Bashkimi kombëtar. E pse?
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/default_images/no-photo_0.jpg?itok=QGFmpan5)
Një ide ka përlarë shqiptarët: ajo e bashkimit kombëtar! Pasaporta Tirane për të gjithë. Ndërtohen autostrada betoni dhe digjitale – kapilarë që do ta lidhin nga bishti në majë hapësirën etnike shqiptare. Tash së voni “kryenacionalisti” shqiptar Sali Berisha, hedh edhe idetë për një ligë të përbashkët të futbollit, të cilën me vite e refuzonte, si dhe për frekuenca kombëtare televizive përderisa mund ta kalosh pothuajse gjysmën e Shqipërisë dhe aty gjen edhe kanale ruse, greke, spanjolle, angleze, por rrallë mund ta gjesh një kanal kosovar.
Sikur të mos mjafton që Shqipëria nuk po arrin dot t’i afrohet Evropës, dhe që Kosova e dërrmuar ekonomikisht nga korrupsioni ende po kërkon mënyra për të gjetur rrugën evropiane, politikanët nga të dy anët nuk hezitojnë të frikësojnë secilin mik që kemi me ide të reja, të cilat në sfond nuk bartin “shpëtimin” e kombit, por veç shpëtimin e tyre nga drejtësia e ligji.
Simbolika, mesazhet dhe premtimet e Tiranës dhe Prishtinës alarmuan fqinjët si ashtu në ankth të përhershëm dhe detyruan korin e politikës ndërkombëtare gjysmëfjetur të na përsërisë edhe njëherë: “S’ka lëvizje kufijsh”! Disa nga ekspertët e huaj gjetën materien e radhës për të qortuar politikën e “gabuar” ndërkombëtare ndaj Kosovës, do të tjerë si përherë të patrazuar tërbohen duke thënë: “ani ç’ka të keqe nëse bashkohen Kosova me Shqipërinë”.
Shumica e opinionistëve shqiptarë diskutojnë lavdërueshëm leverdinë e idealit historik dhe çdo thirrje për pragmatizëm dhe racionalitet të pakicës e deklasojnë si sabotim ndaj shqiptarisë.
Nëse bazohemi në inskenimet dhe manifestimet qeveritare, sondazhet, debatet dhe disksurset publicistike të para-dhe pas festave të 100-vjetorit të pavarësisë shqiptare, njeriu edhe mund të habitet e të mendojë sikur vërtet ekziston një strategji që për synim ka bashkimin de jure të Shqipërisë me Kosovën.
Ekziston vërtet një strategji e tillë apo kemi të bëjmë me një të ashtuquajtur «domino-efekt» të rastësishëm që rezulton nga intensifikimi i garave elektorale që edhe kësaj radhe si duket për bosht veprimi do të kenë euforinë turbonacionale?
Një gjë është më se e dukshme: as partitë e lëvizjet më të zëshme të idesë së bashkimit kombëtar deri më tani nuk kanë ofruar një projekt qoftë edhe formëskice se në ç’variant duan ta jetësojnë «ëndrrën shekullore» të vlonjatit përt t’u bashkuar me prizrenasin. Këto sot për sot hallin e vetëm e kanë vetëdijesimin e shqiptarëve për bashkimin, thua se këtu qëndron i gjithë problemi. E ai është krejt diku tjetër.
PROBLEMET
Ndërmjet idesë dhe realizimit të saj gjendet ajo gropa zjarrmadhe, e cila po nuk u kapërcye suksesshëm mund të përflakë jo vetëm idetë dhe dëshirat por edhe vetë kërcyesin. Kosova ka një kushtetutë të sponsorizuar nga faktori ndërkombëtar - bërësit kryesorë të saj. Jo vetëm një apo dy preambula të saj por e tëra përmban një strukturë juridike që parapengon sidomos konfigurimin ekstern të shtetit, pra gjithçka që ka të bëjë me kufijtë. Shqipëria dhe Kosova prijnë piedestalshëm në të gjitha listat e mundshme negative për korrupsion, demokraci të pakonsoliduar, papunësi, varfëri e kështu me radhë.
Qeveritë (bashkë me opozitat) shpëtimin e vetëm që ofrojnë (si retorikë dhe veprim konkret) për të dalë nga këto gjendje të rënda ekonomike, sociale e kulturore e shohin te subvencionet që i shpresojnë me integrimin në BE dhe organizata tjera supranacionale. Kur konfrontojmë disponimin e këtyre organizatave ndaj idesë së bashkimit shqiptar me ngarendjen e disave për t’u kyçur me çdo kusht në to kolidohemi hundëthyer me realpolitikën. Si të bashkohen shqiptarët pa u bërë delja e zezë e Evropës?
