“Vlera” e kapitalit dhe vlerat e shoqërive demokratike: përfundimi i zgjedhjeve 2013 në Shqipëri*

Postuar në 03 Mars, 2013 10:26

 

Që nga koha e lindjes së shtetit modern, asnjë politikan profesionistë (duke përjashtuar këtu pak filozofë politikë) nuk ka sfiduar “vlerën”, rolin e kapitalit dhe përqëndrimin e Pushtetit në shoqëritë moderne. Kjo tregon se ata nuk njohin tre elementë: se si zhvillohen vlerat njerëzore, cilat janë ato dhe se çfarë shkatërron “vlera” e kapitalit. Dhe është, siç kam tregur në vend tjetër,[1] “vlera” e kapitalit dhe përqëndrimi i Pushtetit që shkatërron vlerat njerëzore (virtytet) dhe ekosistemin. Dhe është pikërisht kjo “vlerë” që ka adoptuar perëndimi në përgjithësi, që bën të mundur tiraninë moderne. Ndryshe nga Mesjeta dhe kohët klasike, perëndimi shtrembëroi çdolloj kuptimi të vlerave njerëzore: ai shtrembëroi kuptimin e sovranitetit, traditës, zakonit, prodhimit, pushtetit, shtetit, demokracisë dhe shkencës. Në kohët klasike dhe Mesjetare ‘sovrani’ ishte populli —me ‘sovran’ këtu nënkuptohet se vendim-marrja ishte në duart e popujve; në kohët moderne — megjithëse ‘sovran’ deklarohet populli — sovrani është Pushteti — sepse vendim-marrja varet nga ata që kontrollojnë Pushtetin (e sovranit). Madje shpesh herë ngatërrohet ‘ligji’ me ‘sovranin’: herë bëhet ‘ligji’ sovran dhe herë ‘sovrani’ ligj. Strumbullarët e sistemit nuk e kuptojnë se një ligj i shkruajtur dhe i bërë nga disa persona, nënkupton se ata përjashtojnë veten nga ligji në fjalë dhe nuk mund t’a aplikojnë me sukses te të tjerët nëse ligji nuk shoshitet nga të gjithë bashkë. Dhe ky është thelbi i vendim-marrjes: shoshitja e një problematike dhe rrugëzgjidhja më e mirë e mundshme. Kjo është, në fjalë të tjera, vlerë-racionalitet ensemblist ose vlerë e një bashkësie të caktuar njerëzish. Kjo praktikë nënkupton, midis të tjerash, se ajo vendos vlerat ose urtësitë e të gjithëve, mbi çdo lloj vlere tjetër. Me urtësi këtu nënkuptohet bashkëveprimi i njohurisë empirike (përvojës popullore) dhe njohurisë teorike (të atyre që e zotërojnë atë) — vlera, që të gjitha bashkë përbëjnë dhe fuqizojnë një vendim-marrje. Dhe janë këto vlera mbi të cilat mbështeten lëvizjet sociale.

