Rusia në dorë të Putinit deri në vitin 2024

Politika ruse është shumë e lexueshme. Qysh në vitin 2008, kur Putini ia la Kremlinin beniaminit Medvedev për t’u zhvendosur vetë nja dy kilometra më tutjje në zyrën e kryeministrit, të gjithë e dinin se ai do të kthehej sërish në vitin 2012. Hamendjet e këtyre viteve u formalizuan dhe u sendërtuan sot, në kongresin e partisë në pushtet Rusia e Bashkuar. Ishte vetë Medvedevi që i propozoi kongresit emrin e Vladimir Putinit si kandidat i partisë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm. Kongresi bëri atë që pritej, e miratoi me brohorima. Dhe dihet se pjesëmarrja e Putinit në garë do të thotë fitore e Putinit, e në këtë kuptim të gjithë duhet t’i bëjnw hesapet me faktin, që pas vitit 2012 Putini do të kthehet prapë në komandë të gjërave në Rusi.
Ai ka qenë de facto në komandë të gjërave. Medvdedevi nuk ka dhënë prova indipendence në ushtrimin e detyrës së Presidentit. Ai ka qenë, sigurisht, interlokutori i udhëheqësve të perëndimit, por profili i tij ka qenë prore i ulët. Është folur herë pas here për fërkime mes të dyve, por me sa duket kanë qenë zëra mediatikë që kontrastin Putin-Medvedev më shumë e kanë lutur se sa e kanë raportuar. Nuk ka arsye që të fërkohen dy njerëz, të cilët kanë rënë dakord t’i ndajnë rolet. Dhe sipas këtij ‘scripti’, Medvedevi do të kthehet në zyrën e kryeministrit. Është një rrokadë e parathënë. Kremlini do të kalojë në duart e atij që, edhe pse kryeministër, ka dominuar jetën politike e ka thëthirë vëmendjen mediatike në Rusi.
Ka një zhvillim tjetër përpara zgjedhjeve presidenciale. Më 4 dhjetor të këtij viti do të mbahen zgjedhjet parlamentare, të cilat Putini mendon t’i fitojë me shifra të qarta. Parlamenti që do të dalë nga këto zgjedhje do të ndryshojë kushtetutën, dhe do të zgjasë mandatin presidencial nga 4 në 6 vjet. E kështu Vladimir Putin do të jetë në Kremlin deri në viitn 2024. Ky dominim i skenës ruse prej një personaliteti të vetëm është parë në perëndim si një tërheqje e demokracisë, por nuk ka dyshim se kjo është ajo që rusët duan.
E.G.
Add new comment