Parlamenti duhet vënë në binarë
U mendua se socialistët kanë marrë vendimin për të hyrë në parlament pa pasur ndonjë ide konkrete se si do ta zhvillojnë betejën parlamentare, dhe se si do të sillen atje përballë një maxhorance arrogante. Mirëpo, nuk është tamam kështu. Një ide e tyre është marrë vesh sot, dhe synon “funksionimin e duhur të parlamentit”, gjë që është nënvizuar dhe në deklaratën e përbashkët Ashton-Fule. Janë katër kërkesat e socialistëve, por dy ngjajnë të jenë veçantërisht të rëndësishme: së pari, votimi i fshehtë për çdo emërim në krye të institucioneve, që bëhet me votën e deputetëve, por edhe për situata të tjera, që zgjidhen nëpërmjet votës, dhe së dyti, ndalimi i ligjërimit pa fund të kryeministrit nga vendi e nga foltorja e Kuvendit, me leje e pa leje, gjë që mund të arrihet deri në një farë mase duke kërkuar të drejtën për kundër-replikë të kryetarit të grupit parlamentar të opozitës për çdo replikë të tij (mënyra më e mirë do të ishte një nen i rregullores, ku të përcaktohet saktë, se kur flet e sa duhet të flasë kryeministri). Ky problemi i dytë nuk ka egzistuar në legjislaturat e tjera, pasi kryeministrat e mëparshëm nuk kanë vuajtur nga patologjia e ligjërimit non stop.
Maxhoranca ka për t’u bërë rezistencë ndryshimeve të kërkuara, pasi bëhet fjalë për dy praktika, nëpërmjet të cilave Berisha siguron dominimin në parlament: me votën e hapur kontrollon sjelljen parlamentare të secilit deputet të maxhorancës, dhe i mban të terrorizuar këta të fundit, dhe me të drejtën për ta marrë fjalën në çdo rast kondicionon e dikton dialektikën parlamentare. Opozita s’duhet të lëshojë pe në këtë mes. S’duhet të japë konsensusin që i kërkohet në situata të tjera nëse nuk ‘shpërblehet’ me gatishmërinë e maxhorancës për t’u tërhequr përballë këtyre kërkesave natyrale.
Re.Pu.
Add new comment