ASPEKTET JURIDIKE, POLITIKE DHE EKONOMIKE
Para së gjithash a kanë të drejtë dy subjektet shtetërore, Shqipëria dhe Kosova, të bashkohen, duke pasur parasysh dokumentet e ratifikuara që lidhen me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe kontratave tjera me institucionet supranacionale? Po.
Pse? Sepse shumica e dokumenteve janë të përpiluara nën diktatin e filozofisë së sigurimit të paqes ndërshtetërore. Ata mëtojnë të parandalojnë konfliktet dhe janë sanksionuese vetëm ndaj subjekteve shtetërore që cenojnë lirinë, sigurinë dhe kufijtë e ndonjë shteti tjetër.
Në asnjërën prej këtyre dokumenteve që rilexuam enkas për këtë temë nuk ekziston as edhe një aline që vë në pikëpyetje lidhjen apo bashkimin e dy apo më shumë shteteve – përndryshe nuk do të ekzistonte as BE si ideal e vizion. Përkundrazi, shumica e këtyre kontratave favorizojnë (një nga dokumentet kryesore siç është «Declaration on the Right to Development», 4 December 1986, A/RES/41/128 UNO) bashkimin e shteteve nëse në këtë formë ato argumentojnë mirëqenien e tyre sidomos ekonomike e pastaj politike, nacionale etj.
Në këto kontrata frika e të tjerëve nuk ka cilësinë e as të indikacionit.
Megjithatë, disponimi politik kundër idesë së bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë prish punë dhe mund të çojë në izolim. Aspekti tjetër me rëndësi në këtë matematikë vizionesh është edhe kalkulimi që duhet ta bëjnë shqiptarët: është më mirë të kesh dy vota në NATO, BE, OKB, Bankën Botërore apo vetëm një? E njëjta gjë vlen edhe për subvencionet.
Skenarët e propaganduesve
Nga diskurset, deklarimet e qeverive, partive dhe lëvizjeve identifikohen dy skenarë (edhe pse jo eksplicit, programatik) se si dëshirohet realizimi i
bashkimit të shqiptarëve. Njëra palë do ta zgjidhë problemin nga lart- poshtë (modeli Top-down) dhe tjetra nga pak hapat që bën lëviz nga poshtë-lart (Bottom-up). Si duken ato?
SKENARI I PARË. Lëvizje e parti – kryesisht opozitare – kërkojnë aktin e bashkimit të menjëhershëm, pa marrë parasysh disponimin e partnerëve ndërkombëtarë. Atyre iu mjafton «disponimi i masave», i filtruar nëpërmjet sondazheve, festave, simbolikës si indikator se shqiptarët në Kosovë dhe ata në Shqipëri duan bashkimin e dy shteteve të tyre. Ithtarët e kësaj ideje besojnë se kur ndërkombëtarët do të gjenden para aktit të kryer do të jenë të detyruar që të zgjedhin: t’i lënë shqiptarët jashtë politikave të tyre apo t’i pranojnë e afrojnë për të siguruar stabilitetin e nevojshëm. Ideali i bashkimit kombëtar – për këtë tabor – është më i shenjtë sesa votat, subvencionet, ata nuk druajnë (ose nuk i kanë menduar sa duhet) as nga rreziku i izolimit apo zgjatja e vuajtjeve, sociale dhe ekonomike e masave.
SKENARI I DYTË. Pala e dytë vepron me hapa të vegjël. Autostradat, pasaportat, tunelet, bashkërreshtimi diplomatik në segmente të ndryshme dhe forcimi i komunikimit kulturor (në atë masë sa dinë) janë shenja që mund të shkojnë edhe në konto të idealit të bashkimit të shqiptarëve. Retorika e parisë në pushtet na thotë se ata bashkimin tashmë e kanë nisur nga poshtë-lart, pra fillimisht duke riafruar shqiptarët e ndarë për shumë dekada në sjellje, kulturë, histori, ekonomi dhe politikë.
Kritikët refuzojnë të pranojnë këto hapa si shenja unitetit kombëtar. Dhe akuzojnë se: qëllimi i qeverive është me çdo kusht të integrohen në BE sepse besojnë që ajo do të avancohet aq (në komptenecat supranacionale) saqë do t’i kursejë këta nga akti i shpalljes zyrtar të «bashkimit» që do të tërbonte gjithë përreth. Në fakt – për shkak të mungesës së një strategjie transparente të qeverive edhe kështu mund të analizohet – sikur ato të presin një zhvillim që do të bënte idenë e bashkimit të demoduar ose simbolikë të panevojshme, sepse Evropa e rajoneve (siç synohet) do ta ketë fjalën e jo ajo e kombeve. Ky proces mirë po ngec në BE dhe implementimi i tij përkohësisht nuk duket në horizont. Këtë qeveritë na merr mendja se e dinë.