Ndryshe nga kjo praktikë, që është sa e natyrshme aq edhe revolucionare — në kuptimin që ajo spikat vlerat e një shoqërie në kontekst dhe i universalizon ato njëherësh, d.m.th., i brendëson ato te të gjithë dhe i vendos në lëvizje, njëlloj si atomi që mbart elektronet, protonet dhe neutronet, perëndimi themeloi kaosin e veprimeve sociale —me tregun e marketingut dhe “demokracinë” parlamentare. Në fjalë të tjera, megjithëse në fillimet e Revolucionit Industrial, atje u vendosën disa kritere “objektive” mbi strukturën e qyteteve, atje u themelua vlera e kapitalit. Që nga ajo kohë, është vlera e kapitalit që përcakton lëvizjet sociale. Kjo është arsyeja që lëvizjet sociale karakterizohen nga një barbarizëm i pashoqë. Një shembull do t’a ndihmonte kritikën: meqënse shoqëritë moderne varen nga kapitali dhe ky i fundit përcakton lëvizjet sociale, ai krijon kushtet për akumulim, dhe akumulimi, fuqinë blerëse. Natyrshëm, ata që kontrollojnë Pushtetin (e sovranit) akumulojnë më shumë kapital dhe krijojnë një fuqi blerëse më të madhe. Kjo sjell me vete, meqënse kapitali përcakton lëvizjet sociale dhe çdo gjë varet nga ai, se sa nga ndonjë vendim-marrje ndërgjegjësore/sociale, krijimin e kushteve për luks, shkatërrim të Natyrës dhe të shkencave. Dhe këtë dimension e krijon fuqia blerëse ose fuqia e kapitalit, që buron nga përqëndrimi i Pushtetit. Rrjedhimisht, ata që përqëndrojnë Pushtet — përqëndrojnë edhe kapitalin, me pasojë, shkatërrimin e shoqërisë (vlerave) dhe ekosistemit (jetën e Planetit). Duhet thënë këtu se roli i shkencës është të parandalojë dhimbjet sociale dhe ekologjike. Në këtë kuadër, shkenca nuk mund të parandalojë — sepse lëvizjet sociale mbështeten mbi kapitalin dhe jo mbi vlerat e një bashkësie njerëzish. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, i binden “vlerës” së kapitalit. Në fjalë të tjera, fakti që lëvizjet sociale përcaktohen nga kapitali, dhe jo nga vlerat njerëzore, shkenca përjashtohet nga parandalimi i dhimbjeve…dhe vendoset në rolin kuratorit te plagëve — plagë, që rrjedhin gjak gjatë gjithë kohës.

Dhe janë këto plagë që në perëndim rrjedhin pa pushim: sepse — edhe nëse lakmohet perëndimi nga shoqëri periferike, për zhvillimin industrial, urbanistik dhe teknologjik, ai mbart në zemrën e tij, plagë sociale dhe ekologjike. Dhe plagët burojnë nga mungesa e Revolucionit Social. Në fakt, nëse njerëzimi dhe jeta e plantetit është për t’u shpëtuar, atje duhet të ndodhë një Revolucion Social si fillim — sepse Revolucioni Industrial duhet të themelohet mbi Revolucionin Social ose Revolucionin e vlerave njerëzore. Nëse vlerat njerëzore —siç u përcaktuan më lartë, përjashtohen, atëherë, çdolloj “revolucioni” industrial do të jetë i gabuar dhe shkatërrimtar — sepse ai përjashton vlerat sociale. Duhet theksuar këtu se vlera e kapitalit është rrënjosur në shoqëritë moderne me kalimin e kohës dhe me dhunë —dikur nga mbretërit dhe sot nga kukëllat e perandorive koniukturale. Por me një ndryshim: nëse në shoqëritë klasike ose pagane gjithashtu dhe në Mesjetë, vlera e arit kishte fituar disi rëndësinë e saj, shoqëria nuk ishte e ndarë nga vendim-marrja dhe ari nuk përcaktonte lëvizjet sociale. Kjo praktikë bënte të mundur kontrollin e veprimeve sociale përmes vlerave që zhvillonte një shoqëri (tradita, zakone etj.) sesa përmes kapitalit. Ndërsa sot shoqëritë nuk kontrollojnë asnjë element: as kapitalin, as vlerat dhe as fatin e tyre. Kjo është arsyeja që “vlera” e kapitalit në shoqëritë moderne vendoset mbi të gjitha: sepse fati i njeriut varet nga ai dhe jo nga ndonjë vlerë shoqërore (p.sh., mbulimi i nevojave i të gjithë qytetarëve që varet nga vendim-marrja demokratike). Dhe janë përmbysjet e principeve demokratike që shkaktojnë dhimbjet socio-ekologjike dhe jo, siç pretendojnë disa post-marksistë —duke ndjekur Marksin, mënyrat e prodhimit, që është thelbi i analizës dhe kritikës marksiste. Sepse ‘mënyrat e prodhimit’ janë pasojë e përmbysjes së principve dhe jo shkaku i krizave sociale. Njëlloj janë edhe marrëdhëniet pronësore ose tregu i marketingut, siç është përcaktuar nga Fotopoulos.[2]

