Zgjedhjet në universitete, ose sindroma shqiptare e zgjedhjeve të pamundura

Dje është mbyllur pjesa më e madhe e procesit për zgjedhjet në universitete. Shumica e krerëve për rektorë, dekanë dhe shefa departamenti kanë qenë të vetëm në garë. Ndërsa një pjesë e mirë e fituesve të shpallur dje pas numërimit të votave janë po ato emra që kanë drejtuar institucionet arsimore edhe gjatë katër viteve të kaluara. Vëzhgimi i gazetës “Shqip” gjatë këtyre dy muajve të fundit, që pas ndryshimit të ligjit të arsimit të lartë e deri te shpalljet e listave të fituesve, përqendrohet kryesisht te “helmi” që politika ka hedhur edhe në universitete, atje ku personalitete, njerëz të shkolluar jashtë e brenda vendit japin kontributin për të formuar dhe specializuar brezat.
Ligji i arsimit të lartë u ndryshua nga ‘politika’ me propozim të njërit prej deputetëve, projekti u diskutua në komision e u miratua në Parlament po përsëri nga ‘politika’.
Pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve në universitete, anëtarë të partive politike në mbledhje e në takime formale dhe informale u përcollën militantëve, dashamirësve, por deri edhe deputetëve e funksionarëve të politikës emra konkretë kandidatësh, të cilët duhet të mbështeten me çdo kusht.
Fushata
Fushata zgjedhore në universitete ka qenë e ngjashme për të mos thënë e njëjtë me ato të një kandidati për t’u bërë kryetar bashkie a komune. Postera dhe fletëpalosje, uebe dhe informacione të teknologjisë së lartë për të prezantuar kandidatët, faqe interaktive të kandidatëve shumë pranë moshës së pensionit, të cilat rigjeneroheshin në “Facebook” e “Twitter”, si dhe pamfleta që u dërguan derë më derë duke sugjeruar se për cilin kandidat të hidhej vota. Shuma të konsiderueshme parash për të krijuar postera e imazhe grafike për të konkurruar kandidatin përballë, e madje edhe janë regjistruar grisje dhe ribërje të posterave në rast kur konkurrentët i bën ato më të bukura e më tërheqëse.
Kulmi i helmosjes së zgjedhjeve në universitete u regjistrua ditët e fundit, kur pedagogëve u ka rënë telefoni nga persona të rëndësishëm e deri deputetë, ku u përcillnin sugjerimet e tyre për kandidaturën që duhet të mbështesnin. Më të mikluarit kanë qenë studentët, të cilëve u është premtuar bursa, specializime e kurse verore në shkollat perëndimore vetëm në këmbim të një vote. Nuk mund të lëmë pa përmendur këtu edhe rastet kur janë sjellë me urgjencë nga qytetet e lindjes, në ato raste kur studentët janë larguar në shtëpi për të studiuar të qetë lëndët e sezonit të provimeve, për shkak të detyrimeve ndaj pedagogëve. Në rastin më të mirë atyre u është paguar bileta e autobusit apo furgonit.
Koktejet e bollshme, takimet me fjalë të bukura, premtime e gjithfarëlloj buzëqeshjes kemi parë në këtë fushatë zgjedhore. Madje kemi lexuar edhe email-e që kandidatët kundërshtarë u kanë dërguar njëri-tjetrit, ku gjuha e përdorur u ngjasonte më tepër shoferëve të Maminasit sesa akademikëve, profesorëve, drejtuesve të universiteteve, fakulteteve apo departamenteve.
Mbyllja e fushatës
Për ta përfunduar këtë situatë, helmatisjen përfundimtare në këtë proces përsëri e ka dhënë politika. Studentë të cilët kanë qenë anëtarë edhe të forumeve politike duke mësuar strategji dhe makinacione nga proceset më të mëdha, arritën të krijonin vonesa, incidente, flukse votuesish e të zgjasnin procesin deri në orët e vona të natës. Numërim i zgjatur, lodhje, tension e luftë e ftohtë nervash. Gati njësoj si në njësinë bashkiake numër 5, në zgjedhjet e fundit vendore. Ndryshimi i vetëm mes tyre, është mungesa e një ambasadori, i cili do të përveshte mëngët për të ndihmuar disi procesin.
Lorina Mixha, Shqip
Comments
Arsyeja kryesore per kete ka
<p>Arsyeja kryesore per kete ka qene votimi qe u hap edhe per studentet. Kjo ne vetvete eshte absurde per mua, studentet nuk duhet te votojne kush eshte rektor a dekan i universitetit. </p><p>Kjo solli ama hapersiren per populizem, solli hyrjen e forumeve rinore etj etj. </p>
Add new comment