AKZ dhe mantra e nacionalizmit populist

Postuar në 02 Mars, 2012 04:47

Pak kohë më parë, në një opinion të botuar në portalin ResPublica, Eduard Zaloshnja shkruante se, sipas rezultateve të një sondazhi, binomi Aleanca Kuq e Zi – partia “Topi”,  nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin ditën kur u krye sondazhi, do të merrte nga 13 deri në 17 për qind të votës kombëtare. Por në fakt, s’është nevoja për sondazhe që të kuptosh se tashmë këto dy forca premtojnë të luajnë një rol me rëndësi në jetën politike shqiptare. Sidoqoftë, më parë duhet sqaruar se, ndonëse jemi mësuar t’i shohim si të ishin dy anë të së njëjtës medalje, në fakt këto dy forca të reja në panoramën politike shqiptare ndryshojnë shumë. E ashtuquajtura partia “Topi” është e qartë se do të jetë një parti tradicionale e krahut të djathtë, produkt i pakënaqësive e zhgënjimeve me qeverisjen e vendit nga PD dhe qeverisjen e PD nga Sali Berisha. Ndërsa Aleanca Kuq e Zi, në një farë mënyre përbën vërtet një risi për skenën politike shqiptare, pasojat dhe implikimet e së cilës ndoshta ia vlen t’i analizosh në një kontekst më të gjerë dhe më afatgjatë sesa thjesht pesha që ajo mund të ketë në zgjedhjet e ardhshme.

Me AKZ për herë të parë në arenën politike shqiptare, kemi një forcë kryekëput populiste, ose më saktë nacionaliste-populiste, sipas një tradite mirëfilli ballkanike (natyrisht, duhet përjashtuar këtu Lëvizja “Vetëvendosja”, e cila vepron në një kontekst krejt tjetër). Me këtë s’dua të them se politika shqiptare deri më sot nuk ka vuajtur nga populizmi. Të gjitha forcat politike dhe politikanët që kanë dominuar skenën politike shqiptare në këta 20 vjet i kanë përdorur pa teklif retorikën e premtimet populiste. Shembulli më i mirë i kësaj është padyshim ligjërimi politik i Kryeministrit Berisha. Ndryshimi qëndron në faktin se ndërsa në këto raste populizmi ka shërbyer thjesht si instrument për të marrë apo mbajtur pushtetin, Aleanca Kuq e Zi është duke e ngritur atë në nivelin e ideologjisë politike. Sepse pavarësisht kundërshtimeve që vijnë nga përfaqësues, apo dhe vetë kreu i kësaj force, mbetet fakt se deri më sot Aleanca Kuq e Zi vazhdon të jetë një forcë pa një program real politik; një forcë e bazuar më tepër te kontestimi nën flamurin e një nacionalizmi tipik ballkanik sesa te sugjerimi i programeve, ideve apo masave konkrete sesi mund t’i jepet zgjidhje problemeve me të cilat përballen prej vitesh qytetarët shqiptarë. Madje, as kur vjen puna te bashkimi i trojeve shqiptare, që me ç’duket përbën boshtin e vizionit politik të  Aleancës Kuq e Zi, deri më sot kjo forcë nuk ka artikuluar ndonjë plan konkret që të shkojë përtej thirrjeve retorike. Sepse është e qartë se asnjë prej çështjeve që ajo ka ngritur, apo propozimeve me të cilat ka dalë, s’mund të shërbejë dot si bazë e një programi qeverisës e aq më pak si platformë realiste për të arritur bashkimin kombëtar.

Por, atëherë del pyetja: si shpjegohen joshja mediatike dhe suksesi, në dukje, i shpejtë që ka arritur kjo forcë, përderisa ajo nuk ofron asnjë zgjidhje për problemet prej të cilave vuajnë sot shqiptarët, siç janë korrupsioni, papunësia, varfëria etj. etj?

