kosovës”.
Dhimbja e madhe: të pagjeturit
SHIFRAT MË TË përafërta të të gjitha palëve, megjithatë, janë ato që flasin për të pagjeturit. Rreth 1 770 persona ende figurojnë si të pagjetur në Kosovë, prej të cilëve rreth 1 300 shqiptarë dhe afro 500 serbë dhe joshqiptarë të tjerë.
Shpesh më ka rënë që të intervistoj familjarë të viktimave të luftës ose të të pagjeturve. Shumë shpesh i kam dëgjuar rrëfimet e tyre në konferenca e forume të ndryshme, i kam parë të televizion ose kam lexuar për ta nëpër gazeta. Pavarësisht a janë shqiptarë, serbë, romë ose të tjerë, rrëfimet e tyre janë plot ankth, mirëpo gjithmonë me shpresë.
Ndonëse kanë kaluar 13 vjet nga përfundimi i luftës, këta familjarë çdo ditë bien në gjumë dhe çohen me kujtimet e luftës.
Më e dhimbshmja sidoqoftë mbetet dhimbja e familjarëve të të pagjeturve. Ata kërkojnë vetëm një gjë: zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre. Ndërsa, nëse mund të ketë një ripërtëritje të dhimbjes, ajo mund të jetë në rastet kur shohin se dhimbja e tyre mohohet ose minimizohet.
Kosova dhe Serbia deri më tash janë ndërlidhur në disa procese të bisedimeve, ku temë ka qenë edhe çështja e viktimave të luftës, me theks të veçantë të pagjeturit, por me shumë pak sukses.
Rëndom, mossuksesi i këtyre përpjekjeve ka konsistuar nga fakti që secila palë nuk ia ka njohur viktimat palës tjetër dhe, si të këtilla, nuk ka pasur sinqeritet në këto bisedime, e si rrjedhojë edhe jo përparim.
Shqiptarët e Kosovës deri më tash me të drejtë kanë insistuar që Serbia të kërkojë falje për viktimat dhe dëmet e luftës, gjë që nuk ka ndodhur. Beogradi ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, në masë të madhe edhe pse vazhdon të mos pranojë krimet që janë kryer në Kosovë dhe as shkallën e tyre.
Qeveria në Prishtinë, së fundi ka marrë një vendim për formimin e një Komisioni Ndërministror për Ballafaqim me të Kaluarën dhe Pajtimin, gjë që mund të shihet si një hap në drejtim të duhur, mirëpo kjo më tepër duket se ka ardhur në paketë bashkë me ligjet për përmbylljen e mbikëqyrjes së pavarësisë.
Sido që të jetë, vështirë ndonjëherë se do të arrihet ndonjë pranim i viktimave dhe dëmeve të luftës, në qoftë se vazhdohet që secili të veprojë krye në vete.
Nëse do të pyeteshin familjarët e viktimave, atyre sigurisht fare nuk u intereson se kush dhe si do ta bëjë punën. E tëra që ata duan janë informatat për të dashurit e tyre të pagjetur.
Pa u pranuar së paku viktimat e të gjitha palëve, si nga Prishtina, ashtu edhe nga Beogradi, duket i pamundur çfarëdo procesi i shëndoshë i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve.
Për bashkëpunim rajonal
SË KËNDEJMI, INSTITUCIONET e Prishtinës dhe të Beogradit, për të pasur sukses në përmbylljen e narrativës për viktimat e dëmeve të luftës, së pari do të duhej të gjenin mënyra sesi të pranoheshin të dhëna të pavarura për të gjitha nga të gjitha palët që kanë pësuar. Vetëm në këtë mënyrë, do të mund të mëkëmbej ajo pika kritike e besimit të ndërsjellë. E natyrisht se vendosja e besimit të ndërsjellë s’mund të arrihet kurrë nëse vazhdohet që të dyja palët të dalin me shifrat e veta e të cilat mohohen nga pala tjetër. Për këtë arsye, qeveritë do të duhej të gjenin mënyra që një evidentim i viktimave dhe dëmeve të luftës të bëhet nëpërmjet të një institucioni të pavarur, profesional e kredibil, i cili do të kishte mbështetjen e institucioneve si në Prishtinë e në Beograd.
Nisma më e organizuar dhe me serioze deri më tash në këtë aspekt është Koalicioni i nisur nga humanistja e njohur Natasha Kandiq, KOMRA, si një tubim rajonal dhe apolitik i organizatave të shoqërisë civile. Këtij koalicioni deri më tash i janë bashkuar rreth 1 800 organizata joqeveritare, shoqata dhe individëve të cilët avokojnë dhe afirmojnë atë, me qëllim themelimin e një komisioni të pavarur rajonal me mandat që t`i vërtetojë dhe t`i publikojë faktet për krimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut, si dhe zbardhjen e fatit të personave të pagjetur gjatë luftërave të viteve 1991-2001 në territorin e ish-RSFJ-së.
Duke e ditur se informatat për viktimat dhe të pagjeturit e palëve në luftë ndodhen te pala kundërshtare, atëherë vetëm një komision bashkëpunimi ndërmjet këtyre palëve do të mund të jepte tablonë më të plotë të asaj që ka ndodhur.
Pa ia njohur dhimbjen njëri-tjetrit – pavarësisht se kush me më shumë e kush me më pak përgjegjësi – e zorshme duket çfarëdo jetese normale, çfarëdo normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e çfarëdo përparimi e zhvillimi i rajonit në përgjithësi.
E mezokohën gjithmonë do ta përdorin matrapazët dhe kriminelët për përfitime të veta.
Koha Ditore
Add new comment