Alkimia e mediokritetit

Postuar në 24 Shtator, 2012 02:33

Në Tiranën e viteve ’80, kur unë dhe nja 2-3 fëmijë të tjerë ngjiteshim nëpër shtëpitë tona me shpresën se nuk kishte kaluar ora e shtetrrethimit prindëror, Beni na përshëndeste me ndonjë të tallur që na therte në shpirt. Ai e hapte orarin e lojës dhe e mbyllte kushedi se kur, teksa ne zhyteshim në libra me të cilët ai deklaronte se vlejnë vetëm për higjienën vetjake (përkthim etik i autorit). Prindërit e Benit ishin të bindur se djali i tyre “nuk mbushte” dhe, gjithsesi, do të përfundonte si ata.  Kjo profeci vetëpërmbushëse ushqehej nga fakti që Beni nuk e kishte qejf shkollën dhe nuk ishte gjë e rrallë të shihje “presorin” e Punës me Dru ta ndiqte me vrap (natyrisht me dru në dorë) nëpër oborrin e shkollës. Beni i ikte gjithmonë. Ia doli me sukses t’i ikë jo vetëm “presorit”, por edhe shkollës në përgjithësi.
Përpara pak kohësh e ritakoj Benin, tashmë gati 40-vjeçar, duke u sjellë në rrugët e Tiranës me punë të vogla mbijetese. I mllefosur në kulm dhe i bindur se meqë dal në “televizor” duhet të kem ndonjë farë pushteti a përgjegjësie politike, shpërthen në ankesa për fatin e tij të zi. “E rregullut b… tuj ju mër vlla. Po ne ç’a do hamë? Kush do na gjejë punë?”.
Instinktivisht u përpoqa të mendoj se çfarë pune do të mund të kishte bërë Beni i shkretë. Nuk gjeta asgjë. Njësoj si unë dhe të tjerët, Beni kishte pasur mundësinë të bënte shkollë dhe të merrte ndonjë profesion, por të vetmet skena që më kujtoheshin në lidhje me aftësitë e tij ishin poshtërimi i “presorit”, vjedhja e pantallonave të rojës së kopshtit të lagjes dhe demonstrimi i njohurive të karatesë mbi ndonjë kalama të pafat që e kishte sharë kur kishte kaluar në lagjen e tij. Natyrisht, nuk është vetëm përgjegjësia e Benit, por edhe e prindërve. Po kush ua ka fajin atyre? Unë dhe prindërit e mi? Disa njerëz janë të zotët për ta hequr përgjegjësinë nga Beni: Jo vetëm nga Beni 10-vjeçar, por edhe nga Beni 18-vjeçar. Një person që është mjaftueshmërisht i arsyeshëm për të votuar apo për të mbajtur armët e shtetit në dorë, por jo për të marrë në dorë fatin e tij. Natyrisht, ka plot si ai që i zgjidhin hallet duke bërë fushata politike dhe duke u bërë policë apo gjëra të ngjashme, mirëpo ky fatkeq as këtë nuk e bënte dot. Jo për arsye etike apo morali politik, natyrisht.
Ka plot njerëz që nuk kanë bukë të hanë dhe vajtjen në shkollë e kanë luks, por a i përfshin kjo kategori të gjithë?
Jam gjendur përpara disa vitesh në një klasë në një universitet publik me rreth 10 studentë, nga 96 që kishte kursi. Tre prej tyre kishin ardhur për leksionin, 7 kishin ardhur për të lënë përshtypje të mirë te “presori” (me byrek në dorë, se leksionet ishin të rënda për t’u shtyrë thatë), ndërsa të tjerët e kishin gjykuar të tepërt mundimin dhe e kishin mbajtur frymën te kafja përballë. Dhe pyetja që të lind është mizore: Për çfarë dreqin u paguhet shkolla këtyre parazitëve 18-22-vjeçarë? Pse duhet të paguash taksa për njerëz që hedhin në plehra mundin dhe djersën time? E pastaj të vjen të plasësh kur ndonjë karafil që e ke parë vetëm për provim, vjen e të kërkon llogari se qeveria nuk po i gjen punë, edhe pasi ia kanë falur diplomën publikisht apo privatisht.