Kjo është arsyeja kryesore që nënparadigma amerikane dhe perëndimore në përgjithësi është sa anti-demokratike aq edhe anti-ekologjike. Kjo do të thotë se vendet që shoqërojnë dhe ndjekin perëndimin në politikat e tij, jo vetëm që nuk kundrojnë për humbjen e vlerave njerëzore në dy shekujt e fundit por i përshtaten “vlerës” së kapitalit si kamaleoni xhunglës. Në nivel periferik, kjo duket qartë te politika zyrtare e Tiranës: ajo, me qëllim që t’i përshtatet perandorisë amerikane, angazhon femrat dhe vajzat shqiptare, për t’i “emancipuar”, në ditën e “Shën Valentinit”, duke përdorur politikën e “kulaçit dhe kërbaçit”: ‘kulaçi’ është një punë —nën dhunën sistemike, ndërsa ‘kërbaçi’ është kërcënimi me papunësi. Në këtë mënyrë, politika zyrtare synon njëherësh “përputhjen” me “virtytet” e perandorisë dhe “çlirimin” e femrës. Dhe kjo, sepse femra, gjithashtu dhe qytetarët e zakonshëm (burrat p.sh.), nuk gëzojnë dhe nuk ushtrojnë asnjë pushtet. Në fjalë të tjera, megjithëse Kushtetuta citon se ‘sovrani’ është populli, që nënkupton Pushtetin, e njëjta Kushtetutë imponon delegimin e Pushtetit (popullor) te një pakicë njerëzish dhe kështu, ajo krijon kushtet për tirani ose dhunë sistemike të përhershme. Sepse është ndryshe kur i delegon dikujt pushtetin përkohësisht, p.sh., për një detyrë të caktuar —një ose disa ditore, dhe ndryshe për një mandat katër apo pesë vjeçar. Kjo është një arsye tjetër që delegimi i pushtetit për një kohë të gjatë është sa kundër-produktiv aq edhe shkatërrimtar —për vlerat e një shoqërie.

Gjithashtu, është ndryshe kur dikush zgjedh dikë që t’a përfaqësojë me kompetencë dhe ndershmëri, dhe ndryshe kur “përfaqësuesi” ngjitet në pushtet duke mashtruar —përmes partive politike. Prandaj, habia e shumë njerëzve me Berishën, sidomos ata që banojnë përtej Atlantikut, në SHBA (klasa e mesme), kur krahasojnë zgjedhjet Amerikane me zgjedhjet në Shqipëri, duke i konsideruar të parat “demokratike” dhe të dytat “manipulative”, është sa e pa vend aq edhe injorante — sepse ata harrojnë që politikanët profesionistë në Amerikë zgjidhen nga ‘Oligarkia’ amerikane dhe agjencitë e marrëdhënieve me publikun —që kontrollohen nga e njëjta oligarki —dhe që janë themeluar pas Luftës së Parë Botërore[3] —një elitë që qëndron në hije; ndërsa Berisha me shokët e tij, me shkatërrimin e “socializmit”, është duke ndërtuar qoftë oligarkinë, qoftë Pushtetin politik (dinastinë), dhe kërkon, me çdo mënyrë, t’i kontrollojë të dyja, meqënse e gjithë klasa politike shqiptare (akademikë, opinionistë, lakej, etj.) gjëndet në fazën e ‘ndarjes së thelave’ dhe institucionalizmit të oligarkisë, brenda së cilës, gjëndet edhe Berisha. Kjo do të thotë se nëse në Amerikë dhe në Europën Perëndimore në përgjithësi, politikanët profesionistë heqin dorë pas një disfate ose “skandali” politik, me Berishën nuk mund të ndodhë e njëjta gjë — sepse ai ende ndan thelat e majme të kombit shqiptar me të njëjtën oligarki: oligarkinë perëndimore dhe lindore në përgjithësi. Kjo është arsyeja që Berisha, nën tolerancën e “demokracisë” perëndimore, zgjedhjet e ardhme, do t’i manipulojë sërish, dhe do të vetë-zgjidhet në Pushtet. Pyetja që lind këtu është se çfarë do të bëjë “opozita” nëse Berisha shpërnjeh “vullnetin” e verbër të shqiptarëve? Nëse gjykojmë nga strategjia që ka ndjekur Rama —që është në përputhje me udhëzimet e strumbullarëve të BE-së dhe Uashingtonit, d.m.th., ndryshimin e pushtetit vetëm përmes zgjedhjeve dhe mosndryshimin e aspiratës së elitës politike dhe ekonomike për t’u integruar në strukturat e globalizmit neoliberal, mund të themi se atij i mbeten vetëm dy rrugë: ose të japë dorëheqjen ose të hedhë popullin në revolta, një nismë që bie në kundërshti me strategjinë e elitës mbikombëtare. Dhe është rruga e fundit që mund të zgjedhë Rama. Dhe kjo, sepse ai ka investuar shumë energji dhe vite për t’u ngjitur në Pushtet. Kjo do të thotë PS-ja do të nxisë revolta popullore, por, me programin që ka paraqitur —që është sa i pjesshëm aq edhe i dështueshëm, mund të themi se populli shqiptar do të humbasë sërish.

