Tarifa versus Fuga

Kohët e fundit Artan Fuga ka publikuar më shumë se një shkrim në gazetën Mapo lidhur me reformimin e arsimit të lartë. Dhe ka provokuar një lloj diskutimi në mjediset universitare, apo mbi çështje universitare. Në fillim ish Pëllumb Karameta, që u ngacmua nga do teza të tijat mbi disiplinat, lëndët, kurrikulat, me të cilat ai nuk ish dakord. Sot ishte Fatos Tarifa, i cili në një shkrim me titull “Kërkimi shkencor si shkencë e kërkimit”, polemizonte në stil akademik me kolegun e tij Fuga, duke tentuar të mbajë gjallë dhe një debat mbi çështje të tilla. Në artikullin e tij, Tarifa nënvizon se shumë “grada dhe tituj shkencorë u jepen disave jo për aftësitë, jo për punën shkencore apo për meritat e tyre, por për dosjet e tyre, në të cilat ata kanë punët e të tjerëve, ose për shkak të njohjeve dhe të lidhjeve që ata kanë”. Nuk është se Fuga ka thënë të kundërtën e kësaj, por Tarifës “i lexohet një lloj pakënaqësie”, pse Fuga s’e ka nënvizuar si fakt.
Më poshtë Tarifa shpreh mospajtimin e tij me një tezë të Fugës, sipas së cilës “redaktimi shkencor i [përkthimit të] një vepre bazike, e cila ka hyrë në universin e dijeve fondamentale të njerëzimit është patjetër një punë e vështirë shkencore”. Sipas Tarifës, as redaktimi i një përkthimi të një vepre bazike, as përkthimi vetë, “nuk mund të konsiderohen punë të mirëfillta shkencore”.
Në fund, Tarifa denoncon atë që ai e quan “pseudoshkencorësia” dhe ata, që ai i quan “pseudofilo-socio-op(t)inionistë”. Në këtë mes, afërmendsh, nuk e ka me Fugën, me të cilin polemizon për një interes të qartë akademik e për të cilin nuk i kursen konsideratat; përkundrazi, e ka me pedagogët që vënë emrat në leksione plagjiatura, apo me pedagogë të tjerë, që me protagonizmin e tyre të tepruar mediatik nuk bëjnë gjë tjetër sipas tij, veçse “i përshtaten logjikës konsumeriste të medias, madje ndonjëherë edhe në dëm të seriozitetit dhe të dinjitetit që imponon statusi i një punonjësi akademik”. Për më tepër mund të lexoni në: http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Fatos%20Tarifa&id=1329
E.G.
Comments
sa te merzitshem dhe te
<p>sa te merzitshem dhe te mbushur me mllef keta "intelektualet" tane.. aman o zot cfare na ben kaq te ligj me njeri tjetrin???</p>
Add new comment