LSI-ja mban distancën me PS-në

Postuar në 31 Korrik, 2011 03:49

Është një hendek i madh ndarjeje mes PS-së e LSI-së, i cili nuk mund të mbushet kollaj me mirëkuptim e simpati. Një numër socialistësh duket se “janë ftilluar” prej zgjedhjeve të 8 majit, dhe kanë zënë të hedhin idenë e një bashkëpunimi të mundshëm mes këtyre dy partive të majta. I pari ishte Besnik Bare, i cili në një intervistë të dhënë për Shekullin la të kuptohej se Berisha në pushtet është një gjë më pak e gëlltitshme për socialistët se sa një koalicion me Metën. Pas tij është Valentina Leskaj, e cila është shprehur sot për gazetën Panorama, se “rëndësi ka baza mbi të cilën ngrihet koalicioni”. Kjo duket si frazë pa ndonjë domethënie të madhe, por deri disa muaj më parë as mund të mendohej se fraza të tilla mund të dilnin nga goja e krerëve të PS-së. Janë duke e kërkuar koalicionin me LSI-së? Duket e sigurtë, se idesë për një koalicion të tillë nuk i japin më munxët apriori e pa u menduar gjatë.

Por në anën tjetër ka ftohtësi e rezerva. Madje, Ylli Manjani të jep përshtypjen se mezi ka pritur rastin për ta refuzuar me arrogancë e përbuzje këtë “vardisje”. “Është një ide e shpifur”, tha ai në thelb në përgjigje të avancimit të Bares. Ndërsa Luan Rama ka thënë sot për Shqipin, se “nuk mund të bëhemi trampolinë e ambicjes së Ramës për pushtet”.

Pritet që ta thonë të tyren dy boss-ët e partive lidhur me këtë argument. Por nuk ka gjasa që të shprehen këto kohë. Ilir Meta ndihet mirë, dhe i mbrojtur, në koalicionin ku është, ndërsa kryesocialistit i duhet kohë të marrë veten prej humbjes, dhe të mësohet me faktin, që në krye të bashkisë është dikush që s’e ka emrin Edi Rama.

E.G.

Comments

Submitted by A.G (not verified) on

Gjeja me e kote qe do te ndodh thjesht per marrje pushteti,dhe thjesht per mjelje pushteti,dhe thjesht per rritjen e fitimeve nga pushteti...LSI-ja e ka treguar ambicjen e "arit" ose "floririt" dhe po qe se edhe opozita eshte "fukarallepsur" gjate kesaj kohe pa ofiqe le te rend per "fiq" se kosha po thurrim anes lumenjve...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.