Kështu, sa më e madhe shkalla e vjedhjes aq më e vështirë është braktisja e Pushtetit dhe e kundërta —sepse pa Pushtet çdolloj pasurie humbet. Sidoqoftë, atje janë pesë ‘premtime’ dhe mashtrime kryesore që bëjnë partitë në globalizmin neoliberal, në fazën paraelektorale, dhe ato janë:

i.        Ulje taksash për biznesin e vogël, ndërkohë që ndërsa gjoja luftojnë monopolet, ato ngjiten në arenën politike përmes monopoleve (korporata, banka, fondacione “filantropiste” që kontrollohen nga Pushteti ekonomik etj.). Kjo do të thotë se ky premtim është bosh dhe synon mashtrimin e shtresave të varfëra;

ii.        “Rritje” rrogash dhe pensionesh me bazë inflacionin, që, në të vërtetë, nuk është “rritje”. Sepse rritje do të ishte vetëm atëherë kur hiqet inflacioni. Në fjalë të tjera, konsesusi social i periudhës social-demokrate në Perëndim, u mbështet mbi marrëveshjen e qartë ose të paqartë midis kapitalit dhe unioneve tregëtare, dhe/ose partive politike që përfaqësonin interesin e tyre, duke synuar në ri-prodhimin e ekonomisë së përzierë, që ishte, sistemi ekonomik që shprehte konsesusin social-demokrat. Konsesusi përfshiu një angazhim shtetëror për sigurimin e niveleve të lartë punësimi dhe një ‘rrogë sociale’ (në terma të shërbimeve sociale), në shkëmbim të angazhimit të unioneve tregëtare për kontrollin e kërkesave të punëtorëve, me qëllim që rritja në rrogën reale (rritje në rroga minus përqindjen e inflacionit) mos të tejkalonte rritjen e prodhimit. Marrveshja u formalizua në formën e kontrolleve të rrogave dhe çmimeve, e cila, përgjatë periudhës së konsesusit social-demokratik, luajti një rol të rëdësishëm në kontrollin e inflacionit pa cënuar fitimet.[4] Me konsesusin neoliberal, ky angazhim u braktisë, për arsye se nuk mund të aplikohet në globalizmin neoliberal dhe, për arsye se pronarëve të korporatave gjithashtu dhe politikanëve profesionistë nuk u intereson më fuqizimi ose punësimi i plotë i klasës punëtore. Në vend të saj, ata kanë zgjedhur punësimin e pjesshëm (klasës së mesme 35%) dhe shtypjen e klasës së varfër;

