Tentojnë të grabisin një bankë, dhe shkaktojnë viktima; gjithçka ndodh në mes të Tiranës

Ministri i Rendit, Bujar Nishani, ish thirrur në Komisionin parlamentar të Sigurisë për të raportuar, e për t’iu përgjigjur pyetjeve, lidhur me situatën e rendit publik. Dhe në thelb aty tha, se “kemi kontroll të plotë mbi territorin, policia është rezultative, statistikat flasin për një sukses në luftën kundër krimit, etj, etj”. Dy orë më pas, fiks më 14.50, si për t’i bërë një përgënjeshtrim fatal e tragjik pohimeve të ministrit të brendshëm, dy persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë bujshëm e dhunshëm në një filial të bankës NBG, tek Xhamlliku. Kanë qëlluar me armë fillimisht e pa paralajmërim mbi rojen e sigurisë. Më pas kanë kërcënuar arkëtaren Eleonora Kaloçi, teksa i kërkonin që t’u jepte paratë. Lëvizjet e arkëtares u janë dukur si një sinjal që e lidh bankën me shërbimin policor, raporton Top-channel, dhe duke qenë se janë trembur e kane qëlluar dy herë në trup, pa bërë asnjë tentativë për të grabitur të hollat. Në këto kushte të dy janë larguar nga banka me vrap, pa marrë pará, por duke lënë viktima. Arkëtarja 42 vjeçare ka humbur jetën në spital. Roja i sigurisë, Skënder Elmazi, ndodhet në gjendje të rëndë.
Përsërisim: ngjarja ka ndodhur ditën me diell, në një vend të superpopulluar, dy orë pasi ministri çaprashiste në Kuvend për suksese. Herën tjetër, kur t’i duhet të raportojë në komisionin parlamentar, këtë ngjarje do ta përmendë thjesht si statistikë që nuk e komprometon suksesin e policisë.
Re.Pu.
Add new comment