Bishti i Pallës dhe bishti i lugës

Postuar në 19 Prill, 2012 03:41

Të të “përpijë” deti, apo të hash turpin me bukë?! Njëra ndodhi, tjetra pritet të ndodhë… Fitimtare po dalin të dyja, por si fillim shkarkimi dhe emërimi i komandantit të Flotës Detare në kundërshtim me kushtetutën, ishte një turp i kapërdirë lehtë, sepse ministria e Mbrojtjes, ajo e Jashtme dhe qeveria, kanë si qëllim më të madh çështjen e ndarjes së detit me Greqinë. Nga ana tjetër presidenti i vendit Bamir Topi, që është edhe kryekomandant i Forcave të Armatosura, reagoi vonë, butë dhe me një lloj indiference për shkeljen e ligjeve në emërimin dhe shkarkimin e kuadrove të ushtrisë. Institucionet heshtën, ndërsa mbledhjet për vijën ndarëse të detit me Greqinë vazhdojnë. Larg transparencës, pranë pazareve që as kodet detare nuk po i deshifrojnë. Prej të paktën gjashtë muajsh grupi ndërinstitucional i punës për ndarjen e ujërave detarë me Greqinë kishte punuar, diskutuar dhe hartuar plane për mënyrën e negociimit të një marrëveshjeje të re. Ka një presion të hapur. Rrëzimi i marrëveshjes së mëparshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese në unanimitet nga të gjithë anëtarët e saj, e bënë nul këtë akt të dyshimtë, si nga fshehtësia kur u kryen diskutimet, ashtu edhe nga kundërshtitë se vendit fqinj i ishin dhuruar afërsisht 300 kilometra katrorë det. Nga ana tjetër Greqia po bën presionin e saj, kur si fillim e ka nisur me “peshqit e vegjël”, me ata që në Sarandë e njohin detin si shtëpinë e tyre dhe sigurojnë bukën e gojës me peshkim. Edhe pse lundronin në ujërat tona territoriale, shpesh janë gjobitur për shkelje të kufirit. Ai kufi që ende nuk dihet, por që qeveria jonë duket se po ia kthen shpejt premtimin e mëparshëm për t’i qëndruar marrëveshjes së dy viteve më parë. Interesi në këtë rast nuk është vetëm hapësira e ujit të kripur, por edhe fundi i saj, që mendohet të jetë i pasur me naftë dhe gaz. Mënyra që u zgjodh për ta mbajtur të fshehtë dhe nuk ishte aq e sofistikuar, pasi lëvizja e kuadrove tregoi dalëngadalë planin për t’i dhënë “ca det” Greqisë në kohë krize, e nga ana tjetër, për t’i gjetur ilaçin edhe një zone përrallore si Bisht Palla, duke i dhënë kështu një populli të tërë ujë deti në bisht të lugës.

