A përbëjnë lajm listat?

Postuar në 23 Shtator, 2011 11:26

Tre ndër pesë gazetat kryesore në vend Panorama, MAPO dhe Gazeta Shqiptare (dy të tjerat janë Shekulli dhe Shqip) e kishin hapur sot faqen e parë me një shërbim dhe jo një lajm. Gazeta MAPO ishte më ‘e drojtur’ kur vjen puna te shkelja e rregullave të gazetarisë: listat me studentët fitues në universitetin publik i kishte lajm të tretë: dy të parët i ishin rezervuar lojës së negociatave për Presidentin e ri dhe një interviste të Artur Zhejit për antiamerikanizmin në vend. Ndërsa dy të përditëshmet e tjera, Panorama dhe Gazeta Shqiptare listat e fituesve i kishin si kryelajm; me gërma të mëdha me tituj, nëntituj e të gjitha. Pas kësaj, sigurisht që ka një logjikë tregu: gazetën do e blejnë ata mijëra studentë të cilët kanë konkuruar; po ndoshta edhe kureshtarët e familjes. Kështu, potencialisht, disa mijëra kopje shkojnë te lexuesi si shërbim. Nuk dihet se cili kryeradaktor, a drejtor gazete e ka futur i pari idenë e botimit të listave në shtypin shqiptar, por ky është shërbimi më i keq që i është bërë këtij segmenti të medias. Është në radhë të parë një lojë e keqe me misionin e shtypit të shkruar i cili, me anë të titullit të madh, thyen një lajm ose përthyen një realitet, por nuk ofron  një shërbim (si të tillë). Është gjithashtu një moskokëcarje ndaj lexuesit të rregullt dhe një ‘shitje’ te një lexues i panevojshëm që të merr një herë në vit për të lexuar emrin e tij në një listë: qoftë ky student, pensionist, i përndjekur. Është, në fund të fundit, edhe një shpjegim i gjendjes së vështirë të shtypit të shkruar: por kjo gjendje, jo domosdoshmërisht ka ardhur nga largimi i lexuesit se sa nga përzënia e tij. Media, bashkë me kompromisin e listave, ka bërë edhe dhjetra të tjerë: pas cdo kompromisi joetik fshihen lexues që ikin në grup. Kompromis pas kompromisi e ikje pa ikjeje kanë prodhuar alarmin aktual të shtypit të shkruar.

L.A.

Comments

Submitted by Shkurt (not verified) on

<p>Njoftoni ministrin per e-government qe te vere ndonje liste te skanuar online :)</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.