Ka shoqëri në të cilat mediokriteti përbuzet, ka shoqëri në të cilat tolerohet, por ka gjithmonë e më tepër shoqëri në të cilat përligjet. Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt kësaj rruge. Sepse mediokrit, ata që presin t’ua rregullojnë jetën të tjerët, nuk janë mall pa vlerë. Ata vlejnë si dele në kohë fushate zgjedhore. Nëse në jetën e përditshme trajtohen si zgjebarakë, pabukës, rrjepacakë, halabakë e brekëgrisur, kur vjen fushata, ata e gjejnë veten nëpër fjalime politike në kategori të nderuara si qytetarë të ndershëm, njerëz të mirë e punëtorë dhe viktima të korrupsionit. Kjo është mënyra më efikase për t’i ndihmuar të besojnë se nuk është faji i tyre, por i kundërshtarit politik. Më pas, ata që nuk do të bëhen dot policë e doganierë, do të kujtojnë nga fjalimet vetëm pjesën ku u thuhet se janë “viktima” të shoqërisë, pa e vrarë mendjen se i gjithë fjalimi ka qenë mashtrim. Do të joshet nga emërtimet e mësipërme, do të joshet nga analiza e radikalëve të rinj të majtë që i thonë se fqinji i tij që punon 24 orë në ditë prej 30 vjetësh dhe ka shtëpi e makinë të bukur nuk i meriton ato, por duhet t’i ndajë më të. Do të joshet edhe nga dora e ngrohtë asistenciale e qeverisë që i kujton se nuk e ka harruar atë si viktimë të pafajshme.
Një ish-student imi XY nuk ishte si ky Beni. E nisi jetën shumë më keq, pa njërin prind, në një gjasme-shtëpi si kasolle, i detyruar të punojë për të mbajtur frymën gjallë që fëmijë. Prindi zgjodhi ta edukojë si zot të vetes, dhe jo si viktimë. Djali vendosi të ndjekë po atë rrugë edhe kur nuk ishte e detyrueshme të bindej. Sot ai bën krenar çdo mësues e mik që ka pasur nderin a iluzionin ta ndihmojë sadopak. Një student i tillë të bën ta duash profesionin e pedagogut dhe të dëshirosh ta kesh koleg. Aq sa pedagogët janë të gatshëm të konkurrojnë me njëri-tjetrin për ta ndihmuar të gjejë punë apo të studiojë jashtë vendit.
XY e di se jeta nuk është parajsë, se asgjë nuk arrihet pa punë, se fati nuk ekziston, se bota ishte këtu përpara tij, prandaj nuk i ka asnjë borxh atij dhe se vetëm puna të nxjerr në dritë. XY është pothuajse hero, por midis heroit dhe mediokrit nuk është e domosdoshme të zgjidhet njëri apo tjetri. Mjafton një arsyetim i prindit fillimisht e më pas i vetë personit mbi shanset e të jetuarit të një jete pa shkollë, pa përpjekje, pa punë.
Disa nuk e kanë as këtë mundësi fillestare, por ky shkrim nuk është për ta. Ky shkrim nuk është për nxënësen rome që i bie të fikët kur ngrihet në mësim, sepse ka tri ditë pa ngrënë. Ky është vërtet një problem i shtetit dhe shoqërisë që duhet të sigurojë kushtin bazë të dhënies së mundësive: një arsim cilësor fillor e të mesëm. Por vuajtjet e mijëra mediokërve e parazitëve që kanë shpërdoruar mundësitë e dhëna dhe ia ngjeshin shoqërisë e shtetit fajin e papërgjegjshmërisë së vet nuk mund të jenë problem i askujt tjetër përveçse i tyre. Kujtoni paradoksin interesant të profesioneve manuale: sa shumë papunësi në Shqipërinë dhe njëkohësisht sa e vështirë të gjesh një hidraulik, elektricist apo pllakashtrues të përgjegjshëm e korrekt! Jo vetëm që mediokrit nuk janë viktima të shoqërisë, por shoqëria rrezikon e gjitha të shndërrohet në viktimë të tyre me ndihmën e alkimisë zgjedhore.

Marrë nga Panorama

Comments

Submitted by Anonim (not verified) on

Karabush i vetekenaqur!
Ne fjalet e te madhit Pacino "Vanity, definitely my favourite sin!"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.