Mund të kishte ndodhur që marrëveshja e re për ndarjen e detit me Greqinë të merrej vesh pasi të ishte nënshkruar, por kësaj radhe, një veprim antikushtetues (nga bashkëhartuesi i kushtetutës), hapi probleme të shumta. Të parën valë që paralajmëroi një det të trazuar, publiku e ndjeu nga vendimi i ministrit të Mbrojtjes i datës 23 janar të këtij viti, ku Ferdinand Kreshpanin me gradën kapitenit të rangut të parë, e emëroi në detyrën e komandantit të Flotës Detare. Zëvendësoi kundëradmiralin Kudret Çela, një ushtarak që kishte shërbyer për shumë vite sa në det ashtu edhe në tokë. Në urdhërin që hynte në fuqi menjëherë, Imami u referohej disa ligjeve, por menjëherë u kuptua qartë se bashkëhartuesi i kushtetutës, këtë herë e shkeli vetë… Me këtë vendim u anashkalua roli i presidentit, pasi vetëm me firmën e tij komandanti i ri mund të merrte detyrën. Kjo shkaktoi jo pak reagime, duke nisur si fillim nga konstitucionalistë dhe përfunduar me qëndrimin e dy ish-presidentëve Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani që kërkonin dorëheqjen e ministrit. Por ky i fundit para se t’i bënte “autokritikë” vetes, nxorri armatën ushtarake… Ishte njeriu që duhet të heshtte më shumë, por bërtiti më fort. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Xhemal Gjunkshi, doli në mbrojtje të ministrit Imami, por pak më vonë ky i fundit revokoi urdhrin e tij, duke ia veshur përgjegjësinë administratës që i kishte nisur për të firmosur atë akt që Kreshpanin e bënte drejtuesin e flotës. Edhe pse kundëradmirali Çela u penalizua më shumë për çështjen që po diskutohej për detin, ai kishte “probleme” edhe me bazat ushtarake në tokë. Një prej të cilave, ndër më të rëndësishmet si pikë strategjike, është ajo e repartit të Bisht Pallës. Ajo kaloi nga repart i marinës në varësi të Forcave të Armatosura, ku “pronare” e saj do të bëhet Ministria e Mbrojtjes. Prej kohësh hapësira e saj ushtarake është kufizuar ndër vite. Më parë ka pasur një zonë shumë më të gjerë, por në katër vitet e fundit është tërhequr deri afër bazave të saj. Gjeografikisht është një zonë bekim i natyrës prej 75 hektarësh, që mund të shërbejë për gjithçka, si në fushën e turizmit edhe atë të ushtrisë, por edhe për këtë repart pati përplasje mes Çelës dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Në një interviëtë televizive, Imami deklaroi se heqja e bazës ushtarake nga Bisht Palla nuk e tjetërson pronësinë e kësaj zone. Por kush siguron se shumë shpejt, kjo sipërfaqe nuk privatizohet, sigurisht me pjesëmarrjen e “shumë palëve të interesuara?”