iii.        Rritja e punësimit është një element tjetër propagandistik i elitës politike. Ndërsa ata propagandojnë punësim të pjesshëm, dhe kurrë të plotë, me globalizmin neoliberal, ku konkurrenca bëhet më e egër dhe fuqia e kapitalit dominon, ata s’kanë asnjë mundësi që të mbajnë premtimin —ose, mund të kenë përkohësisht, si në rastin e Obamës në Amerikë, që ndërsa ka krijuar një shtresë të varfër, luan me shtresën e mesme: herë i hedhë në rrugë dhe herë i punëson përkohësisht. Në Shqipëri, kjo taktikë është adoptuar nga të dyja partitë kryesore. Rama, për shembull, premton, se do të punësojnë 300 mijë të papunë, ndërkohë “harron” pjesën tjetër —që është, rreth 700 mijë! Kjo nënkupton se partitë, jo vetëm që gënjejnë dhe mashtrojnë, sepse asnjë herë nuk kanë treguar bindshëm se kudhe si do t’i punësojnë —në bazë të një vlerësimi objektiv të situatës dhe sektorëve të ekonomisë, por ato luajnë me fatet e popujve. Sepse duhet thënë, se në një regjim ku dominon prona private, asnjë parti s’ka mundësi që të punësojë një masë të madhe njerëzish. Dhe kjo, sepse punësimi varet nga investimet publike —që në një botë globalizuar, dhe ekologjikisht të shkatërruar, ato bëhen gjithnjë dhe më pak, përtej, natyrisht, faktit që qeveritë janë kredhuar në borxhe dhe s’kanë asnjë mundësi që të rrisin investimet në sektorë që dominohen nga interesa të kapitalit, kryesisht të huaj. Sepse ndryshe nga periudha social-demokrate, sot, investimet publike bëhen me paratë e bankave të huaja (të nivelit të dytë ose tregëtare, me spektër global), një fakt, që kontribuon në pasurimn e bankave dhe në varfërimin e qeverive dhe taksapagueseve;

iv.        Politika monetare —që përqëndrohet pashmangshmërisht te ngritja dhe ulja e interesit të huave nga Bankat Qëndore —interes, që rëndon qoftë huatë që marrin qeveritë në sektorin privat bankar përmes blerjes së bondeve, qoftë huatë që marrin qytetarët, sepse, ndryshe nga periudha statiste, atje është shtuar një proces dhe një rëndim: bankat e nivelit të dytë dhe investimet publike që mbartin interes të lartë. Dhe është ky proces që ndikon masivisht në koston e investimeve publike. Këtë praktikë e premton Shkëlqim Cani, ish-governator dhe pretendent për të njëjtin post, nëse PS vjen në Pushtet!

v.        Taksa progresive —që e propagandojnë të gjitha ato parti që gjënden masivisht në “opozitë”, kryesisht, “socialiste” —ose ato parti që kanë trashëguar partitë socialiste të ish-socializmit ekzistent, por, përqafojnë globalizmin neoliberal, d.m.th., Pushtetin e kapitalit. Në fjalë të tjera, këto parti flasin për taksë progresive kur Pushteti ekonomik dominon Pushtetin politik —ose, kur ato ngjiten në Pushtet përmes Pushtetit ekonomik, siç ngjiten, premtimi mbetet premtim dhe nuk mund realizohet përsa kohë që atje s’ka një marrëveshje të gjerë midis palëve respektive, dhe një paketë propozimesh që të synojnë çangazhim nga globalizmi neoliberal[5] —që është, shkaktari kryesor i masakrave prezente.

Përfundimi i të gjitha këtyre, është se Shqipëria dhe populli i saj, do të kalojë edhe katër vjet të tjerë, duke luftuar për të ndërtuar çifligarë dhe latifundistë, matrapazë dhe mashtrues dhe, shkatërrimin përfundimtar të ekosistemit. Dhe nëse ky është përfundimi i politikës së kombeve, sa serioz dhe i qëndrueshëm është propozimi i Schcultz dhe shkollarëve të tij, lidhur me ‘federatën e shteteve të bashkuar të Europës’? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, ne do të shohim në pjesën tjetër, me ndihmën e Takis Fotopoulos, tre propozimet kryesore dhe disa nga arsyet, se të tre, janë të detyruar që të dështojnë, ose të krijojnë kushtet për një Europë ekstremisht të rrezikshme për popujt dhe ekosistemin.

[1] Shih Ylli Përmeti, Drejt demokracisë virtuoze.

[2] Takis Fotopoulos, Towards an Inclusive Democracy.

[3] Shih për më shumë, “A Lot of People Believe This Stuff”: Bill Clinton, Barack Obama, and the Politics of Public Relations. Andrew Gavin Marshall, September 7, 2012.

[4] Takis Fotopoulos, Towards an Inclusive Democracy, ff, 26-27. Theksi në original.

[5] Shih për më shumë, Ylli Përmeti, Kaosi i globalizmit neoliberal, për një strategji politike dhe diplomatike, për t’u çangazhuar nga globalizmi neoliberal dhe për të zhvilluar sektorët rajonal të ekonomisë gjithashtu dhe për të themeluar paqen sociale.

*Opolitike.org

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.