Ashtu si çdo forcë e llojit të saj, duke filluar që nga partitë nacionaliste serbe, greke apo gjetkë në Europë, fakti është se Aleanca Kuq e Zi ia ka dalë mbanë të prekë disa nerva të zhveshura në shoqërinë shqiptare. Së pari, mund të thuhet se me retorikën e saj nacionaliste AKZ ka arritur të kapitalizojë emocionet që lidhen me sedrën e cenuar kombëtare të shqiptarëve, duke bërë kësisoj për vete një pjesë të atij segmenti në rritje të shoqërisë shqiptare që është i pakënaqur me situatën në të cilën ndodhet sot vendi dhe që shohin sesi fqinjët (apo, sipas diskurit nacionalist, “armiqtë” e tyre historikë) ecin përpara, ndërkohë që ne shqiptarët gjithnjë e më shumë dukemi të destinuar të bëjmë vendnumëro. Një tjetër shpjegim i pranuar gjerësisht nga vëzhguesit e politikës, është se në kushtet kur në një shoqëri mbizotëron pakënaqësia ndaj establishment-it politik ekzistues, si pasojë e skandaleve dhe korrupsionit, situatës së rënduar ekonomike, papunësisë, pabarazisë sociale në rritje, e pasigurisë për të ardhmen, mbështetja për partitë e ekstremeve të spektrit politik në përgjithësi, dhe ato nacionalisto-populiste në veçanti, gjithnjë shtohet. Në kohë të tilla, një pjesë e publikut, veçanërisht të rinjtë, priren të gravitojnë drejt forcave politike që u përkasin ekstremeve të spektrit. Ajo që i bashkon këto shpjegime, është fakti se në të dyja rastet s’bëhet fjalë për një mbështetje racionale, nisur nga zgjidhjet që ofron një forcë politike, por më tepër për një mbështetje emotive ndaj një force që duket sikur  konteston realitetin ekzistues, pavarësisht se s’është në gjendje të ofrojë asnjë alternativë të qenësishme. Për t’i rënë shkurt, pika më e fortë dhe arsyeja kryesore përse Aleanca Kuq e Zi po arrin të kthehet në një faktor të rëndësishëm në politikën shqiptare duhet kërkuar pikërisht te vota e protestës së një pjese të elektoratit, kryesisht të rinjtë, të cilët nuk e gjejnë më veten të përfaqësuar.

Por a do arrijë vërtet AKZ të sjellë një tronditje reale në skenën politike shqiptare, siç pretendon kreu i saj, duke sfiduar forcat tradicionale që e kanë dominuar atë tash e njëzet vjet, apo do të jetë thjesht një flakë kashte, që përkohësisht shkakton shumë zhurmë e turbullim, pastaj gradualisht shuhet, siç ka ndodhur rëndom me shumë parti e forca të ngjashme tjetërkund? Në fakt, është ende herët për ta thënë. Sigurisht që shumë do të varet nga fakti nëse kjo forcë do të arrijë apo jo të strukturohet e të evoluojë drejt një partie të mirëfilltë, duke u kthyer kësisoj në një aktor jetëgjatë në skenën politike shqiptare. Sidoqoftë, deri tani, mjafton t’i hedhësh një sy faqes së saj zyrtare, që të kuptosh se kjo ka për të qenë tepër e vështirë.

Deri më sot, shqetësimi për daljen e kësaj force është ndier më shumë në të djathtë të spektrit politik shqiptar, ku mazhoranca ka kohë që ka ndërmarrë një fushatë demonizimi të kësaj lëvizjeje dhe inkriminimi të liderit të saj. Partia Socialiste – nëse përjashtojmë disa reagime sporadike, kryesisht si kundërpërgjigje ndaj sulmeve që kanë ardhur prej Kreshnik Spahiut – ka preferuar të qëndrojë indiferente, duke e parë ngritjen e AKZ si një dukuri brenda të djathtës. Natyrisht, qoftë për shkak të biografisë së kreut të saj, qoftë për shkak të ideologjisë që ajo përfaqëson, gjasat janë që votat e AKZ do të vijnë kryesisht djathtas.

Por ndoshta pyetja kryesore që duhet të bëjmë, qoftë dhe përtej konsideratave që lidhen thjesht me votimet e radhës, është ajo që ka të bëjë me pasojat e implikimet që mund të sjellë përdorimi populist i kartës nacionaliste në një shoqëri me aq shumë probleme e shqetësime, siç është aktualisht shoqëria shqiptare.

 

Comments

Submitted by Mehmet Elez Alia (not verified) on

Eshre shume e lehte Maklen

I thuaj kryetarit tend te mos luaje me zjarrin dhe te nderprese sponsorizimin mediatik te Kreshnik Saphiut tek Shekulli e Top Channel.

Pergjegjes per kete neveri qe quhet AKZ eshte ai

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.