Reagimet në të nxehtë për raportin e ODIHR-it
Kanë kaluar disa orë nga momenti, që ODIHR-i (Office for Democratic Institutions and Human Rights) ka publikuar raportin e vet përfundimtar mbi zgjedhjet administrative të 8 majit në Shqipëri. Mezi pritej ky raport, dhe kjo është arsyeja që të përditshmet vallzonin sot me ritmin e ODIHR-it. Reagimet zunë fill qysh dje pasdite, në fakt (reaguan dhe tre ambasadorët “e fortë” të Tiranës, Wolfarth, Sequi dhe Arvizú). Të bëjnë përshtypje disa gjëra në këto reagime.
- I pari që u bë i gjallë pas publikimit të raportit ishte Sali Berisha. Dihej që ai do të dilte i pari. Madje, mund të vihej bast për këtë, pavarësisht nga lloji i raportit. Por ai doli më shpejt se sa pritej, aq sa na bëri të mendojmë se ai e ka lexuar raportin fare përciptazi (raporti ish relativisht i gjatë, mbi 30 faqe). Apo Berishës mund t’i ketë shkuar paraprakisht në dorë një kopje e raportit? Nëse është kjo e fundit, do të duhej të dyshonim tek serioziteti i ODIHR-it, raportet e të cilit nuk i jepen askujt përpara se t’u jepen të gjithëve. Por gjasat janë që të jetë e para: Berisha i ka bërë një lexim shkel e shko raportit.
- Në edicionet online të agjencive e të gazetave, menjëherë pas publikimit të raportit, lajmi doli me titullin “zgjedhjet ishin kompetitive, por pati polarizim të palëve”. Nuk dihet se si ndodhi, që ky titull u shfaq gjithandej, por nuk duhen shumë mend për të kuptuar se ka qenë një titull i pilotuar. Për titull zgjidhet zakonisht mesazhi qendror i një kronike a raporti, ndërsa në rastin konkret ish zgjedhur një mesazh aspak domethënës, krejt periferik. Me këtë titull jepej ideja se opinioni i ODIHR-it mbi zgjedhjet ish “ok, pavarësisht se palët ishin të polarizuara”. E vërteta është krejt ndryshe.
- Ajo që të bie më së shumti në sy është një “detal shumë i vogël”: Këto janë zgjedhjet e para pas shumë kohësh, të cilat nuk marrin kualifikimin “më të mira se sa paraardhëset”.Nuk thuhet në asnjë vend një gjë e tillë. E nëse doni të dini më shumë rreth raportit të ODIHR-it, do t’ju sugjeronim të lexonit numrin e sotëm të Shekullit. Aty është një informacion i plotë dhe i qartë, dhe për më tepër, fokusi vihet tek problemet e evidentuara të zgjedhjeve, e jo tek ojnat e raportit. Raportimi bëhej nga Arbër Zaimi (click-oni në link-un: http://www.shekulli.com.al/shekulli/2011/08/16/raporti-i-osbe-odihr-kqz-theu-ligjet-kolegji-joserioz-kodi-i-paplote/).
E.G.
Comments
Nje skenar i mediave qe "
Nje skenar i mediave qe " meriton" cmim Nobel per aktualitetin...
Add new comment