WikiLeaks: Vëzhgime të ish-ambasadorit Withers

Ka një pritmëri të natyrshme për të marrë vesh se çfarë mendon ambasada amerikane mbi politikën e politikanët e Tiranës, por nënvizime të tjera të nxjerra nga WikiLeaks-i janë edhe më interesante. Ish-ambasadori ammerikan John Withers dëshmon se ka qenë një vëzhgues i mirë i botës shqiptare. Sigurisht, një pjesë të mirë të këtyre vëzhgimeve ai i ka marrë nga shtypi shqiptar, por edhe kjo gjë është cilësi e vëzhguesit të mirë. Kur lexon disa prej kabllogrameve, të duket sikur lexon shënime udhëtarësh të huaj. Ja disa pasazhe:
1. Për një të huaj që vjen të punojë në Shqipëri gjendja aktuale e ndërtesave të institucioneve shtetërore të jep përshtypjen se nuk do të zgjidhësh kurrë gjë aty brenda. Por shumë pak e dinë se institucioni që punon më mirë në Shqipëri është i vetmi vend publik që mund të gjesh: Kafeneja.
Shqiptarët i diskutojnë problemet e tyre në kafene, përfshirë këtu politikanë që diskutojnë iniciativa publike, punonjës të qeverisë që diskutojnë politika të ndryshme dhe studentë që diskutojnë provimet ose modën. Në disa raste nevojitet që të kesh një marrëdhënie “ballë për ballë” me një person në mënyrë që të lidhësh një marrëdhënie profesionale.....
....Në këtë mënyrë kafenetë bëhen institucioni i fundit ku mund të ankohesh, të zgjidhësh problemet apo të argëtohesh në Shqipëri. Kështu, herën tjetër që do të shihni njerëz të ulur në një kafene, mos mendoni se është humbje kohe, por është një institucion social multifunksional për një vend në tranzicion”.
2. “Sallat e kumarit dhe pikat e basteve janë shfaqur si kërpudha në Tiranën e sotme dhe shtrihen që nga lagjet e shtrenjta deri në qendër të qytetit, si zona e Bllokut, deri tek lagjet me ndërtesa të stilit komunist. Shumë do të ishin dakord se këto nuk përfaqësojnë ndonjë gjë për t’u krenuar, edhe pse disa prej tyre janë të stileve shumë moderne dhe përdorin materiale shumë të kushtueshme dhe teknologji të lartë. Shpesh herë ato janë të ndërthurura me lokale dhe kafene sepse kanë nevojë të përforcojnë njëri-tjetrin në një shoqëri që preferon t’i marrë gjërat lehtë dhe të tregojë pasuritë që ka.
Mania e kumarit është një provë e sëmundjes që ka prekur pjesën më të madhe të shqiptarëve: ëndrrën për tu pasuruar brenda natës, mundësisht pa derdhur asnjë pikë djersë... Pavarësisht shpirtit të admirueshëm të sipërmarrësit që kanë treguar disa shqiptarë, ende pas më shumë se 15 vitesh disa ngjarje konfirmojnë ekzistencën e ëndrrës shumë të përhapur për t’u pasuruar brenda natës. Pjesëmarrja masive në skemat piramidale në fund të viteve 1990 ishte prova më tragjike. Përfshirja në aktivitete ilegale si trafikimi i njerëzve dhe armëve është një tjetër provë. Ka shumë shembuj të përditshëm nga shoqëria shqiptare, të cilat mund të përmblidhen vetëm në një fjalë: Korrupsion, i cili shkon dorë më dorë së bashku me paratë e lehta.
3. Gjatë komunizmit shqiptarëve iu hoqën të drejtat bazë dhe liritë, përfshirë këtu edhe pronësinë e makinave. Ato pak makina që lëviznin përpara viteve 1990 (me zor bëheshin 15 mijë) ishin të shtetit ndërsa shqiptarët e zakonshëm përdornin atë pak transport publik si dhe biçikletat. Karrocat me kalë ishin një tjetër mjet tepër i përhapur transporti në zonat rurale dhe ndonjë herë pjesë e skenave normale edhe në Tiranë, kryeqyteti i vendit. 17 vjet më pas situata në rrugë ka ndryshuar krejtësisht nga qetësia e vdekjes tek zhurma e tmerrshme dhe boritë e më shumë se 300 mijë makinave, të reja dhe të vjetra, që lëvizin çdo ditë në trafikun kaotik. Makinat janë më të pastra dhe moderne, por dominimi i tregut informal vazhdon të ofrojë fushë të lirë shitësve të paskrupullt të makinave.
Të liruar nga pamundësia për të pasur një pronë private, artikulli i parë në listën e dëshirave të shumë familjeve ishte makina. Të kishe një makinë ishte një shenjë lirie, pasurie dhe prosperiteti. Kërkesa e madhe dhe pamundësia financiare bënë që fillimisht të hyjnë makina të vjetra, modele që ndotin shumë ambientin dhe makina nga tregjet informale të dorës së dytë që veprojnë jashtë kontrollit qeveritar në Europë. Teksa numri i makinave në rrugë lulëzonte me shpejtësi të madhe, rrjeti i vjetër rrugor me rrugët e ngushta dhe të pashtruara mirë, nuk e mbante dot ritmin.... Edhe pse prezenca e shitësve zyrtarë të makinave po rritet ndjeshëm dhe përfshin rreth 12 marka makinash nga Mercedesi tek Hyundai, biznesi i tyre është i papërfillshëm në krahasim me tregun informal. Në vitin 2007 vetëm 2900 nga 23900 makina ishin shitur në dyqan… këto makina importohen në mënyrë të ligjshme dhe shiten në Shqipëri si pjesa e fundit e një zinxhiri të gjatë të krimit të organizuar që nis në Europën Perëndimore. Një legjendë thotë se pronarët e makinave janë pjesë e skemës dhe përfitojnë sigurimet. Deri më tani zyrtarët publikë që mbajnë makina të vjedhura është një gjë e zakonshme.
4. “Udhëtarët me tru kuptojnë se duhet të dinë disa gjëra të rëndësishme për kulturën përpara se të shkojnë në një vend të huaj. Në mungesë të informacioneve të përgjithshme për Shqipërinë dhe numrin e vogël të guidave turistike, turistët e paktë amerikanë dhe europiano-perëndimorë nuk kanë shumë për të mësuar këtu. Ata mund të habiten kur një shitës tund kokën për të thënë “JO” në përgjigje të pyetjes për një shishe me ujë ose Coca Cola të cilën ti e ke përpara syve. Shumica e shqiptarëve e tundin kokën nga e majta në të djathtë për të thënë “PO” dhe nga lart poshtë për të thënë “JO”. Kjo të ngatërron paksa.
Një tjetër kuriozitet është ai që ka të bëjë me lekun e ri dhe lekun e vjetër. Shqipëria vlerësoi lekun e saj në vitin 1969 me 100%. Gjithsesi edhe sot shitësit dhe kamerierët mund të të sjellin faturë 100 dollarë për një drekë dhe 10 dollarë për dy bukë. Ata që dinë e kuptojnë menjëherë se nuk po ia bëjnë me hile,- thjesht po ju faturojnë me lekë të vjetra”.
E.G.
Comments
Vetem per vezhgues
<p> Vetem per vezhgues nuk kemi vuajtur te pakten keto njezet vjete!Vezhgues e spiun kemi plot,shyqyr zotit,por "ndeshkime" dhe "ndryshime" s'po na bie kush!Pra,e kemi ne dore vet,ata bejne "duan" e tyre ne duhet te bejme "duan" tone...</p>
Add new comment