Obama nuk po frymëzon më
Tregojnë se Napoleon Bonaparti, ndërsa ish duke kryer një inspektim të rojeve në detyrë, gjeti një ushtar veteran që e kish zënë gjumi. Mori pushkën, që roja kish lënë tek këmbët, e vuri në sup, dhe zuri të vigjilonte në vend të tij. Me t’u zgjuar, ushtari pa perandorin që po bënte detyrën e rojes, dhe u zverdh. Napoleoni i ktheu pushkën, dhe i tha: “Kisha dy zgjedhje, kur të pashë në gjumë. Ose të të vrisja, ose të merrja pushkën e të bëja detyrën tënde. Bëra zgjedhjen e dytë.” Kjo histori, e cila lidhet me fuqinë që një leader ka për të bërë për vete mbështetësit, bashkëpunëtorët, e bashkëpatriotët në momente të vështira, tregohet këto ditë si një mënyrë për të folur mbi një leader të një soji tjetër, që (po supozohet se) s’di të frymëzojë. Quhet Barack Obama. E çuditshme. Deri jo shumë kohë më parë, këtij politikani i njihej në mënyrë të veçantë karizma, forca narrative, magjia për të kandisur miliona vetë mbi një kauzë të madhe, ndërsa tani konsiderohet si njeri që nuk frymëzon dot.
Nuk po arrin dot që t’i ngjajë as ish-presidentit Bill Clinton, i cili prekej e zinte të derdhte lotë, sa herë që takohej me njerëz të margjinalizuar e në nevojë. Ishin lotë krokodili? Ç’rëndësi ka? Ishin lotë që bënin përshtypje e që përcillnin idenë se kombi e ka një leader që jeton me hallet e të gjithëve. Pikërisht këtë s’po bën Obama. E thotë mes të tjerash Drew Westen, një profesor psikologjie, autor i librit «The Political Brain», ku mbron idenë se “një leader i suksesshëm, para së gjithash, duhet të dijë të frymëzojë, të prekë telat e zemrave të njerëzve, sidomos në periudha të vështira lufrash e krizash, kur lipsen sakrifica”. “Ku ka humbur pasioni i Obama-s?”, pyet ai qysh në titull të shkrimit të vet të publikuar në numrin e djeshëm të gazetës New York Times.
Përgatiti: E.G.
Comments
Ku ka humbur pasioni i Rames?
Ku ka humbur pasioni i Rames? E mbani mend ate Ramen qe merrte sopaten dhe priste shtyllat qe pengonin ndertimin e rrugeve te reja? Kush na e mori ate Rame?
Add new comment