Bomba poetike e politike!
Dita e mërkurë, 4 prilli i vitit 2012 do të hyjë në histori. Në historinë e Gjermanisë, Izraelit, Iranit dhe para së gjithash në bio e bibliografinë e nobelistit gjerman për Letërsi, Günter Grass. Poezia e tij me titullin “Was gesagt werden muss” (shqip: “Atë që duhet thënë”) e botuar në të njëjtën ditë në “Süddeutsche Zeitung“ të Munihut, “New York Times” të New Yorkut, “La Republicca” të Romës dhe “El Pais” të Madridit, brenda vetëm disa orësh u bë tema e planetit, në poetikë e politikë, të kaluar, tashme e ardhme, histori e diplomaci. Një lirikë prej 67 rreshtash, e cila s’ishte dhe s’është gjë tjetër pos një bombë, e cila shpërtheu në faqe gazetash, laboratore krijuesish e kritikësh, kancelari të qeverive e parlamenteve ... e ku jo tjetër.
Meqë poezinë në fjalë do ta sjellim në këtë numër të gazetës dhe të përkthyer në gjuhën shqipe, mbase nuk do të ishte me vend që edhe ta analizojmë këtu. Le t’ia lëmë lexuesit ta gjykojë dhe vlerësojë- pozitivisht apo negativisht. Me kontekst politik “pro” apo “contra” Izraelit a Iranit, Gjermanisë a vetë autorit të vargjeve.
Kjo poezi, sado që u pajtuam me të apo jo dhe para së gjithash me mesazhet që ajo përcjell, disi njeriut dhe njerëzimit do të duhej t’i jepte shpresën që autoritet intelektuale, forca e vargut, rreshtit dhe përgjithësisht e krijimtarisë (letrare e artistike) vazhdon të ketë ndikim edhe në këtë kohën tonë: në fshatin global që aq shpesh ankohemi e vajtojmë që “dyshemtë e bursave” dhe zyrat e xhamta të bosave e menaxherëve të bankave ia kanë zënë frymën angazhimit e ndikimit intelektual!
Ajo që u tha nga Grass tashmë shihet si e kryer dhe për polet e krijuara nuk ka më kthim prapa. Sepse nëse në 24 orët e para të (pas)botimit të poezisë poeti e shkrimtari gjerman hëngri dru e kritika nga New York deri në qendrat politike e poetike të Europës për “antisemitizëm”, “vazhdimësinë e urrejtjes së hebrenjve” qysh nga rinia e tij prej ushtari të SS-it nazist, gjë kjo e cila atij i pati kushtuar me aq shumë urrejtje e kontraversa pasi e pati marrë Nobelin... pa lënë anash këtu as akuzat e drejtpërdrejta nga kolegë e politikanë që vargjet e tij janë një ndihmë e fortë për mullahët e Teheranit, të cilët jo vetëm që nuk e pranojnë ekzistencën e shtetit izraelit, por janë për fshirjen e tij nga faqja e dheut... pas këtyre 24 orëve të sulmeve frontale, dhe pak, fare pak emrave të njohur që i dolën në mbrojtje (kryetari i Akademisë së Arteve në Berlin, Klaus Staeck, ishte një prej tyre) ishte vetë Günter Grass ai që mori iniciativën dhe doli në televizorët gjermanë apo iu dëgjua zëri nëpër radio ku shpjegoi shkaqet e këtij sulmi të tij.
Së pari ai u ankua për “barazinë” e mediave nëpër të cilat kursojnë akuzat kundër tij. Së dyti ai i dha dy arsyet kryesore, të cilat e kishin shtyrë për këtë hap- e para: vizita e kryeministrit izraelit Netanjahu në Washington, ku deklaroi që Izraeli ka të drejtë që Iranin ta sulmojë me armë bërthamore; dhe e dyta: kur Gjermania i shiti Tel Avivit një nëndetëse nga e cila mund të hedhen koka raketash bërthamore...
Grass kërkoi nga kritikët e tij ta gjejnë vetëm një dhe të vetmin varg a asociacion ku ai shpreh antisemitizëm apo ftesë për zhdukjen e Izraelit apo edhe përkrahje për Ahmedinexhadin, të cilin në poezi e ka quajtur “hero mushkash”... Dhe vërtet, në këto vargje është zor të gjindet diçka e tillë.
Tekefundit, “Der Spiegel” e kishte marrë këtë poezi nën llupë duke i bërë “autopsi” totale për të ardhur tek përfundimi që vargjet nuk kanë asgjë me urrejtjen kundër Izraelit e hebrenjve... por ishte dhe është kritika e një autoriteti siç është Grass ajo që dhemb më së shumti, sepse diçka e tillë nuk pritet (apo pritej) nga gjermanë.
Pa lënë anash këtu nuk mundemi edhe një fakt qenësor: Grass nuk e ka kalkuluar këtë poezi me ndonjë botim rasti të ndonjë libri. Sepse dihet që jo pak shkrimtarë, në prag të botimeve të ndonjë libri, nuk ngurrojnë të hidhen në ujëra “skandalesh” vetëm e vetëm që të bëjnë pak (vetë)marketing për të kthyer vëmendjen e lexuesve tek të “rejat” e tyre. Jo.
