Tavo e Koka, një LMN brenda LSI-së?!
Vangjel Tavo, nënkryetar i Kuvendit dhe Lefter Koka, deputet, kanë kritikuar së fundmi punën e bashkëpartiakut të tyre ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasilit. Të dy kanë folur në media për reformë në shëndetësi dhe, madje Tavo i ardhur nga radhët e socialistëve pas një konflikti në degën e PS-së Gjirokastër, ka përmendur edhe tendera ilaçesh që u jepen të afërmëve të ministrit Vasili. Luan Rama ndërkohë, zëdhënës dhe sekretar i Përgjithshëm i LSI-së, në një deklaratë për mediat është shprehur se kritikat janë në rregull sa kohë ato janë konstruktive. Te këto qëndrime publike, herë të kujdeshmë e herë jo, është vetëm dukja e gjërave; në prapaskenë, me siguri, luhen role e tërhiqen fije të tjera. Kritikët kanë përmendur shtatorin kur me gjasë priten edhe ndryshime në qeveri. Ato të gushtit, sa për sy e faqe, ku Eduard Halimi mori Drejtësinë e Aldo Bumci Kulturën, janë cilësuar nga shtypi si të vakëta. Ndryshimet thelbësore janë kushtëzuar edhe nga një çështje e hapur me gjyqësorin e kryetarit të LSI-së, Ilir Meta. Përveç kësaj nuk duhet harruar se Lëvizja Socialiste për Integrim është një parti që vepron më shumë si sekt se si formacion i njëmendtë politik. Ata që nuk janë dakord me politikën zyrtare të LSI-së nuk kanë rrugë tjetër veçse të largohen, siç kanë dëshmuar Klosi, Xhufi, Legisi e të tjerë. Edhe largime më të bujshme si ai i Priftit kanë ardhur jo si pasojë e qasjeve të kundërta ideore a parimore, por si pazare të prishura dhe kundravajtje flagrante. Mbetet për t’u parë nëse kritikat ndaj Vasilit janë inskenime të Metës apo Tavo e Koka mendojnë se kanë aq peshë sa të krijojnë një LMN brenda grushtit të hekurt të LSI-së.
L.A.
Comments
Cudi se si u bashkuan edhe
Cudi se si u bashkuan edhe nje here te dy,"duka" i jugut me "duken" e Shqiperise se mesme...
Add new comment