Shifrat e qeverisë përgënjeshtrojnë optimizmin e saj
Në një dyfaqësh (faqet 2 dhe 3), gazeta Panorama fliste mbi efektet e krizës në Shqipëri, të cilat (efektet) mund të lexohen qartazi tanimë në sjelljen dhe masat e qeverisë. “Qeveria korrigjon buxhetet” ishte titulli i një shkrimi të kësaj të përditshmeje, në të cilin raportohej mbi shkurtime investimesh dhe mbi të ardhura më të pakta nga taksat e tatimet. “Në kuadrin e rishikuar për vitin 2012 do kemi një ulje të buxhetit me 11 miliardë lekë, ndërsa për vitin 2013 kjo shifër do të bëhet 21 miliardë. Për vitin 2014 ulja do të thellohet deri në 32 miliardë”, thuhet në këtë raport, duke iu referuar të dhënave të dala nga qeveria. E gjitha ka lidhje me parashikimet për ulje të ardhurash. Po të shtojmë në këtë mes dhe një politikë të detyrueshme për të mbajtur në nivele të ulta rritjen e deficitit buxhetor për shkak të nivelit të lartë të borxhit publik, situata bëhet më dramatike. Rezultati? Do të ketë më pak shpenzime, nuk do të ketë rritje rrogash, apo pensionesh, do të ketë ulje të ndjeshme të investimeve, etj.
Me këtë gjendje të rënduar financiare, do duhej të thuhej “mjerë ata, të cilëve do t’iu duhet të kenë në dorë frenat e drejtimit të vendit”. Mirëpo këtu të gjithë duan t’i kenë këto frena në dorë, megjithatë.
E.G.
Add new comment