Duket që autori gjerman ka vendosur që këtë qëndrim të tij ndoshta ta lidhë edhe me një gjë shumë më të thellë: të jetë i pari gjerman (i madh?) i cili vetëm gjashtë dekada pas Holokaustit dhe rritjes së Gjermanisë (së bashkuar) provon të hedhë kritika mbi Izraelin. Dhe, kjo gjë, ky fakt, e ka edhe një kalkulim.
Nëse nga Günter Grass pas dhjetëra e qindra vitesh... nuk do të mbetet asgjë-përfshirë këtu edhe kryeveprën e tij “Blechtrommel” (Daullja e llamarintë), atëherë njerëzimi, kritika, historia e letërsisë dhe jo vetëm e saj, do ta ketë një Günter Grass, i cili ishte i pari gjerman i cili hodhi kthetrat e tij kundër... Izraelit. Me poetikë e politikë!
Atë që duhet thënë
Günter Grass
Pse po heshti, shumë gjatë po heshti,
atë që është më se e qartë dhe në lojërat e planeve
u ushtrua, në fundin e të cilave si të mbijetuar
ne më së shumti mund të jemi fusnota.
Supozimi për të drejtën e sulmit të parë,
i cili nga një hero mushkë që shtyp
dhe organizon e mashtron me festa
të cilat do ta fshinin nga faqja e dheut popullin iranian,
sepse në fushën e pushtetit të tyre
po dyshohet për një bombë atomike.
Por pse ia ndaloj vetes,
që ta përmendi me emër vendin tjetër,
në të cilin me vite- edhe pse në fshehtësime një potencial nuklear në rritje
por jashtë kontrolli, sepse s’ka prova
dhe nuk lejohet hyrja?
Heshtjen e përgjithshme të kësaj gjendjeje faktike,
së cilës i është nënshtruar edhe heshtja ime,
e përjetoj si një rrenë që rëndon
dhe nxitje, që nxjerr në shesh dënimin,
në çastin që nuk venerohet;
me verdiktin aq të zakonshëm “Antisemizëm”.
Mirëpo tash, meqë nga vendi im,
me krimet vetjake aq të moçme,
të cilat janë pa asnjë krahasim,
herë pas here të nxjerra dhe ballafaquara,
sërish dhe paqësisht afariste, edhe pse
buzëlehtazi si kthim e barazim të deklaruara,
edhe një nëndetëse në Izrael
dërgohet, specialiteti i së cilës
është që, koka bërthamore
të dretjohen atje, ku ekzistenca
e një bombe të vetme atomike është e padëshmuar
e them, atë që duhet thënë.
Por pse kisha heshtur kaq gjatë?
Sepse mendoja, prejardhja ime,
e cila është me njolla të cilat kurrë nuk do të hiqen,
ma ndalon, këtë fakt që është një e vërtetë,
vendit të Izraelit, me të cilin jam i lidhur
dhe dua të mbetem i tillë, t’ia besoj.
Pse e them vetëm tashti,
i plakur dhe me ngjyrën e fundit të pendës sime:
Fuqia atomike Izraeli rrezikon
edhe ashtu paqen e brishtë botërore?
Sepse duhet të thuhet,
atë që nesër mund të jetë tepër vonë;
dhe sepse- ne si gjermanë edhe ashtu të ngarkuar siç jemindihmaçarë të një krimi mund të bëhemi,
që është i parashikueshëm, për këtë shkak bashkëfajësia
përmes jo çfarëdo justifi kimesh
nuk do mund të hiqej.
Dhe ta pranojmë: nuk heshti më.,
sepse jondershmëria e Perëndimit
më ka ngopur; dhe është për t’u shpresuar,
që do të jenë edhe shumë tjerë që do çlirohen nga heshtja,
shkaktarit të shenjuar të rrezikut
do t’i kërkojnë të heqë dorë nga dhuna dhe
njëkohësisht do të këmbëngulin,
që të ketë kontroll të papenguar dhe permanent
të potencialit atomik izraelit
dhe të pajisjeve atomike iraniane
përmes një instance ndërkombëtare
që do të lejohet nga qeveritë e të dyja vendeve.
Vetëm kështu për të gjithë ne, izraelitëve dhe palestinezëve,
dhe më tepër, të gjithë njerëzve, të cilët në këtë
rajon të okupuar nga çmendia
ngushtë pranë njëri-tjetrit të armiqësuar po jetojnë,
dhe së fundi edhe neve të na ndihmojnë.
Marrë nga Zëri
Comments
Si s'e ditkerka i shkreti
<p>Si s'e ditkerka i shkreti Grass se ne te gjitha tekset ku permendet Izraeli, duhet qe t'i lepihet b...</p><p>Ne te kundert je antisemit, nazist, fondamentalist etj...</p><p> </p>
Add new comment