Të rejat që mësuam nga Wikileaks: 1-“Spiunët”

Publikimi i kabllogrameve ose më saktë përkthimi i tyre dhe botimi në të përditshmet shqiptare është në ditën e tretë. Nga ai pus i errët shqiptarët kanë nxjerrë të etur kova plot me informacione që…i kanë ditur. Disa gjëra nuk i kanë ditur megjithatë: Kush janë informatorët ose, ashtu siç të përditshmet i kanë cilësua, duke i futur në thonjëza natyrisht, “spiunët”. Më të zellshmit sipas kabllogrameve të ambasadës amerikane për eprorët në Departamentin e Shtetit kanë qenë Pandeli Majko, ish-kryeministër i vendit, Kastritot Islami, ish-ministër e ish-kryeparlamentar, Gjergj Bojaxhi, ish-drejtori i KESH-it dhe Ilir Rusmajli, ish-ministër Drejtësie.
Mbi bisedat e tyre me oficerët e kontaktit në ambasadë janë shkruar edhe kabllogramet që deshifrohen përditë nga gazetat dhe po mbi informatat e tyre janë ndërtuar edhe profile. Jo vetëm për politikanë të ndryshëm, kryesisht shefat e tyre në partitë përkatëse, por edhe një profil i përgjithshëm për klasën politike shqiptare. Mbetet për t’u parë në ditët në vijim si do të jetë reagimi i shefave të tyre dhe i formacioneve të tyre politike. A do të ndëshkohen apo promovohen në varësi të asaj që kanë thënë “me dyer të mbyllura” në takimet me eksponentë të ambasadës amerikane?
L.A.
Add new comment