Nuk duan bashkim, por pushtet
Protagonistët e të dy skenarëve që shpaluam lart nuk e kanë me gjithë mend punën e bashkimit kombëtar. Është retorikë e zakonshme paraelektorale. Të parët nuk kanë mandatin e askujt për të zgjedhur çështjen e bashkimit edhe po të donin.
Sondazhet, opinionet, debatet nuk janë mekanizma legjitime të demokracisë politike, por referendumet, plebishitet dhe atë mundësisht jo të inicuara në baza të manipulimit masiv. Përveç kësaj filozofia e tyre është kontradiktore për rrethanat aktuale politike në relacion me BE dhe OKB. Nga njëra anë thonë se duan në BE ,e nga ana tjetër ushtrojnë megalomani kur besojnë se mund ta nxjerrin të njëjtën para aktit të kryer shqiptar. Sikur BE, siç thotë populli, të ha barë dhe sikur shqiptaria të jetë në formë për të kërcënuar kontinentin me ultimatume.
Të dytët (qeveritë) po të donin vërtet bashkimin kombëtar nuk do të bashkonin kombin fillimisht me beton dhe internet, por duke i krijuar ligjet dhe bazat e nevojshme demokratike për nisjen e një strategjie të tillë. Para së gjithash qeveritë duhet të inicojnë (Kosova) ndryshimin kushtetutat e tyre. O për ta hequr çështjen e mosndryshimit të kufijve ose duke ndryshuar sistemin politik nga parlamentarizmi në demokraci të drejtpërdrejtë (Zvicra). Ky sistem do t’iu mundësonte atyre që t’i lajnë duart si Ponc Pilati nga «mëkati» me arsyetimin e tipit» çka t’i bëjmë demokracia na ka zënë rrugën», sa herë që ndonjë vendim i popullit të tyre t’i çorodiste tjerët.
Nëse qeveritë vërtet do të donin bashkimin, ato atëherë qëmoti do të kishin filluar me këmbimin e elitave në institucionet e kulturës, do të kishin bashkuar akademitë ose do ta kishin përzier personelin së paku, do të kishin sponsorizuar këmbimin e studentëve, do të kishin organizuar projekte të përbashkëta ekonomike (vende të punës), do të kishin përkrahur shtrirjen e medieve dhe librave në gjithë hapësirën shqiptare pavarësisht domicilit të tyre, do të kishin bërë çmos që ta kompensojnë kohën e humbur të kontaktit gjatë dekadave të komunizmit. Asgjë nga këto! Si niset bashkimi atëherë? Me pasaportë që pa vizë s’del dot nga shtëpia? Disa mund ta mendojnë se bashkimi duhet të sjellë dominimin e njërës palë ndaj tjetrës, por kjo nuk është rruga e drejtë e krijimit të çfarëdo raporti të përbashkët mes shqiptarëve.
Natyrisht që shqiptarët kanë të drejtë para tjerëve ta kërkojnë bashkimin.
Insistimi në “të drejtën” është po aq jo-argumentues sa është edhe fëmijëror. Por e tërë ideja është duke qëndruar në këtë pikë. Aq shumë insistohet në të drejtën për bashkim sa që ta zëmë nëse sot do na thoshin: Ja ku e keni bashkohuni, brenda gjashtë muajve- do na zinin gafil dhe pa asnjë ide.
Sot, shqiptarët kanë shumë punë për të bërë brenda shteteve të tyre para se të mendojnë veç për bashkimin. Kosova dhe Shqipëria duhet të demokratizohen e të forcohen ekonomikisht. Duhet që të hiqemi nga fundi i secilës listë ndërkombëtare. Të dalim së pari nga turpi në të cilin gjendemi. Të evropianizohemi me sjellje e me mentalitet. E më së miri do të ishte që këtë ta bëjnë atëherë kur të jenë bashkuar ndër vete. Pa këtë madje as kushtetutat e reja nuk janë garanci: Çka nëse shumica thotë jo? Ndoshta në këtë epokë as shqiptarët nuk duan të bashkohen si dy të pastrehë që bukën e sigurojnë kontejnerëve të Perëndimit. Së pari zhvillim, pastaj se frikësojmë askënd e as veten, e atëherë ndoshta edhe bashkohemi...
Marrë nga: INA-online.net
Comments
Insistimi në “të drejtën”