Në një vend normal të funksionimit të demokracisë dhe ndarjes së institucioneve, ministri do kishte dhënë dorëheqjen, por kjo është e “tepërt” të kërkohet dhe gjasat janë që nuk ka për të ndodhur. Të paktën pa çuar deri në fund çështjen më të debatueshme, qeveria nuk tërhiqet. Në fillim ngjau si një mungesë profesionalizmi, por më vonë dolën zëra se shkarkimi i kundëradmiralit lidhej me hezitimin e tij për të hedhur firmën në marrëveshjen detare mes Shqipërisë dhe Greqëisë. Prej të paktën gjashtë muajsh po diskutohet me intensitet marrëveshja e re për ndarjen e ujërave detarë me fqinjët tanë. Deti Jon, mund të bëhet edhe më shumë i tyri… Është e kuptueshme se në këtë rast askush nuk do hezitonte të merrte më shumë nga çfarë i takon, për aq kohë sa Shqipëria me një të rënë lapsit bën edhe pazare të tilla. Vendimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese rrëzoi marrëveshjen e parë për shkelje të rënda, madje të nëntë anëtarët e saj ishin në një mendje, si asnjëherë më parë. Fqinji ynë jugor në këtë kohë krize, gati në kolaps po duket gjithnjë e më shumë i interesuar që sa më parë të mbyllet kjo marrëveshje e nisur para dy vjetësh. Në këtë pikë ka gjetur edhe mbështetjen e qeverisë sonë ku si ministria e Jashtme ashtu edhe ajo e Mbrojtjes nuk kanë lënë mundësi pa shfrytëzuar që të arrihet një akt final që të zyrtarizohet publikisht me një shtrëngim duarsh, por kur të vihen në punë miljet detare mund të ndodhë që hapësira që dikur njihej si e jona të kalojë në pjesën tjetër. Duke nisur edhe nga precedentë ndërkombëtarë, ku për të arritur një marrëveshje për ndarjen e ujrave detarë kërkohen edhe dekada negociim, Shqipëria ka bërë përjashtime. Vetëm një vit pasi Gjykata Kushtetuese në unanimitet rrëzoi marrëveshjen e parë, qeveria nxitoi të ngrinte komisionin ndërinstitucional që do të rinegocionte. Kësaj radhe urdhrat për nisjen e negocimeve nuk u lanë në dorë të diplomacisë dhe mbrojtjes, por vetë kryeministri do përfshihej në hapat e parë. Në korrikun e nxehtë të verës së kaluar, pasi kreu ca ture në bregdetin tonë, numri një i qeverisë, Berisha, urdhëroi ngritjen e komisionit të ri që do të përfundonte marrëveshjen. Mjaftoi vetëm kjo fjalë për të kuptuar se më shumë se negocimi rëndësi ka përfundimi, duke mbajtur të gjallë dhe prezente për çdo negocim të mundëshëm marrëveshjen e parë, ku pala greke e firmosi me dëshirë pa asnjë rezervë. Mirëpo nxitimi për të ngritur grupin e punës dhe futur në valle edhe ushtarakët, duket se hasi në kundërshtime që në fillim. Komandanti i Flotës Detare Kudret Çela ka marrë pjesë në tre takimet e zhvilluara në komisionin ndërinstitucional të dy ministrive, asaj të Mbrojtjes dhe Jashtme për çështjen e marrëvëshjes së re detare me Greqinë. Që në fillim ushtaraku me karrierë të gjatë ka pasur kundërshtime. Kjo pasi diskutimet kanë qenë mbi bazën e marrëveshjes së parë, që u shpall antikushtetuese nga gjykata. Por një zë kundër në këto raste duhet mënjanuar dhe duket se pikërisht kjo ka ndodhur. Ministri Imami preferoi të largojë një kundëradmiral për të vënë në krye të flotës një ushtarak me grada të mesme. Ndoshta edhe Ferdinand Kreshpani nëse do u bindej eprorëve mund të kishte mundësi që të bënte më shumë karrierë. Ashtu siçc ndodhi me Kristaq Gërvenin, i cili fill pasi udhëhoqi dhe më pas nënshkroi marrëveshjen e parë për ndarjen e ujërave territoriale me Greqinë, u gradua nga presidenti i vendit dhe u caktua me detyrën e lartë ushtarake si një nga përfaqësuesit e Shqipërisë në NATO. Që edhe negociatat e reja po kryhen mbi bazën e marrëveshjes së pare, është pranuar indirekt edhe nga Imami. Ai u shpreh se “çështja e marrëveshjes është çështje e ministrisë së Jashtme. Ne kemi ekspertizën tonë, e kam gjetur marrëveshjen të kryer. Shpresoj se mund të arrihet një marrëveshje më e mirë. Çela nuk ka qenë në këtë marrëveshje. Nuk ka asnjë lidhje me çështjen. Do mblidhet një komision siç u mblodh komisioni i parë”.

Ndonëse për qeverinë marrëveshja e parë duhej mbajtur, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i ka vënë disi në vështirësi. Për të eleminuar një precedent tjetër për shkelje ligjore dhe marrëveshje që bien në kundërshtim me kushtetutën e vendit, anëtarët e komisionit po bëjnë negociata me dy pika ku pala greke duhet të tërhiqet disi. Çështja tashmë është se sa det do ketë vendi ynë, pasi të tjera vijnë me kohë. Ka një fije shprese se komisioni i tanishëm do të hedhë për diskutim edhe pikat që Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar si shkelje të hapura ligjore dhe cënim të integritetit territorial. Një prej tyre është edhe pika fundore në kufirin verior greko-shqiptar. Në gjuhen ushtarake të marinës ajo njohet si pika 150, e cila është përcaktuese edhe për ndërtimin e kufirit trepalësh greko-italo shqiptar. Sa i përket pjesës tjetër të kufirit, vija mund të qëndrojë si në draftin fillestar pasi që prej Kanalit të Korfuzit e deri në dalje të Sarandës bëhet më shumë fjalë për një hapësirë ndërkombëtare të kalimit detar. Dhe nëse kjo do të ndodhë me pak ndryshime dhe marrëveshja do konsiderohet fakt i kryer, atëherë do bëhet pak zhurmë, disa protesta të vogla dhe do kalojë lehtë, pa vrasje ndërgjegjie dhe shkelje ligjore, sikurse ngjau me emërimin dhe shkarkimin e kreut të Flotës Detare.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.