Luftë “civile” mes institucioneve
Presidenti ka bërë dje një gjest që e ka bërë në raste shumë të rralla gjatë mandatit presidencial: nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e KLD-së; drejtimin ia ka lënë zëvendësit të tij, Kreshnik Spahiu. Burime nga presidenca, që nuk pranojnë të shprehen on the record, thonë se “ai nuk ka dashur të bjerë në një grackë të përgatitur”. Të njëjtat burime nuk specifikojnë se për ç’grackë bëhej fjalë konkretisht.
Mbledhja e KLD-së u zhvillua me tone të ashpra, sidoqoftë. Anëtarja e KLD-së, dhe njëkohësisht juristja pranë kryetares së Kuvendit, Lefterie Lleshi, nuk kurseu akuzat në adresë të Presidentit të Republikës, i cili “po bën që ky Këshill të mos funksionojë”. Ndërsa Brikena Kasmi, zv.ministre e drejtësisë, kërkoi “dorëheqjen e të gjithë personave, që kanë sjellë politiikën brenda KLD-së”, duke aluduar në këtë mes për kryetarin dhe nënkryetarin e KLD-së. Ajo nuk e saktësoi më tej këtë aluzion të sajin, por me siguri ka pasur në mendje, përveç të tjerash, atë pjesë të protagonizmit publik të Spahiut, që bëhet nën siglën e me statusin e zv.kryetarit të KLS-së, por që nuk ka lidhje me këtë post. Më konkretisht, fjala është për fushatën e Aleancës Kuq e Zi kundër ligjit të shumëdiskutuar mbi regjistrimin etnik e fetar të popullsisë. Spahiu është kryetari i kësaj lëvizjeje.
Kësaj ane eci dhe kryeministri Berisha në diatribën e tij të sotme në mbledhjen e Këshillit të Ministrave kundër “çakejve pa identitet” të KLD-së.
E. G.
Add new comment