Referencat për makinat e përdorura: Si Ministria e Financave rrit artificialisht TVSH-në

Në bazë të ligjeve aktualisht në fuqi, Taksa e Vlerës së Shtuar, e cila njihet gjerësisht me akronimin TVSH, është në nivelin 20% për shumicën dërmuese të mallrave që qarkullojnë në Shqipëri. Ajo është një taksë që aplikohet në vlerën 20% mbi çmimin e blerjes së një malli. Por meqënëse pothuaj gjysma e volumit të mallrave që qarkullojnë në Shqipëri e kanë origjinën jashtë vendit, lind pyetja sesi e përcakton Ministria e Financave çmimin e tyre. Normalisht, çmimi përcaktohet në faturën shoqëruese të mallit. Por Ministria e Financave e quan të mirëqenë se pothuaj të gjitha faturat mund të jenë të falsifikuara, pavarësisht se ato mund të vijnë nga vende me regjim të fortë fiskal. Prandaj, ajo përcakton çmime reference për çdo mall të importuar dhe mbi këto çmime aplikohet 20 përqindëshi i TVSH-së.
Konkretisht, sot hyn në fuqi një vendim i Ministrisë së Financave që i rrit me 14% çmimet e referencës për makinat e përdorura të importit. Kështu, deri dje, çmimi i referencës përcaktohej në nivelin 70% të çmimit të raportuar në revistën italiane “QUATTRORUOTE”, e cila ka një databazë shumë të gjerë të shitjes së makinave të përdorura, të ndara sipas markës, cilindratës, vitit të prodhimit dhe llojit të karburantit. Ndërsa tani e tutje çmimi i referencës nuk mund të jetë më poshtë se 80% e çmimit të raportuar në këtë revistë. Pra, dje dikush mund të blinte një makinë që ishte kuotuar 10000 euro në revistën italiane dhe çmimi i referencës për të do të ishte 7000 euro, duke paguar 1400 euro TVSH (20%*7000), ndërsa sot do t’i duhet të paguajë 1600 euro (20%*8000). Por në fakt, ai makinën mund ta ketë blerë realisht 6500 euro në një okazion dhe mund të ketë edhe faturë të rregullt për këtë. Pra, i bie që ky person TVSH-në ta paguajë realisht në nivelin 25% e jo 20% (1600/6500=25%).
E.zaloshnja
Add new comment