Insistimi në “të drejtën” është po aq jo-argumentues sa është edhe fëmijëror. Por e tërë ideja është duke qëndruar në këtë pikë. Aq shumë insistohet në të drejtën për bashkim sa që ta zëmë nëse sot do na thoshin: Ja ku e keni bashkohuni, brenda gjashtë muajve- do na zinin gafil dhe pa asnjë ide.

(DELETED)

Ku pjerdh shteti i vogel nga efektet e zgjerimit. A jeni ne metro mo, qe shteti te ndieje negativisht zgjerimin duhet te kete permasat e Perandorise romake, Kines, BE-se,Rusise etj.

Shteti vdes te zgjerohet, derisa te arrije madhesine optimale per mbijetese, te jete me i forti.

A e keni ndopak idene ç'eshte shteti apo futja t'ja fusim, se na kane thene qe jemi te mençur.

Cfare gafili thoni more, sot jemi 100 here me te pergatitur se ç'ishim para 100 vjetesh per Pavaresine, atehere ishin te gjithe analfabete, çifcinj e kaçake.

(DELETED)

Shqiperia eshte e vogel.

Shqiperia eshte e vogel. Duket sikur vetem dy njerez e kane prone te sajen. Kosova gjithashtu. Eshte shume e vogel. Ne vende te vogla dihet se eshte shume e veshtire te kete zhvillim te nje demokracie te mirefillte sepse klientelizmi ose krahinizmi mbizoterojne ne gjithcka. Shpresa eshte se duke u bashkuar te dy shtetet, njerezit mund te levizin lirshem nga Prishtina ne Vlore, duke sjelle me vete nje fryme te re ndryshimi e si rrjedhoje, mund te filloje nje nje fare thyerjeje e ekuilibrave klientelare egzistues.

po ne qofte se korrupsioni

po ne qofte se korrupsioni eshte arsye ,sipas jush, per mos ekzistencen e nje shteti te bashkuar shqiptar,atehere me te njejten llogjike perse duhet te ekzistojne dy principata te korruptuara?

po ashtu edhe per pengesat burokratike(kushtetuta e etj).kur u shpall pavaresia nuk ekzistonte kuadri i nevojshem ligjor,po ashtu edhe kur u shkeput kosova nga serbia. i zoti e nxjerr gomarin nga balta.

keshtu qe keni arsye te tjera per te cilat kundershtoni dhe fshiheni pas argumenteve jo bindese.

me mire dilni hapur se nuk jeni vetem,keni edhe matoshin,lubonjen &co dhe berishe-fazllicin qe per 8 vjet ishte kundershtari me i madh i bashkimit dhe tani ne fund nderroi pllake.

populli ka instikt zoterinj dhe i kupton menjehere kolonat e 5-ta

Add new comment