A është kursimi zgjidhje për krizën?
Para më tepër se katër vjet, pasi filloi kriza financiare, ekonomitë më të avancuara kryesore botërore mbeten thellësisht në depresion, në një skenë që në masë të madhe i përkujton vitet '30. Shkaku është i thjeshtë: ne mbështetemi në të njëjtat ide që kanë qeverisur politikën gjatë asaj dekade. Këto ide, që për një kohë të gjatë ishin hedhur poshtë, përfshinin gabime të thella për shkaqet e krizës, natyrën e saj dhe për përgjigjet përkatëse. Këto ide kanë zënë rrënjë në ndërgjegjen publike. Ndaj sot flitet masivisht për "kursime të zgjeruara" në shumë vende.
Eshtë koha për një manifest në të cilin ekonomistët kryesorë t'i ofrojnë opinionit më tepër analizë të mbështetur në prova. Kur flitet për shkaqe, shumë politikbërës këmbëngulin se kriza ishte shkaktuar nga huamarrja e papërgjegjshëme. Me shumë pak përjashtime, siç është Greqia, kjo është e pavërtetë. Kushtet për krizë u krijuan nga huazimet e tepërta në sektorin privat dhe kreditë, përfshirë bankat e tejngarkuara.Fryrja e kësaj fluske çoi në rënie të mëdha në prodhim dhe rrjedhimisht në të ardhurat tatimore. Deficitet e sotme qeveritare janë pasojë e krizës, e jo shkaktar i saj.
Kur flasim për natyrën e krizës duhet të theksohet se kur flluskat e pronës pëlcitën në të dy anët e Atlantikut, shumë pjesë të sektorit privat i zvogëluan shpenzimet në përpjekje për të paguar borxhet e vjetra. Kjo ishte përgjigje racionale nga një pjesë e individëve, por është provuar se ishte vetëdisfatë kolektive, pasi shpenzimi i një personi është e ardhur e personit tjetër. Rezultati i kolapsit të shpenzimit ishte një depresion ekonomik, që e ka përkeqësuar borxhin publik.
Për përgjigjen përkatëse mund të thuhet se kur sektori privat është i angazhuar në përpjekje kolektive për të shpenzuar më pak, politika publike duhet të veproj si forcë stabilizuese, me përpjekje për mbajtjen e shpenzimeve. Fundja, ne nuk duhet t’i bëjmë gjërat më të këqija me shkurtime të mëdha në shpenzimet qeveritare ose me rritje të mëdha të normave tatimore ndaj njerëzve të zakonshëm. Ishte gabim i madh, që pas përgjigjes së mirë në fazën e parë akute të krizës, politika mori drejtim të gabuar, duke u fokusuar në deficitet e qeverive dhe duke argumentuar se sektori publik duhet të përpiqet t’i reduktojë borxhet e veta në tandem me sektorin privat.
Në vend që të luajë rol stabilizues, politika fiskale ka përfunduar me riforcimin e efekteve “damping” të shkurtimeve të shpenzimeve në sektorin privat. Në sferën me më pak shkatërrim shokues, politika monetare mund të ndihmoj. Por, me shkallën e kamatave afër zeros, politika monetare nuk mund ta kryejë krejt punën.Natyrisht, duhet të ekzistoj plani afatmesëm për reduktimin e deficitit qeveritar. Por, nëse kjo paraqitet si ngarkesë parësore, mund të shkaktoj lehtë tërheqje nga ripërtëritja.
Prioritet kryesor është reduktimi i papunësisë, para se ajo të bëhet endemike, duke e bërë ripërtëritjen dhe reduktimin e deficitit të ardhshëm bile edhe më të vështirë. Por, si u përgjigjen këtyre konstatimeve tona, ata që e mbështesin qasjen aktuale? Në mënyrë tipike ata përdorin dy argumente. I pari është argumenti i besimit, që nënkupton se deficitetet do t’i rrisin shkallët e interesit dhe kështu do të parandalohet ripërtëritja. Për dallim, kursimi do ta shtojë besimin dhe do ta inkurajojë ripërtëritjen. Por, nuk ka prova që e mbështesin këtë argument. Me gjithë deficitet shumë të larta, shkallët e interesit janë në mënyrë të paprecedent të ulëta në të gjitha vendet kryesore, ku normalisht funksionon banka qendrore.
Shkallët e interesit janë të larta vetëm në disa vende të eurozonës, pasi Bankës Qendrore Evropiane, nuk i lejohet të veprojë si huadhënës, si zgjidhje e fundit e qeverive. Çdo kund, banka qendrore çdoherë mundet, nëse është e nevojshme, ta japë fonde për deficit, ndërsa tregu i letrave me vlerë nuk preket.
Përvoja nuk përfshinë rast relevant ku shkurtimet buxhetore aktualisht kanë prodhuar aktivitet të shtuar ekonomik. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka studiuar 173 raste të shkurtimeve të buxhetit në vende individuale dhe ka gjetur se rezultat i qëndrueshëm është tkurrja ekonomike. Pra, ajo që ka ndodhur është se vendet me shkurtimet më të mëdha të buxhetit kanë pasur përvojë të rënieve më të mëdha prodhuese.
Për shkak të së vërtetës, siç e shohim tani, shkurtimet buxhetore nuk e inspirojnë besimin biznesor. Kompanitë do të rinisin të investojnë vetëm kur ato të parashohin se do të kenë klientë të mjaftueshëm me të ardhura të mjaftueshme për shpenzime. Kursimi i dekurajon investimet.
Argumenti i dytë është ai struktural. Ky argument kundër kërkesave të zgjeruara është se prodhimi, në fakt, është i detyruar të ndodhë në pjesën furnizuese, me mosbalancimin struktural. Nëse kjo teori është e vërtetë, së paku disa pjesë të ekonomive tona do të duhej të ishin në shtrirje të plotë. Por, në shumë vende ky nuk është rast. Prandaj, problemi duhet të jetë mungesa e përgjithshme e shpenzimit dhe kërkesës.
Titulli është i ResPublica-s. Titulli në FT: "Manifest për sensin ekonomik"
Add new comment