Rriten kreditë e këqija në lekë

Postuar në 19 Gusht, 2011 04:05

Nga informacioni që Banka e Shqipërisë ka marrë prej bankave të nivelit të dytë rezulton, se ka probleme me kreditë në lekë. Edhe kreditë “e këqija” në valutë janë shtuar, s’ka gjë se më pak se sa ato në monedhën vendase. “Portofoli i kredive në lekë ka pasur një rritje më të madhe të kredive me probleme përgjatë vitit, nga 10.1 për qind në 14.4 për qind, ndërsa treguesi i kredive me probleme të portofolit të kredive në valutë ka arritur nivelin 13.8 për qind kundrejt 10.6 për qind”, thotë në raportin e vet mbikqyrës Banka e Shqipërisë, cituar nga numri i sotëm i gazetës Shekulli. Në artikullin e kësaj gazete, shkruar nga Emirjon Senja, bëhet dhe shpjegimi i këtij fenomeni: “Bizneset, por edhe individët kanë qenë më shumë të tërhequr nga kredia në euro deri disa muaj më parë, ndikuar edhe nga normat e interesit, por edhe prirja e bankave për të kredituar në këtë monedhë. Gjatë gjysmës së dytë të 2010 e në vazhdim, portofoli i kredisë në lekë njohu zgjerim më të madh krahasuar me euron. Duke qenë se bizneset konsiderohen edhe si kredimarrës më të mëdhenj në euro, ndërsa individët janë më shumë të orientuar nga leku, duket se “sëmundja” e kredive me probleme ka filluar të zgjerohet më tepër edhe tek kredimarrësit individë. Ekspertët kanë radhitur një serë zhvillimesh në ekonomitë e vendeve të BE-së, të cilët ndikojnë drejtpërdrejtë në vendin tonë siç është ulja e remitancave, shtrenjtimi i karburanteve apo rritja e çmimeve të ushqimeve. Një ndër to ishte edhe kursi i këmbimit. Shtrenjtimi i euros kundrejt lekut, krahas rritjes së çmimeve të mallrave të importit po shihet me shqetësim edhe për shkak të rritjes së kostos së kredisë së atyre që të ardhurat i kanë në lekë, por huatë në euro.”

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.